Kur që nga vitet e para të jetës, fëmijët nuk kanë edukatorë, çfarë do të bëhen? Ndërsa disa mësojnë të mirën që kur lindin deri sa plaken dhe nuk e arrijnë, po ata që në fillim të jetës së tyre mësojnë të dëgjojnë të keqen – cilën të keqe nuk do të kryejnë? Sot, çdo njeri bën të pamundurën që të arsimojë fëmijët me profesione dhe dije, por si do ta kalisi shpirtin e tij drejt virtytit, për këtë asnjeri nuk i jep rëndësi.
Shën Joan Gojarti
* nr. 6 (45)
4. Roli i prindërve
a) Prindërit si edukatorë të krishterë
Të gjithë prindërit e kuptojnë rolin e tyre për edukimin e përgjithshëm të fëmijëve të tyre, veçanërisht ata të moshës parashkollore. E konsiderojnë të natyrshme të kujdesen p.sh., për shëndetin dhe arsimimin e fëmijëve. Por, për përgjegjësinë e edukimit të krishterë nuk janë të vetëdijshëm të gjithë.
Të shumtë janë prindërit që mendojnë se përmbushin “detyrimet fetare” kundrejt foshnjave të tyre duke i pagëzuar dhe duke i çuar në Kishë për Kungimin e Shenjtë. “Edukimi fetar është çështje e priftit dhe Kishës”, – thonë zakonisht. Po kjo nuk është e drejtë. Prindërit e krishterë, me misterin e Martesës, bëhen njëkohësisht dhe edukatorët e natyrshëm të krishterë të fëmijëve të tyre.
Veç të tjerash, edukimi fetar që merret jashtë familjes është plotësues. Prifti vetë nuk mund të marrë përsipër në mënyrë ekskluzive edukimin fetar të fëmijëve dhe më tepër të atyre të moshës parashkollore. Dhe kur kryhet, vepron si zëvendës ose përfaqësues i prindërve, por nuk mund t’i zëvendësojë.
Prifti, sigurisht, që është meshtar brenda shoqërisë së krishterë. Të gjithë besimtarët marrin pjesë në “mbretërinë priftërore” të Krishtit, rrjedhimisht edhe prindërit e krishterë, ngjarje kjo që i bën të jenë edukatorë të natyrshëm të krishterë të fëmijëve të tyre.
b) Shembulli i prindërve
Rëndësi themelore për edukimin fetar të fëmijëve të moshës parashkollore në familje ka sjellja dhe shembulli i prindërve. Prindërit mund të bëhen edukatorë të fëmijëve të tyre “më Krisht”, kur jetojnë si besimtarë përpara syve të fëmijëve të tyre. Vetëm atëherë me ndihmën e Perëndisë do të mund të mbjellin një besim të gjallë në shpirtin e fëmijëve të tyre.
Veçanërisht, prindërit detyrohen të marrin pjesë bashkë me fëmijët e tyre, në shfaqjen e jetës dhe besimit të krishterë. Detyrimi i prindërve nuk është thjesht t’i mësojë fëmijës disa lutje por t’i drejtojë fëmijët në jetën e lutjes. Kjo do të bëhet kur të gjithë së bashku, bashkohen në një lutje të përbashkët. Prandaj, para së gjithash duhet kohë dhe vend lutjeje brenda në shtëpi. Kohën e përcaktojnë pjesët e ditës (mëngjesi, dreka, darka) dhe veprimet kryesore të jetës (zgjimi, ngrënia, gjumi). Të shtunën në darkë ose para feste të madhe mund të bëhet një lutje e përbashkët familjare. Ikonostasi dhe Tavolina për çdo familje të krishterë janë vende lutjeje të veçanta.
Jashtë shtëpisë, Kisha është vendi i përcaktuar për të bërë lutjeje të veçanta. Në meshën e së Dielës nuk duhet munguar, veçse për shkaqe të rëndësishme. Fundjavat, pushimet, janë raste të vetme lutjeje dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhen shkak për braktisjen e Kishës.
Prindër dhe fëmijë duhet të kungohen shpesh. Fëmijët e moshës parashkollore duhet të kungohen çdo javë ose të paktën një herë në muaj. Në lidhje me këtë Simeoni i Selanikut shkruan: nëna është e detyruar “të sjellë vazhdimisht fëmijët në misteret e kungimit. Kjo është mënyra më e mirë për të ushqyer dhe rritur me hirin e Perëndisë” (PG 155, 236).
c) Fillimet e përgjithshme:
Feja tek fëmijët e moshës parashkollore nuk është diçka që mund të transmetohet me një mësimdhënie tipike, si p.sh. mund të mësojnë fëmijët më të rritur në katekizëm. Përpjekja e jonë këtu, ka si qëllim të udhëheqë shpirtin njerëzor drejt jetës shpirtërore.
Duhet të kemi parasysh se nën tre vjeç fëmijët nuk janë të gatshëm për mësime fetare. Mundet që prindërit t’i tregojnë histori nga jeta e Krishtit dhe të familjarizojnë fëmijët me fjalën “Perëndi”. Përvoja e tyre nuk është akoma e mjaftueshme për t’i dhënë kuptim kësaj fjale. Pas tre vitesh fillon të formohet ndërgjegja morale dhe fetare. Fëmija ndërgjegjësohet si “duhet të bëjë këtë” ose “nuk duhet të bëjë këtë”. Atë që ka nevojë tani fëmija nuk është akoma mësimi fetar, por është e domosdoshme t’u përgjigjemi pyetjeve të tyre. Pyetje që i përkasin “prejardhjes” janë shumë të përgjithshme, “kush e krijoi Diellin?” “Pse janë aty Yjet?”, “Nga u krijua pema e parë?” “Si filluan të gjitha?” etj. Këto pyetje tipike bëhen nga fëmijët ndërmjet moshës 4 dhe 7 vjeçare. Përgjigjet që do të jepen këtyre pyetjeve, duhet të ndihmojnë shpirtin e fëmijës që të zhvillojë adhurimin pse jo edhe intelektin e tij.
Mësimi fetar në shtëpi në moshën parashkollore është më tepër i rastësishëm, sesa sistematik. Ai nuk duhet të jetë një veprimtari e pavarur p.sh. një mësim në ditë dhe në orë të caktuar. Ky edukimi fetar duhet të jetë i vrullshëm dhe të kombinohet me veprimtaritë e tjera familjare, siç është puna, të ushqyerit, pushimi, dëfrimi, ushtrimi fizik, shpirtëror etj. Raste të veçanta për edukimin fetar në familje sjellin diskutimet, festat, ngjarjet e ndryshme, eksursionet, udhëtimet etj. Për të njëjtin qëllim, duhet të përdoret muzika, leximi, zbukurimi i shtëpisë etj.
Por, megjithë rëndësinë e madhe që ka besimi, prindërit duhet të shmangin imponimin e bindjeve të tyre fetare tek fëmijët. Me dhunë dhe detyrim mund të shkatërrohet qëllimi që synojnë. Nëse nga metodologjia e përgjithshme pedagogjike përjashtohet frika dhe trembja e fëmijës, aq më tepër, edukimi fetar nuk duhet të arrijë në frikë. Një fëmi që e kërcënojnë vazhdimisht me dënime të frikshme, në të cilat Perëndia identifikohet me xhandarin është e natyrshme të bëhet me ankth dhe të formojë një ndërgjegje mbytëse.
Përgatiti: Harulla Xhamo