EmailFacebookKontakt

Vatra ku farkëtohen kuadrot e ardhshëm të Kishës

Këtë korrik Kolkondasi, me bekimin që i ka falur Perëndia brenda vetes, Kishën e Shën Kozmait, mirëpriti sërish të rinj orthodhoksë prej qytetesh të ndryshme të Shqipërisë. Ky kamping për djem, i dyti në numër, pason atë të vitit të kaluar, por këtë radhë ai shfaqet me dimensione të ndryshme. Numri i madh i të rinjve, rreth 80, nga Tirana, Durrësi, Kavaja, Peqini, Elbasani, Lushnja, Fieri, Berati, Korça, Përmeti, Bilishti, Maliqi, Libofsha, është përshtypja e parë dhe elementi i dukshëm. Pjekuria më e madhe në besim dhe përvoja më e thelluar janë elementë të tjerë të padukshëm, që plotësojnë hapësirën e këtyre dimensioneve të reja. Kampi mblodhi rreth vetes edhe 7 të rinj orthodhoksë nga Greqia, të cilët ofruan ndihmën e tyre të sinqertë, si në parapërgatitjen e kampit, ashtu dhe në zhvillimin korrekt të programit të tij. Krahas pranisë së At Theologut dhe At Lukës, si drejtues dhe etër shpirtërorë, e veçantë qe dhe ardhja e At Kalevit nga Finlanda, i cili asistonte për të parën herë në një aktivitet të këtij lloji në Shqipëri. Sipërfaqes së gjelbër rreth kishës iu shtuan tendat, që funksionuan për strehimin e të rinjve dhe disa instalime të përkohshme të ujit, të korentit, kompleksit të dusheve, tualetit, kompleksi i kuzhinës e mensës, si dhe përshtatja e rregullimi i fushave të volejbollit, basketbollit, futbollit e të ping-pongut.

Qëllimi kryesor i këtij kampi ishte bashkimi dhe shkrirja shpirtërore e trupore me Kishën Orthodhokse dhe Kreun e saj, Zotin tonë Iisu Krishtin, si dhe përkushtimi absolut e qenësor i jetës sonë, shqisave tona, gjymtyrëve dhe prirjeve tona në Trupin e Kishës. Adhurimi në kishën e Shën Kozmait me anën e shërbesave të përditshme, puna parapërgatitore për fillimin e rindërtimit të kishës, katekizmi i kryer në zonat rreth saj, bisedat shpirtërore – të gjitha këto pjesë përbërëse të programit të kampit – mundësuan dhe kristalizuan këtë qëllim më sublim.

Nuk munguan në program as diapozitivat, lojrat, humori dhe argëtimi, të cilat krijuan një atmosferë të këndshme, duke sjellë ngjyra të reja në jetën e kampit. Po kështu, çdo ditë, dy, ndër 7 grupet aktuale në kamp, shkonin në plazh, ndërkohë, që tre grupe vazhdonin punën në kishë, një grup kontribuonte në shtrimin e tryezës gjatë ditës dhe një grup në pastrimin e territorit.

Ngjarja më ngazëllyese për të rinjtë ishte vizita e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas. “Kampingjet orthodhokse, – theksoi ai – luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e karakterit dhe personalitetit të të riut dhe janë pikërisht këto kampe, që, si punishte shpirtërore, farkëtojnë në flakën e besimit e dashurisë më Krishtin, murgjërit, priftërinjtë, teologët dhe kuadrot e ardhshëm të kishës”.

Në periudhën kohore të zhvillimit të kampingut, 13-30 korrik, u kryen gjithashtu 3 ekskursione gjatë të dielave, që u shoqëruan me meshimin, përkatësisht, në Manastirin e Ardenicës, në kishën e “Shën e Premtes” në Skrofotinë, ku ndodhej edhe kampingu i vajzave dhe në kishën “Fjetja e Hyjlindëses” në kalanë e Beratit, ku vlerat liturgjikale u sintetizuan me vlerat e traditës së pasur të kishës sonë.

Me bekimin e Perëndisë ky kamping mbërriti në ditën e tij të fundit. Zjarri traditional, i mblodhi rreth vetes të rinjtë atë natë, në të ashtuquajturin “rrëfim të zemrës” (mbresat e secilit mbi kampingun). Një fjalë, u dallua nga çdo lloj fjale tjetër, në këtë “rrëfim” për nga përdorimi, si dhe nga nxehtësia, që përmbante, kur dilte nga goja e çdo të riu. Ishte fjala “falenderoj”. Mbi gjithçka, i fuqishëm kumboi ky falenderim për Perëndinë e Tërëshenjtë, Hyjlindësen Mari dhe Shën Kozmain. Më tej, një falenderim i veçantë vazhdoi për Kryepiskopin Anastas, i cili dha bekimin për këtë kamping si dhe mbështetjen e tij të plotë shpirtërore e materiale; për At Theologun, i cili ofroi gjithçka të tijën për ta bërë realitet të suksesshëm këtë projekt; falenderime për At Lukën, At Kalevin; falenderim për shoqërinë, miqësinë e vërtetë që lindi midis të rinjve; falenderim ndaj gjithçkaje, buruar prej zemrash të mbushura.

Duke lënë atje, ndriçimin e Hirit Hyjnor e të veprës rinore, u larguam me shpresën e plotë tek Perëndia, se kampi – ngje të tjerë edhe më të arrirë, do ta presin Lidhjen e Rinisë sonë Orthodhokse.

Andi Nikolla
pjesëmarrës në kamping

Shënim: Me kampingun e vajzave, që u realizua në Skrofotinë, do t’iu njohim në numrin e ardhshëm.