EmailFacebookKontakt

Martirët Adriani dhe Natalia (26 gusht)

Ata ishin një çift bashkëshortësh, që banonin në Nikodhimia të brigjeve aziatike të Propontihës, në kohën e Maksimianit (v.286-305). Gjatë përndjekjeve Perandori zbuloi të fshehur nëpër shpella 23 të krishterë dhe i dënoi ata në mënyra të ndryshme. Oficeri idhujtar Adriani, 28 vjeç, mbeti i mahnitur nga durimi i tyre dhe i pyeti për shkaqet e dënimeve. Ata iu përgjigjën se duronin për hir të shpërblimeve qiellore të Perëndisë. Atëherë ai kërkoi që të përfshihej edhe emri i tij në listën e tyre! Ndaj, tirani, pasi e mori në pyetje, e burgosi.

Gruaja e tij, Natalia, që ishte e krishterë, vajtonte sepse nuk njihte akuzat që e rëndonin. Por, kur mori vesh shkakun, veshi rrobat më të mira dhe shkoi në burg. Puthi zinxhirët e të shoqit dhe i dha kurajë. Më pas, vajti përsëri me gra të tjera shpresëtare dhe mjekuan atletët. Kur Adriani siguroi leje për të parë shtëpinë, ajo kujtoi se mos mohoi Iisuin dhe e ofendoi rëndë dhe e la jashtë në rrugë! Por, kur u bind për të kundërtën, ajo lumuroi veten si bashkëshorte martiri. Pasi tirani e rimori në pyetje, urdhëroi ta rrihnin, dhe kështu Adrianin e hodhen në tokë dhe e goditën me shkopinj në mënyrë të tmerrshme në bark, saqë iu dukën zorrët. Ndërsa trimëresha e re Natalia, nga njëra anë i jepte të shoqit guxim dhe, nga ana tjetër, acaronte xhelatin. Adriani duroi i pathyeshëm së bashku me 23 shenjtorët e tjerë (kremtohen në një ditë) vdekjen e frikshme me anën e prerjes së gjymtyrëve. Heroina mbante njërën dorë të të shoqit si thesar dhe u lye me gjakun si me miro. Një shi i fortë shuajti zjarrin ku kishin hedhur trupat e nderuar. Një besimtar i çoi në Bizant, ku Natalia kaloi jetën që i kishte mbetur derisa fjeti dhe u varros pranë tyre. Shenjtorja në mënyrë abuzive quhet martire, pasi ajo u martirizua vetëm “me dëshirë”, d.m.th. vendosi të martirizohej.