Sipas traditës, emrat e të shtatëve janë: Avim (ose Aviv), Anton (ose Antonini), Guria, Eleazar, Eusevoni, Ahim (ose Samonai ose Eulal ose Marku) dhe Markel. Për ta rrëfehet në Mak.B (6,18-7,42) dhe më gjerë në Mak. D, (kap 5-18). Mak. D është jashtë listës kanonike të Librave të Dhjatës së Vjetër.
Mbreti i Sirisë, Antioki i Katërt (175-164 para Krishtit), i detyronte skllevërit e tij të bëheshin idhujtarë. Një herë i sollën një prift plak, mësues për ligjet, të quajtur Eleazar, Solomonën dhe shtatë fëmijët e saj. Për më saktë, këta shenjtorë nuk morën pjesë të drejtpërdrejtë në lëvizjen e Makabejve (= farkëtarë), që qe një lëvizje politiko-ushtarake dhe nacionalfetare. Ka shumë mundësi të bënin pjesë tek Asidejt (= shpresëtarë) – arketipat e Farisejve – që ishte një grupim fetar i papërzier, paralel dhe ndihmës i makabejve. Pra, “këshillat” e tiranit nuk e bindën Eleazarin të shijonte mishin e derrit, që sipas Dhiatës së Vjetër ishte i papastër. As që u shtir për diçka të tillë, siç e parashtruan të tjerë. E fshikulluan atëhere jashtë mase dhe i vunë flakën, duke i hedhur nëpër hundë lëngje me erë të keqe. Kjo gjë vazhdoi derisa ata u karbonizuan. Gjithashtu të rinjtë përballuan lajka dhe premtime. Por ata, të palëkundur, u torturuan në mënyrë të frikshme me “rrota”, me vegla për nxjerrjen e kyçeve, kazanë, tiganë, duar hekuri që rripnin madje edhe fytyrën, u dogjën me zjarr. Ata predikonin pa frikë besimin e tyre dhe shpërblimin e saj pas vdekjes, nxisnin njëri-tjetrin për të duruar. Por burrërinë më të mahnitshme e tregoi gruaja. Nëna e ve nxiste lastarët e saj, madje edhe atë më të fundit, të qëndronin tek shpresa e Perëndisë, d.m.th. të duronin vdekjen më të frikshme! Më pas u hodh vetë në zjarr… Këta martirë – burrërinë e të cilëve e theksoi si shembull vetë Antioki dhe e ndritën lartë Etër të mëdhenj të Kishës – u bënë pararendës të martirëve të krishterë. Refreni i historisë së tyre: “Pa dyshim mbizotëfues i pasioneve është arsyetimi shpresëtar”. Lipsani i heroines ruhet në Patrikanën Ekumenike – ndofta është lipsani më i vjetër që është ruajtur.