EmailFacebookKontakt

Zhvillimi i Kishës – bekim për të gjithë

“Atëherë u tha nxënësve të tij: ‘Të shumta janë të korrat, por punëtorët janë të pakët. Luteni pra të zotin e të korrave që të nxjerrë punëtorë për të korrat e tij’.”
Matth. 9, 37-38.

Nga 26-29 korrik, i mirëpritur, siç është bërë tashmë zakon, nga një varg i gjatë makinash të mbushura me besimtarë, Kryepiskopi Anastas bëri një vizitë në dioqezën e Korçës.

Më 26 korrik Kryepiskopi, i shoqëruar nga besimtarët dhe klerikët e Dioqezës, vizitën e parë e bënë në kishën katedrale të “Ngjalljes së Krishtit”, e cila tashmë ka marrë formën e plotë. Kjo katedrale madhështore, me pozicionin në qendër të qytetit, është një bekim i madh Perëndie për orthodhoksët korçarë. Vizita e dytë u bë në kishën në ndërtim të komunitetit arumun të Metamorfozës së Shpëtimtarit. Kryepiskopi Anastas bekoi punimet e kësaj kishe, si dhe ofroi mbështetjen e Tij në vazhdimësinë e punimeve ndërtimore.

Ditën e shtunë, më 27 korrik, mbas Liturgjisë Hyjnore do të bëhej edhe Ajazma në godinën e Mitropolisë së Shenjtë të qytetit të Korçës, e cila u ristrukturua tërësisht. Ajo do të ketë një funksion shoqëror për të gjithë korçarët, pa asnjë dallim, tha kryepiskopi Anastas, sepse ne orthodhoksët çdo gjë që e kemi e ndajmë me të tjerët, duke parë çdo njeri si shëmbëlltyrën e Perëndisë. Kati i parë i godinës është rezervuar për një klinikë bashkëkohore me disa specialitete; patholog, pediatër, kardiolog, si dhe një farmaci. Gjithashtu, është gati për të ardhur edhe një klinikë moderne dentare e lëvizshme, e cila do të shkojë fshat më fshat, si edhe nëpër shkolla, e cila është dhuruar nga Manastiri i Simonopetras në Malin e Shenjtë. Në katin e sipërm janë zyrat e Mitropolisë së Korçës, si dhe zyra e salla e mbledhjeve e intelektualëve orthodhoksë të qytetit. Në katin përdhes janë zyrat e Lidhjes së rinisë orthodhokse etj.

Ditën e dielë, më 28 korrik, u celebrua Liturgjia Hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Në prani të besimtarëve orthodhoksë, që kishin mbushur kishën, Kryepiskopi Anastas dorëzoi në dhjak Vangjel Terziun, i cili sapo ka përfunduar vitin e tretë të Shkollës Teologjike-Hieratike.

Gjatë ditëve të qëndrimit në qytetin e Korçës, Kryepiskopi pati edhe shumë takime të ndryshme, si me klerikët e dioqezës, me të rinjtë, si dhe me intelektualët orthodhoksë.

Kryepiskopi Anastas, duke parë nevojat e mëdha të përparimit profesional të të rinjve, ka arritur të sigurojë fondet e nevojshme me ndihmën e strukturave përkatëse të Bashkimit Evropian për ngritjen e një Instituti të Përparimit Profesional. Ai do të ketë disa degë të ndryshme, si për infermier, pastiçier etj. Instituti do të funksionojë me 4 gjashtëmujorë, nga të cilat 3 do të kryhen në Korçë dhe gjashtëmujori i fundit në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ditën e hënë, më 29 korrik, në kthim e sipër, Kryepiskopi Anastas u ndal në kishën Katedrale të qytetit të Pogradecit, për të kryer Ajazmën e katit të parë të kësaj kishe. Gjithashtu, Kryepiskopi Anastas bekoi edhe punimet e kishës së ristrukturuar të Shën Thanasit në qytetin e Elbasanit, punimet e së cilës janë në përfundim e sipër, dhe së shpejti do të zhvillohet ceremonia e përurimit.

A.LL.