EmailFacebookKontakt

Ecje në gjurmët e Krishtit!

E njohëm zgjimin, me etjen e një kandili të mosndezur prej kohërave. E, kur pluhuri shkundej prej syve, në ngritje ata lëbyreshin prej Dritës, që hynte në plasaritjet e trupave e të shpirtrave e na jetësonte. Mes mrekullimit, e pamë atë, tek zbriste shkallët e Banesës së Lartë. Ishte ai, i cili na dhuroi Dashurinë e perëndishme…

Këto mendime prekin mantelet e esencës tonë, sot, ndërsa festojmë 4-vjetorin e rilindjes, 4-vjetorin e zbritjes së bekimit mbi Shqipëri, 4-vjetorin e Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas. Sot, shohim udhën e artë, të bukur, që është shtruar, fillesa e së cilës lindi 4 vjet më parë. Dhe nuk është një udhë e zakonshme, por ajo, nëpër të cilën vjen vetë Perëndia. Në Liturgjinë e Shenjtë të këtij përvjetori, kryedhiakoni Sotir Kanxheri u shpreh midis të tjerash: “Historia e Kishës sonë Orthodhokse do ta shkruajë veprën e tij me shkronja të arta!” Ndërsa, kur fjalën e mori Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, duke e eklipsuar plotësisht vetveten, falenderoi me një ritëm davidian Perëndinë e Tërëmirë, që “na mbajti bashkuar dhe besnikë ndaj Tij”, për gjithshka dhe për të gjitha dhuratat: “për vargun e klerikëve, që shtohet përherë e më shumë, për 200 kishat e rilindura, për njerëzit e sidomos të rinjtë, që i mbushin ato, duke u vënë në rrugën e të bërit pjesëtarë të Mbretërisë së Qiejve, për 2 manastiret e vyera, që na u kthyen, për përkujdesjet ditore, klinikat, për zyrën e Shërbimit të Dashurisë, që u rri pranë të varfërve, pa dallim besimi, për gazetën dhe librat që janë në qarkullim, për kampingjet e të rinjve dhe të të rejave, për dashurinë dhe ngushëllimin në kishën tonë…” Dhe, teksa e dëgjonim kryebariun tonë duke folur me Modestinë Hyjnore në krah, thellë në zemra ndjemë zërin e Atij, që u jep lavdinë atyre, që e lavdërojnë: “Ai, që mbjell dorëhapur, edhe do të korrë dorëhapur.” (II Kor. 9,6).

Të gjithë, në fund, rendën drejt tij. Nafora dhe bekimi i asaj dore të shenjtë do të përziheshin me urimet e thelbit të zemrës, me urimet më të nxehta. Këto urime iu shtuan “mirësisë dhe dashurisë së besimtarëve”, të cilat Fortlumturia e Tij i quajti “dhuratën më të madhe për të.” Megjithatë, nafora nuk do ta ulte siparin festiv të kësaj dite për familjen e Kishës sonë. Në orën 12.00 do të kryhej ceremonia e bekimit të themeleve të klinikës së re shëndetsore. Por, cili do të ishte në të vërtetë ky gur, apo ky themel? “Të gjitha këto vepra kanë një themel të përbashkët, i Cili është Zoti ynë Iisu Krishti!” – tha Kryepiskopi gjatë shërbesës fetare. Duke folur më pas për vështirësitë e mëdha, që shfaqen si barërat e liga pas çdo filizimi, Fortlumturia e Tij theksoi: “Mos u shqetësoni, se Perëndia, që deri tani na ka mbështetur, do të na mbështesë edhe më pas. Ai është Kreu i kishës sonë e tek Ai i kemi mbështetur shpresat dhe gjithë bindjet tona!” Menjëherë besimtarët, me një kor zërash fuqiplotë, i dhanë sundimin në tërë atë hapësirë, himnit mahnitës: “Cili Perëndi, është aq i madh, sa Perëndia ynë! Ti je Perëndi i vetëm, që bën çudira!” Vërtet, por kur dikush mund të mendojë, se do të kryejë “çudira” jashtë dashurisë së Këtij Gjithësunduesi, do të hartojë fundosjen e vetvetes në rrënojat, që shoqe kanë vdekjen. Sepse themeli i atyre, që janë, që qëndrojnë, është Ai! Një konkretizim i kësaj ideje ishte lajmi, se klinika do të mbajë emrin e festës së Ungjillëzimit të Hyjlindëses. Në të do të ketë aparate të teknologjisë së fundit dhe më pas do të vendosen lidhje me institucione shëndetësore të huaja. Të gjitha, për t’u ardhur në ndihmë pacientëve, qofshin këta orthodhoksë, ose jo (ndër 6000 pacientët e deritanishëm të klinikës së vogël që funksionin, pjesa më e madhe kanë qenë joorthodhoksë). Pasi, siç ka theksuar Kryepiskopi ynë gjatë Fronëzimit të tij: “Ne jemi komunitet i hapur për të gjithë, nuk akuzojmë e nuk jemi kundër askujt, i duam dhe jemi të gatshëm t’i ndihmojmë të gjithë.” Ashtu siç ka ndodhur në momentet e fatkeqësive natyrore, apo gjatë periudhës së kolerës. Me shumë gëzim u prit edhe lajmi për projektet e reja në zona të tjera të vendit, si p.sh. klinika në godinën e re të Mitropolisë në Korçë, në kompleksin ndërtimor në kishën e Kavajës, në Manastirin e Ardenicës, në Gjirokastër e në Sarandë. “Le t’u gëzohemi, sepse i përkasin familjes sonë dhe le ta falenderojmë Perëndinë, që kishën tonë, e cila është kisha më e re dhe më e vogël në botë, po e ndihmon për të bërë hapa shumë të mëdha përpara.” Këto fjalë të Kryehirësisë së Tij, gjatë Liturgjisë Hyjnore, kishin hedhur rrënjë në shpirtrat e besimtarëve. Ndaj, të gjithë ngazëllenin, luteshin e këndonin me tërë forcën, që u falte Perëndia himnet e shenjta të kishës sonë. Në fund Kryepiskopi falenderoi të gjithë grupin e punës, ndërsa prej tyre u premtua, se me shpresën e Perëndisë, në Pashkën e vitit të ardhshëm, klinika e re do të jetë gati. Përsëri, ajo, që ai ka bërë për ndërtimin e kësaj klinike ngeli e mënjanuar, por nuk heshtte puna e bërë, nuk hesht Ai, që sheh dhe di çdo gjë…

Të gjithë rimerrnin bekimin, e riuronin dhe largoheshin për t’u rikthyer në Misterin e Efqelisë, i cili u krye në orën 18.00 pasdite. Të dyja shërbesat kishin diçka të përbashkët: mundësitë, që na ofron Perëndia Mëshirëplotë për të shëruar sëmundjet e trupit e të shpirtit. Dhe, siç nënvizoi Kryepiskopi gjatë Liturgjisë Hyjnore: “Nuk na mjafton vetëm të pagëzohemi, por duhet të ecim nga lavdia në lavdi në këtë rrugë, që na ka hapur Perëndia!”

Për Perëndinë dhe njerëzit! Ky është titulli, që ai i vuri ditës së 2 gushtit, ky është titulli, që ai i vë çdo dite të jetës së tij duke pararendur në atë udhë lavdie e duke lënë ngado gjurmët e isapostullit të Krishtit!

2 gusht 1996