EmailFacebookKontakt

Meteora në sy pelegrinësh

Meteora…

Duket sikur kjo mrekulli është krijuar dhe bekuar nga dora dhe fryma e Të Madhërishmit. Qindra shkëmbinj të pingultë formojnë një pyll të vërtetë figurash të ngritura, të heshtura e fantazmagorike. Ato i kanë rrënjët pikërisht aty, në rrafshnaltën Thesaliane, midis maleve Koziakas dhe Antikosia, aty ku krishtërimi orthodhoks u bë kulti i paqes, miqësisë dhe mirësisë së shenjtë.

Të kurorëzuar me manastire të vjetra, njëri më i bukur dhe mbi i pushtetshëm se tjetri, ditën dhe natën, ata formojnë një aureolë të ndritshme, hyjnore, që Perëndia e ka hedhur si dëshmi të ekzistencës dhe përjetësisë së Tij, të cilën çdo pelegrin e ndjen aty me një siguri absolute.

Nga të 21 manastiret e ndërtuar njëri pas tjetrit, në 21 shkëmbinj, sot vazhdojnë të funksionojnë me të njëjtin ritual jetësor vetëm gjashtë. Më i madhi prej tyre, i Metamorfozës së Krishtit, i filluar më 1380 nga banori i parë asket, Athanasios, në formën e një kishe të vogël, u zgjerua më pas nga murgu Joasaf më 1387-1388 dhe nga Simeoni, më 1541-42. Ky manastir fantastik ka në kishën kryesore një ikonostas të mrekullueshëm të praruar dhe një fron kryemurgu të zbukuruar me perla. Afresket e shek të XVI, përmbajnë historinë dhe kanonet liturgjike të Kishës. Krahas kishës kryesore, në këtë manastir janë ndërtuar, kohë pas kohe edhe tre kisha të tjera më të vogla.

Manastiri i Varlaamit është krijuar rreth vitit 1350, nga murgu me të njëjtin emër, i cili ndërtoi kishën e vogël Tre Hierarkët dhe disa dhoma. Rreth 200 vjet më pas, më 1518, vëllezërit Nektarius dhe Theofanis nga Janina e rindërtuan kishën, si dhe dy kisha të tjera, Gjithë shenjtorët dhe Joan Pagëzorin. Kisha e Tri Hierarkëve me formë kryqi, ka afreske të punuara nga mjeshtri i madh nga Kreta Frango Catelano, si dhe nga prifti Georgios nga Teba. Më 1627 murgjit Sergius dhe Cirillus e restauruan dhe plotësuan me shumë afreska të reja.

Manastiri Shën Nikolla Anapafsas u rindërtua në fund të shek të XV-të, ndoshta mbi gërmadhat e një më të vjetri. Sipërfaqja e kufizuar e sheshit të shkëmbit i ka detyruar ndërtuesit, ndryshe nga manastiret e tjerë, të shfrytëzojnë lartësinë, duke e inkluduar kishën brenda manastirit, në katin e parë. Sipas një dorëshkrimi, piktura murale e kishës është kompletuar më 1527 nga një piktor brilant, murgu Theofanis Strelizas ose Bathias, dorën e të cilit e gjejmë edhe në Malin e Shenjtë.

Shkëmbi i manastirit të Shën Stefanit duhet të jetë banuar para vitit 1200. Në të ndodhen dy kisha, ajo e Protomartirit Stefan dhe e Shën Harallambit. E para, që mund të jetë ndërtuar më 1350 nga murgu Ieremia, është e vogël, me çati druri dhe me një narteks. E dyta, Shën Harallambi, është relativisht e re, e ndërtuar nga murgjit Theofanis dhe Ambrosios më 1798, ka një strukturë arkitektonike e ndërtimore të veçantë, kurse ikonostasi e altari janë të një bukurie të rrallë.

Manastiri Rusanu nuk ka të dhëna historike të sakta, por ka mundësi të jetë krijuar më 1380, nga murgjit Nicodemus dhe Benedict. Më 1545 murgjit Maksimus dhe Joasaf nga Janina e restauruan dhe e zgjeruan kishën e Metamorfozës.

Befasia dhe surpriza e takimit të parë me Meteorën është arkitektura dhe mënyra e mahnitshme e ndërtimit të manastireve. Të kacavjerur nëpër shkarëzinat e thepisura, ato ngrihen drejt qiellit. Kryqet e tyre synojnë harqet qiellore, sikur duan të jenë sa më afër kubeve të Altarit të Zotit. Breza të tërë arkitektësh, mjeshtër piktorë e drugdhëndës, murgjër e asketë, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme me mendjen, talentin, djersën dhe pasurinë e tyre, dedikuar një jete tjetër të përsosur, të filtruar e të purifikuar nga çdo mëkat i botës përreth. Ka qenë ndoshta pathosi dhe energjia e Shenjtë e inspiruar, gjeneruar dhe bekuar si dhuratë ndaj përkushtimit të tyre spiritual ndaj Tij, gjithë ajo fuqi titanike që, gur pas guri, krijoi tërë atë galeri kryeveprash e qytetërimi mistik mesjetar nga më të rrallat në botë. A mund ta shpjegosh ndryshe si janë ngritur ato mure gjigande nëpër humnera, çfarë projektesh e llogaritjesh janë bërë për të ngjitur inertet, ujin, lëndën drusore, për të prodhuar litarët, rrjetat, traversat e skelat, këta ashensorë antikë e për të ruajtur ekuilibrin harmonik me natyrën e virgjër?

Ashtu si edhe në Malin e Shenjtë, manastiret e Meteorës ruajnë mistere të mahnitshme historike, fetare, kulturore e artistike. Antikat, reliket, thesaret, veprat e artit dhe dorëshkrimet e vjetra që gjenden në ato manastire janë krenaria e tyre. Shumë nga ato janë jo vetëm gjurmë të periudhave të ndryshme historike, por që e lidhin vendin edhe me ngjarje të rëndësishme. Kodikë dhe dorëshkrime në pergamenë, mëndafsh apo letër, me përmbajtje fetare, teologjike, ikonografike, muzikore, pa përjashtuar edhe tekste të autorëve klasikë grekë, dëshmojnë për mundin herkulian mendor e fizik që derdhej gjatë kopjimit të tyre kaligrafik me dorë ose në shkronjtoret primitive që ndodheshin aty. Programi ikonografik i realizuar me qindra m2 afreske, dhe ikona qysh nga shek i XII të shkollave maqedonase e kretase, përfaqësojnë shpesh kryevepra artistike të piktorëve të njohur e anonimë, objekte e relike utilitare liturgjike, si veshje të përkryera klerikësh, kryqe e ungjij, potire, epitafe të qëndisur me ar e argjend, skeptra kryemurgjish e peshkopësh, temjanica, kandile e ekzapterga argjendi, relike të shenjtorëve dhe themeluesve të manastireve, dhurata të perandorëve dhe patrikëve bizantinë, përbëjnë kuriozitetet e surpriza mrekullish për këdo që i jepet mundësia t’i shohë ato.

Sot pelegrinët apo vizitorët e shumtë nga e gjithë bota mund të ngjiten në këto manastire pa vështirësi, nëpërmjet shtigjesh, tuneleve e shkallësh të panumërta.

Salla muzeumesh, ekspozita, dyqane suveniresh e antikuarësh, shitore librash, katalogësh, albumesh, kasetash e videokasetash, relikesh e objekte të riprodhuara nga origjinali, të organizuara në dekore të vjetra, reale, u japin të gjithëve shansin të marrin me vete një kujtim a simbol memorial të shenjtë nga një civilizim tjetër që predikon mirësinë, paqen, përsosmërinë dhe begatinë shpirtërore.

Kush e ka provuar qoftë edhe një herë praninë e vet në Meteorë, ka provuar se aty egziston një tërheqje e veçantë, magjike e gjithëpushtetshme, një frymë e ngrohtë sugjestionuese që buron së larti, një mandil i tejdukshëm rrezatimi qiellor, midis të cilave njeriu ndjen se diçka ndodh me veten e tij, me tharmin e tij. Shpirti i tij zbutet, zgjerohet, zmadhohet, zjen e lëvrin sikur do të shkëputet, të shkulet në kërkim të dy flatrave, për të zbërthyer kraharorin e për të fluturuar fisnikërisht lart, lart në qiellin e bekuar të Meteorës.

Kristaq Balli

Shënim: Veç mbresave të vizitës, janë përdorur materiale nga Albumi “METEORA – New Editon”.