EmailFacebookKontakt

Me rastin e 50-vjetorit të fjetjes – At Aleksandër Lipe

Të njohim dëshmorët e Kishës sonë Orthodhokse

Me rastin e 50-vjetorit të fjetjes – At Aleksandër Lipe

Lindi në fillim të shekullit, në vitin 1902, në fshatin Kaludh të rrethit të Përmetit; një fshat i vogël qymyrxhinjsh. Qysh në moshë të re, Aleksandri i Koçiut të Lipellarëve, njohu rrugën e mundimshme të Kurbetit. Në fshatin ku punoi u njoh e u miqësua me priftin e fshatit. Më vonë kjo miqësi u forcua dhe u bë shkak që i biri i qymyrxhiut të ndjekë rrugën e respektueshme të klerikut. Kaluan disa vjet e ai u kthye në vendlindje me misionin e priftit. Tani e thërrisnin me respekt at Aleksandri.

Fillimisht u caktua prift në një fshat të krahinës së Shqerisë. Pak kohë më vonë, kaloi në fshatin Leusë, një fshat i vogël kurbetçinjsh mbi Përmet, gati lagje qyteti. Për at Aleksandrin fshati i vogël, mbi Kodras, ishte tepër i ngushtë. Ai zbriste shpesh në qytet. I pajisur me njohuri të mjaftueshme për kohën, i shkathët, i hijshëm, i matur dhe dinjitoz, mik i librave, at Aleksandri u miqësua shpejt me banorët e qytetit, e sidomos me intelektualët. Nuk përtonte të frekuentonte edhe kafenetë më të mira, me miqtë e tij, por pinte vetëm kafe.

Pas ca kohësh, qyteti mbeti pa prift. At Aleksandri u caktua me detyrën e klerikut përgjegjës pë zonën. Shpejt u duk karakteri i tij i fortë dhe mospajtimi me shkeljen e ligjeve të Zotit. Kështu p.sh. për festat e mëdha grumbulloheshin shumë meshë në kishë. Prifti mbante një sasi të mjaftueshme për vehte dhe pjesën kryesore e shpërndante ndër të varfërit, ndryshe nga disa priftërinjë të tjerë, që i mbanin për vete. Apo, ishte zakon që, me rastin e Kungimit, personat që kungonin hidhnin mbi libër një monedhë të vogël metalike (çerek leku). At Aleksandri i flaku poshtë, duke thënë: “Nuk e shes gjakun e Krishtit me të holla!” Gjë kjo, që e rriti prestigjin e priftit në sytë e besimtarëve.

At Aleksandri, me hijen e dinjitetit të tij, vuri rregull gjatë shërbesës në Kishë. Ai çeli kurse për mësim feje me klasat e 4-5-ta shkollore dhe me punën e tij afroi shumë besimtarët me kishën. Mbante lidhje të rregullta me Episkopatën e Korçës, prej nga varej e sidomos, me Episkopin, dijetarin Evllogji Kurilla.

Viti 1939 solli pushtimin fashist. At Aleksandri ashtu si gjithë populli nuk u afrua me pushtuesin. Si klerik dinjitoz orthodhoks, ai ruajti distancë. “Kisha nuk merret me politikë”. Kjo qe motoja e tij në vitin 1940, në prag të luftës italo-greke. Ai bashkë me persona të tjerë, internohen në një fshat të humbur të Italisë.

I kthyer rishtas më 1941 në qelinë e tij pranë Kishës, filloi përsëri detyrën e vet si bari i grigjës së Krishtit. Por, këtë herë situata ishte më e rëndë. Mosbashkpunimi i popullsisë gjatë luftës italo-greke, i kishte acaruar pushtuesit dhe fashistët vendas. Iu desh të tregohet më i kujdesshëm, më i matur, për të shmangur ekseset, pa hequr dorë nga misioni i tij: mbrojtja e Kishës së tij Orthodhokse.

Filloi lëvizja për çlirim. Vorbulla e saj thithi edhe shumicën e popullsisë. At Aleksandri, si klerik i vërtetë dhe i denjë, mori pozicionin e duhur, jashtë politikës. Misioni i tij ishte Orthodhoksia dhe vetëm Orthodhoksia. Por, at Aleksandri ishte figurë shoqërore në qytet. Ish-miq të tij, të ekzaltuar, u munduan ta tërhiqnin në radhët e tyre, por nuk ia arritën dot qëllimit. Situata u bë tepër e vështirë për të. Goditej nga të dy krahët, nga lëvizja dhe nga pushtuesit. Ndaj u detyrua të largohej në Greqinë fqinje.

U kthye prapë, me mbarimin e luftës, në fillim të vitit 1945. Filloi përsëri detyrën e priftit në qytet. Duke e nuhatur gjendjen, u mbyll në qelinë e tij të kishës, indiferent në dukje ndaj mjedisit të krijuar. Kjo nuk u pëlqeu pushtetarëve të rinj. Rrethi i “dyshimeve” u ngushtua keqas. I prerë në besë nga “miq” të indoktrinuar, në fund të vitit 1945 u arrestua dhe në 4 korrik 1946 u ekzekutua në Gjirokastër me vendim të Gjykatës ushtarake. U dënua si “armik”, se u përpoq të mbronte të vetët nga shkatërrimi e gjakderdhja pa kuptim e dobi. Se mundohej të mbronte Orthodhoksinë.

Si dëshmor i Orthodhoksisë.

Llambro Dh. Kristo