EmailFacebookKontakt

Ta mbash kryqin para gjithë njerëzve

Ta mbash kryqin para gjithë njerëzve…

Shën Nikodhim Ajioriti

Tallja e njerëzve dhe akuzat që pranon për të vërtetën dhe virtytin është kryqi i Iisuit, të cilin duhet ta mbash dhe ti, publikisht, para gjithë njerëzve, pa asnjë kundërshtim dhe turp, ashtu siç e mbajti Ai, duke përbuzur çdo turp dhe tallje të njerëzve. Siç shkruhet “i cili për gëzimin që ishte përpara tij duroi kryqin, duke e përçmuar fyerjen” (Heb 12:2).

Mbaje këtë kryq dhe talljen e Krishtit pa turp dhe kundërshtim të njerëzve, duke e menduar këtë pasuri më të madhe nga të gjitha thesaret e mbretërve, për t’u renditur dhe ti me të gjithë shenjtorët, të rinj dhe të vjetër, të cilët e mbajtën këtë kryq të Krishtit. Përse të turpërohesh, vëlla, sepse mban kryqin e Zotit? Një Pavël lavdërohej në kryq dhe ti turpërohesh? (Gal 6:14). “Mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç kryqit të Zotit tonë Iisu Krisht.”

Kur Zoti Iisu Krisht doli duke mbajtur kryqin mbi supe, para gjithë njerëzve, ata mendonin se me këtë i shkaktonin pandershmëri të madhe, por Perëndia me këtë pandershëri, në të njëjtën kohë, e lartësoi emrin e Tij dhe e lavdëroi “Tani u lavdërua Biri i Njeriut edhe Perëndia u lavdërua me Atë” (Joani 13:31).

Kështu vazhdo dhe ti, kur tallesh nga njerëzit për të vërtetën dhe virtytin. Njerëzit mendojnë se të çnderojnë me talljet dhe akuzat e tyre, por në këtë kohë Perëndia të lavdëron dhe ka për të të lavdëruar pa krahasim më shumë në jetën e ardhshme.

Zoti njohu me shumë saktësi rëndesën e atij druri të kryqit, jo vetëm në dukje, por dhe në thelb, sepse kryqi mbajti me vete mëkatet e gjithë botës. E dinte shumë mirë sa e sëmurë ishte fuqia e tij për gjakun e shumtë që derdhi, për torturat e mëparshme që pësoi dhe për dhimbjet e brendshme dhe të jashtme të njerëzve dhe njëkohësisht, dinte shumë mirë padrejtësinë e atij vendimi që u mor kundër tij. Megjithatë, pa e marrë parasysh, përqafon këtë kryq me shumë gatishmëri dhe trimëri. E shtrëngon në kraharorin e Tij, e shikon si një altar, në të cilin ka sakrifikuar jetën e Tij; e konsideron si një fron të dashurisë së Tij, si lavdi dhe mburrje, si simbol të Mbretërisë së Tij, si sallë nuseje e kishës së Tij, dhe si mjet i çlirimit tonë dhe shkatërrimit të mëkatit. Potir e quajti më parë kryqin, sepse ashtu si gëzohet dhe prehet një njeri që pi një gotë me verë të mirë, kështu edhe Krishti, me gatishmëri dhe gëzim, mbajti dënimin e kryqit.