Shën Anthimi i Hios (1869-1960)
Vallë, nga të gjitha veprat tona, çfarë I pëlqen më shumë? Ku shkon Hiri i Shpirtit të Shenjtë? Shpirtin e Shenjtë asnjë nuk e kupton kur vjen, sepse nuk ka as zë, as vjen me tronditje, as këmbana bien. Vjen qetë-qetë, paqësor dhe pa zhurmë. Atje ku gjen enë bosh, atje hyn. Shikon ku është përulësia më e madhe, durimi më i madh, bindja pa dallim, heshtja e shenjtë, puna shpirtërore dhe trupore dhe vetëpërmbajtja.
Njeriu, për të marrë hire qiellore, duhet të kreshmojë, të bëjë agripni, të lutet, por, nëse nuk ka dhe përulësinë bashkë me to, asgjë nuk vlen. Atje ku ecën në rrugën e mirë, papritur, shfaqet përpara një gur. Çfarë është guri? Një fjalë e ashpër që të thotë papritur, një vëlla; atje, pra, ku ecën, ja, një gur para teje. Mos e lër aty, ulu dhe ngrije, për të mos dëmtuar asnjë tjetër. Nga smira, nga ligësia, nga djallëzia ose dhe nga prova, vëllai të tha një fjalë të ashpër. Nëse ti do ta ngresh me qetësi dhe do ta marrësh prej andej, tjetri nuk do të dëmtohet. Eshtë satanai që rri e pret; nëse ty nuk të dëmtoi, dikë tjetër do të dëmtojë.
Shikoj një murgeshë që kalon me përulësi, me kokë të ulur, pa e ngritur. As sodit, as pyet për asgjë. Nga sytë e saj rrjedhin vazhdimisht lot mallëngjimi. Largohet nga të gjithë, vrapon në qelinë e saj, hap derën dhe thotë brenda zemrës së saj: Sa e ëmbël jeta monakike! Të faleminderit, Zoti im, që më solle në këtë jetë ëngjëllore!…
Këtu banoi Hiri i Shpirtit të Tërëshenjtë, siç banoi dhe tek e Tërëshenjta…
Shenjtëria nuk është asnjëherë e së njëjtës mënyrë. Shpirti i bekuar, që do të pranojë mesazhin e Hirit, mundet që me mënyra të ndryshme të realizojë “ngritjen shpirtërore”, të përdorë shumë monopate për t’u ngjitur në majën e Tavorit dhe të fitojë hyjnizimin e dëshiruar. Një mënyrë shenjtërie është edhe jeta monakike.
Një ftesë e Perëndisë për shpëtimin.
Kjo ftesë ka një lloj analogjie me martirizimin. Dikush do të mundej ta karakterizonte jetën monakike, sigurisht atë të sinqertën dhe korrekten, si martirizim të përhershëm. Shkaktojnë habi torturat e martirëve, por ky “martirizim” zgjat pak ditë. Murgu lufton tërë jetën e tij trup më trup me djallin dhe dy aleatët e Tij; dinakërinë e njerëzimit dhe kryengritjen trupore.