EmailFacebookKontakt

Përpjekje që kalojnë kufinjtë e enorive

Libofshë

Përpjekje që kalojnë kufinjtë e enorive

– Takim i grave orthodhokse të zonës së Myzeqesë së Fierit. –

Të enjten më 6 qershor, kur Kisha jonë jetonte atmosferën e Pendikostisë, një takim nderoi kujtimin e asaj mbledhjeje të parë të besimtarëve në pjesën e sipërme të Jeruzalemit. “Edhe kur erdhi dita e Pendikostisë, ishin të gjithë me një zemër mbi një vend” (Vep. 2,1). Ishte takimi i grave besimtare të dhjetë enorive orthodhokse të zonës së Myzeqesë të Fierit.

Takimi u bë në Kishën e Shën Gjergjit në Libofshë, ku që herët në mëngjes kishin nisur të arrinin përfaqësitë e këshillave të grave të enorive të zonës, duke sjellë mesazhet dhe problematikat e enorive që përfaqësojnë.

Nisma dhe përgatitja e takimit i përket këshillit të grave të enorisë së Shën Gjergjit Libofshë, ku me ndihmën e priftërinjve kishin punuar në qetësi dhe sistematikisht për shumë kohë. Vlen të shënohet për nderim të tyre dhe shembull për të gjithë gratë e enorive orthodhokse, se për një kohë shumë të madhe, gratë e Libofshës, pasi organizuan dhiakoninë në enorinë e tyre, filluan të mendojnë si të ndihmojnë dhe enoritë e tjera fqinje. U mblodhën, u lutën dhe programuan hapat e mëtejshme, me një zell me të vërtetë apostolik, duke vlerësuar gjithë aftësitë e tyre. Ato kërkuan dhe gjetën shumë mënyra për të afruar gratë e fshatrave të tjera. Disa janë me profesion ndihmësmjeke dhe vizitonin shtëpi të ndryshme. Kështu, bashkë me shërbimin mjekësor, i ofronin dhe ndihmën shpirtërore të kërkuar.

Një fjalë dashurie dhe shprese gjendej gjithnjë në gojën e tyre. Një fletë me përmbajtje shpirtërore apo me jetën e një shenjtori të Kishës gjendej gjithnjë në çantën e tyre. Duke punuar kështu për shumë kohë, në heshtje dhe pa zhurmë, gratë e Libofshës arritën shumë rezultate, më shumë se ç’mund të përmendim këtu.

Po le të kthehemi tek takimi. Para hapjes së tij, u ndoq një program i vogël festiv, i përgatitur nga fëmijë të grupit të katekizmit, programi u vazhdua duke përfshirë në pjesën e parë fjalim shpirtëror dhe diskutim me bazë ngjarjen e Pendikostisë dhe në pjesën e dytë diskutim për organizimin dhe programimin e punës në çdo fshat. Orët rrodhën shumë shpejt, brenda atmosferës së gëzueshme të komunikimit vëllazëror.

U larguam nga Libofsha me ndjenjën se kishim jetuar një ditë “Pendikostie” nën Hirin e Shpirtit të Shenjtë, i Cili ndriçon, frymëzon dhe vëllazëron gjithë njerëzit dhe se pas nesh lamë një Lidhia (Vep. 16:14) Dhamar (Vep. 18:34) Priskilla, (Vep. 18:24), Tavitha (Vep. 9:36:43), për të vazhduar pa zhurmë dhe me përulësi veprën Apostolike dhe shpëtimin e shpirtrave “Por nëse vëllai yt hidhërohet për shkak të ndonjë ushqimi, ti nuk ecën më sipas dashurisë. Mos humb, me ushqimin tënd, atë për të cilën Krishti vdiq!” (Rom. 14:15).

Ndërsa ktheheshim në Tiranë, na shoqëronte një buqetë me 10 karafila shumëngjyrësh, simbol i shpirtrave të dhjetë fshatrave të Myzeqesë, që u gjendën në takim. U larguam me kujtimin e këtij takimi të bekuar dhe me detyrimin të flasim dhe tek gratë e gjithë zonave të Shqipërisë së çfarë mund të bëjë besimi dhe dashuria në veprim i shpirtit të gruas.

Takimi më 6 qershor në Libofshë u bë burim frymëzmi dhe nisje pune për të gjithë zonën e Myzeqesë dhe jemi të sigurt, se nga kjo kolonë e gazetës sonë do të mësoni më vonë më shumë hollësi dhe vazhdimin e punës së tyre, për t’i admiruar dhe imituar, veçanërisht të gjitha ju gratë besimtare të enorive të Kishës sonë.

Korresp. i “Ngjalljes”

Në foto: Gjatë një mësimi katekizmi në kishën e Shën Gjergjit, Libofshë