EmailFacebookKontakt

Ndihmë në miredtikimin e fëmijëve

– Veprimtari e sukseshme e përkujdesjeve ditore të fëmijëve, ngritur nga organizatat e grave orthodhokse. –

“Lerini fëmijët të vijnë tek Unë, se e tyrja është Mbretëria e Qiejve”

Këto fjalë të Zotit Iisu Krisht do të shërbenin si burim inisiative për nisjen e një veprimtarie nga grupi i grave orthodhokse të Tiranës e pikërisht për hapjen e një përkujdesjeje ditore fëmijësh. Menjëherë, me ngritjen e një komiteti, filloi puna për të gjetur rrugët e realizimit të qëllimit të përcaktuar: “Ofrimi i një përkujdesjeje ditore të shëndetshme, të pranueshme dhe edukuese, për t’i ardhur në ndihmë prindërve që punojnë.” Por, ajo që do të përbënte dëshirën më të madhe të këtyre nënave, ishte që, krahas njohurive për zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve, të hidheshin hapat e parë në edukimin fetar të fëmijëve.

Shumë shpejt, nisma e këtyre nënave orthodhokse do të gjente përkrahjen e zyrës “Diaconia Agapes”, si mbështetje sociale dhe zhvilluese pranë Kryepiskopatës së KOASH, nëpërmjet projekteve të mbështetura nga agjensi të ndryshme të Këshillit Botëror të Kishave. Kështu, me financimin e këtij Këshilli u bë e mundur dhënia e një buxheti financiar dhe hapja në Tiranë, në tetor 1994, e përkujdesjes “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, me një kapacitet prej 26 fëmijësh, numër që brenda një kohe të shkurtër arriti në 67. Kjo nismë e grave orthodhokse të kryeqytetit u përkrah nga grupet e tjera në Durrës e Korçë, përpjekjet e shumta të të cilave e mbi të gjitha, dëshira e mirë, ndihmuan të krijoheshin kushtet për hapjen e përkujdesjeve të tjera, si ajo “Hyrja e Shën Marisë në tempull”, në Durrës dhe më pas një tjetër në Korçë.

Me rritjen e interesimit për këto përkujdesje, koordinatorja e projektit, motra Filothei, në bashkëpunim me anëtarët e zyrës së katekizmit, do të jepnin ndihmën parësore për sigurimin e bazës materiale didaktike, nëpërmjet ndihmës nga miq të huaj. Gjithashtu, nga kjo zyrë është bërë i mundur hartimi dhe botimi i manualeve ndihmëse për mësueset e përkujdesjeve. Dhënia e njohurive mësimore në lëndë të ndryshme, të mbështetura në programin edukativo-mësimor të hartuar nga Ministria e Arsimit, orët tërheqëse në anglisht nga priftëresha Fotini apo zhvillimi i lojrave argëtuese e puna në “qendra” nga Kristina Fundo, u kanë krijuar mundësi fëmijëve për të kaluar paradite të këndshme midis tyre dhe kërkesat të jenë gjithnjë e në rritje, duke e çuar numrin e të rregjistruarave në të tri përkujdesjet në rreth 200 fëmijë.

Tashmë ka hyrë në traditën e përkujdesjeve organizimi i shfaqjeve dramatizuese, programeve mjaft të pasura, veçanërisht në të kremtet e mëdha të Kishës sonë, ku organizimi dhe interpretimi i shkëlqyer nga fëmijët i realizimeve të bazuara në ngjarjet nga Dhiata e Re, janë pritur me kënaqësi të veçantë nga prindërit, klerikët, si dhe nga vetë Kryepiskopi Anastas, që ka qenë i ftuar në këto shfaqje.

Këta fëmijë do të jenë ata engjëjt e së ardhmes, që do të rendin kudo për të përhapur atë të vërtetë që ata filluan ta merrnin që të vegjël.

Kristina Hanxhari

Fëmijë në përkujdesjen ditore të Durrësit.