EmailFacebookKontakt

Kanë filluar punimet për Klinikën e re shëndetësore

– Investimet do të kalojnë shifrën 1 milion dollarë –

Prej kohësh, kishte lindur nevoja për zgjerimin e veprimtarive të Klinikës shëndetësore të Tiranës të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që deri tani e zhvillon punën në një ndërtesë private të marrë me qera. Kjo nevojë na udhëhoqi, me bekimin dhe drejtimin e Kryepiskopit Anastas, në kërkimin dhe blerjen e një shtëpie të vjetër, në një truall 500 m2, në Rrugën e Dibrës, përballë Klinikës Universitare të Stomatologjisë, pasi kërkesat drejtuar organeve shtetërore nuk dhanë fryte.

Zyra jonë e Shërbimit Teknik përgatiti studimin dhe projektimin për ngritjen në këtë truall të një ndërtese të re, me sipërfaqe të përgjithshme 1800 m2. Pas shumë përpjekjesh, u mor edhe leja e ndërtimit.

Ndërtesa do të përbëhet nga pesë kate dhe një kat i nëndheshëm. Nga pikëpamja e teknologjisë ndërtimore do të jetë moderne dhe me pajisjet e saj do të mbulojë kërkesat e mjekësisë bashkëkohore. Në të do të jenë repartet e specialiteteve: kardiologji, kirurgji, okulistikë, endoskopi, gjinekologji, urologji, patologji, pediatri, orthopedi, stomatologji, mikrobilogji dhe radiologji. Do të disponojë edhe shërbimin e ndihmës së shpejtë, ndërhyrjeve të vogla kirurgjikale, encefalogram, EKO, tomografi dhe farmaci. Në katin e fundit, do të ketë edhe dhoma banimi për mjekët e huaj që do të vijnë për të ndihmuar.

Për zgjedhjen e firmës ndërtuese u krye tenderi, të cilin e fitoi firma “Interalba”, që ndërton dhe Katedralen e Korçës. Punimet nisën në prillin e këtij viti dhe do të mbarojnë në shkurt 1997. Preventivi i Klinikës do të arrijë dhe, ndoshta, do të tejkalojë një milion dollarët, bashkë me pajisjet.

Për ndërtimin e saj janë dhënë kontribute nga vende të ndryshme. Kështu, pas apelit të Kryepiskopit, nga besimtarët orthodhoksë të Londrës u dhuruan për këtë vepër 9 milion lekë të reja dhe do të vazhdojnë të mbledhin ndihma etj.

Një klinikë e vogël po përgatitet, gjithashtu, në kompleksin ndërtues së Kishë së Shën Nikollës në Kavajë dhe shpresojmë të funksionojë brenda 1996-s.

Kërkojmë lutjet e të gjithë lexuesve dhe besimtarëve që, me ndihmën e Perëndisë, të tejkalohen të gjitha vështirësitë dhe problemet që shfaqen në fronte të ndryshme të punës sonë.

Zyra e Shërbimit Teknik

Kjo do të jetë trajta përfundimtare e klinikës së re