Falë fillimit të proceseve demokratike, kufinjtë e Shqipërisë u hapën me botën dhe shqiptarët nisën rrugët për t’u lidhur me të për të kërkuar një jetë më të mirë. Në këtë rrugë gjetën edhe mjaft njerëz shpirtmëdhenj që u kishin paraprirë.
Eshtë e dhimbshme të ndahesh me atdheun, me vendin e shtrenjtë e të shenjtë me të cilin të lidhin mijëra kujtime. Kështu ndodhi në fillim të shekullit tonë me prindërit e Xhon Xhosef. Kjo familje shqiptare orthodhokse u vendos 80 vjet më parë në qytetin e Bostonit. Çifti Xhosef lindi shumë fëmijë dhe të gjithë u rritën me frymën e së mirës, me ndjenjat patriotike dhe besimin e thellë tek Zoti. Para se të vdiste babai, tregon Xhoni, na tha: “Mos harroni, bijtë e mi, se rrënjët i kemi atje, në Shqipëri” dhe nga sytë e tij rrodhën lot, ishin lotët e mallit për nënën Shqipëri.
Para një viti dy bashkëshkatdhetarë në një gazetë shqiptare në Boston kanë shkruar për shqiptarin me zemër të madhe Xhon Xhosef. Duke i respektuar të dy zotërinjtë edhe unë po i vë shkrimit tim po atë titull. Kam porositë e shumë miqve dhe mikeshave të mia shqiptare në Boston që të shkruaj për Xhonin dhe më vjen keq, se a do jem e zonja të shpreh atë mirënjohje të thellë dhe atë respekt të madh që gëzon ky shqiptaro-amerikan, që i është përkushtuar me tërë forcën e mendjes dhe të shpirtit kishës së “Shën Trinisë” dhe shqiptarëve të Bostonit.
Me Xhonin u njoha një ditë të ftohtë dhjetori të vitit 1993. Ishte ditë e diel. Ndjenja një nevojë të brendshme për të shkuar në kishë, për t’u falur. Në hyrje të kishës pashë një burrë të gjatë të veshur me kostum gri. “Mirë se erdhe zonjë”, më tha dhe më dha dorën. Pashë një fytyrë që të ngjallte respekt dhe dy sy të qeshur që rrezatonin mirësi. Predikimi nga prifti shumë i respektuar i kishës sonë, At Vasil Xhorxh u bë në të dy gjuhët e bukura në anglisht dhe në shqip. Kisha për ne u bë si shtëpia e nënës dhe Xhoni u bë i afërt dhe i shtrenjtë, pasi ai jetoi dhe jeton me hallet tona.
Kështu, Guri Stefani, kur flasim për Xhonin, tjetërsohet. Ai flet me respekt e mirënjohje, pasi Denisi i tij 15-vjeçar, në sajë të kujdesit të Xhonit, u operua nga sytë, për të parë atë botë të bukur që e rrethon në Bostonin e bukur, për të mësuar dhe për të ecur në jetë.
Si mund të harrojë Laura. Prifti kujdesen e tij prej babai. Tani ajo, me interesimin e Xhonit punon e qetë dhe e lumtur pasdrekave, duke studjuar paradite.
Si mund të harrojë ajo familje shqiptare që iu dogj shtëpia dhe gjeti strehë, bukë dhe zemër në familjen mikpritëse të Xhonit?
Xhon Xhzefin ne e kemi pranë halleve dhe gëzimeve tona. Ai shoqëroi shumë shqiptarë si përkthyes në zyrat e administrates për ndihmat emergjente. E, kështu shoqëroi edhe dhjetra të sëmurë në klinika të specializuara të Bostonit.
Xhoni të gjitha këto i bën ashtu natyrshëm dhe qetë, si njeri i përkushtuar i Perëndisë që është.
Të gjithë ne shqiptarët, që kemi gjetur ngrohtësi e përkrahje në Kishën e Shën Trinisë, falenderojmë me zemër e shpirt Xhonin tonë të dashur. Duke i uruar shëndet e mbarësi atij dhe familjes.
Ajo kishë na bashkon në lutjen për të madhin Zot, na mëson ta duam, ta ndihmojmë dhe ta nderojmë njëri-tjetrin. Në atë kishë mblidhemi dhe për të përkujtuar festat tona kombëtare.
Me këto radhë të shkruara thjesht duam që të japim një ndihmë sado të vogël që besimtarët orthodhoksë dhe mbarë populli shqiptar ta njohin këtë shqiptar me zemër flori.
Edhe një herë faleminderit Xhon dhe qofsh i lumtur dhe i bekuar.
Nga një grup shqiptarësh me banim në Boston
Dorotea Prifti
Lame Prifti
Guri Stefani