EmailFacebookKontakt

Klerik i nderuar, njeri human dhe përparimtar

Mbështetur në hipoteza, si dhe duke u nisur nga disa anale e datëlindje njerëzish, për të përcaktuar themelimin e fshatit Qytezë, si fakt marrim datëlindjen e famulltarit të parë, të At Adham Anastasit, lindur në vitin 1825 dhe kishës, që caktohet skalitur në gur, 1830. Duke marrë si fakte këto data, fshati duket i vendosur në këtë luginë ku ndodhet sot, nga fundi i shekullit të XVIII. Dihet me siguri që familja e At Adhamit ka qenë vendosur në të që kur u krijua, disa breza përpara. Si e tillë ka pasur edhe toka relativisht më të mira nga të cilat merrte prodhime të kënaqshme. Kështu Anastasi, babai i Adhamit, mundi t’i dërgonte për studime dy djemtë e tij në Stamboll, në një shkollë teologjike. Rreth viteve 1850 ata u kthyen në Shqipëri. Njëri, Gavrili, u emërua igumen në Manastirin e atëhershëm në Vithkuq të Korçës, ku shërbeu tërë jetën dhe atje vdiq.

At Adham Anastasi, djali i dytë, filloi si prift i thjeshtë në kishën e Shënkollit në Qytezë, ku fitoi admirimin e gjithë fshatit dhe atyre që e njihnin. I thjeshtë, mirëdashës, i sjellshëm dhe i përgatitur jo vetëm si klerik. Gjithmonë shërbente pa shpërblim; nuk pranonte “nori” (kështu quhej paga e priftit). Edhe meshat që përdoreshin në shërbesa ua shpërndante fëmijëve që shërbenin në kishë dhe familjeve të varfra, shërbëtorëve, udhëtarëve etj.

Për meritat e tij si klerik, mbas disa vjet pune në fshatin e tij u propozua me detyra më të larta Mitropolinë e Korçës. Por, nuk pranoi të shkëputej nga fshati, ku qe i lidhur ngushtë me tokën. Si arsimdashës, donte patjetër t’i arsimonte djemtë e tij. Djalin e madh, Kriston e dërgoi në shkollën pedagogjike të Manastirit. Djalin tjetër, Anastasin, e dërgoi në Bukuresht. Atje kreu një shkollë dhe u aktivizua me Lëvizjen patriotike me Shoqërinë Drita dhe Dituria. U kthye në atdhe i mbrujtur me ato ide dhe mbeti gjithnjë patriot i shquar dhe shokë patriotësh të nderuar, nga fshati dhe më vonë edhe në SHBA.

Papa Adhami ishte tolerant ndaj besimeve të tjera dhe punonte për bashkimin kombëtar. Njerëzit i donte nga vetitë morale dhe virtytet e tyre. Për këtë gëzonte respekt dhe besim edhe tek fshatarët e elementit mysliman, sepse ishte njeriu me influencë, që mbante ekuilibër në raste grindjesh dhe mosmarrëveshjesh.

Një meritë po kaq të madhe kishte mbajtja e kodikut të fshatit, që në atë kohë bënte punën e administratës shtetërore, me vlerë të veçantë historike – shoqërore. Në atë regjistroheshin lindjet, vdekjet, martesat, doket, zakonet, ekonomia fshatare, buxheti, burimet financiare e shpenzimet kolektive, që nuk evidentoheshin në fshatra të tjerë më të mëdhenj. Atje do të gjendjen edhe shpërngulja e fshatit Qytezë për një kohë të gjatë në Zhuzhal (vargmali i Pindit), nga përndjekjet e pushtuesve osmanllinj dhe kthimi prapë në fshat.

Mbas vdekjes së Papa Adhamit, më 1916 dhe djalit të tij, familja mbeti nën kujdesin e nuses së djalit dhe tri nipërve, të pazotë për t’i dalë zot arkivit e bibliotekës së tij, mjaft të pasura për atë kohë, midis të tjerash edhe një libër në pergamen me vlera të veçanta dhe objekte personale, sende argjendi, ikona të vjetra. Të gjitha këto u përvetësuan nga të tjerë. Bashkëshortja e të birit të priftit, që mbeti midis hallesh familjare, tregonte se në vitet ’30 një i dërguar gjoja me autorizim nga qeveria e atëhershme kërkonte Kodikun dhe librat për t’i “ruajtur”, por sipas asaj, atij nuk iu dha asgjë, sepse edhe nuk kishte se çfarë t’i jepej. Ato pak që mundi të ruajë ajo edhe bijat e priftit u “masakruan” nga dy kontrolle që iu bënë asaj familjeje më 1956, kur u arratis një nip dhe nga një kontroll tjetër në 1976, në kuadrin e luftës së klasave. Duke mbetur si kujtim i tij i vetëm një kryq, që hidhej në lumë ditën e Ujit të Bekuar.