“Ashtu siç shohim piktorët të punojnë me shumë kujdes ikonat dhe statujat, kështu dhe çdo prind të kujdeset për këto statuja të mrekullueshme, fëmijët e tij.
Çdo ditë, piktorët vendosin përpara tyre tablonë dhe pikturojnë siç duhet. Të njëjtën gjë bëjnë dhe skulptorët, heqin pjesën e tepërt dhe shtojnë atë që duhet. Kështu edhe ju, sikur ndërtoni disa statuja, jepni gjithë kujdesin tuaj për t’i bërë fëmijët statuja të mrekullueshme për hirin e Perëndisë”.
J. Gojarti
1. Hipotezat
a) A ndikon edukimi fetar në lirinë e fëmijës?
Disa prindër, veçanërisht sot, refuzojnë t’u japin edukimin fetar fëmijëve, me pretendimin se nuk duan të ndikojnë në lirinë e tyre. Thonë “kur të rritet, le të zgjedhë vetë fëmija”. Nëse ngulmojmë në vitet e para për një edukim fetar, më vonë nuk do të mund të kundërshtojë, sepse besimi do të ketë kaluar në ndërgjegjen e tij dhe do të jetë bërë i pashlyeshëm.
Pra, nga respekti për zgjedhjen lirshëm në të ardhmen, nuk kemi të drejtë t’i japim një edukatë fetare në moshën parashkollore dhe shkollore!”
Për këtë lloj pretendimi, duhet të theksojmë: Së pari, fëmija nuk është akoma i lirë, siç nuk është dhe i arsyeshëm, d.m.th nuk ka të zhvilluar akoma llogjikën. Por, si njeri, ka prirjen të bëhet një krijesë e lirë dhe e llogjikshme. Ndaj, prindërit janë ata që duhet të udhëheqin fëmijën e tyre në rrugët e lirisë dhe llogjikës. Pa prindërit, fëmija nuk do të kryejë asnjë veprim të një lirie të vërtetë. P.sh, femija nuk zotëron të drejtën të lindë apo të mos lindë! As është i lirë për të zgjedhur kohën e lindjes së tij, seksin e tij, trashëgiminë, mjedisin etj. Fëmija nuk është i lirë të vendosë, nëse do të shkojë në shkollë apo jo, por duhet dhe mund të zotërojë lirinë e tij. Ky është qëllimi i edukimit. Nuk ekziston liri “boshe”, por vetëm liri që fitohet me edukim. Gjithashtu, kur femija merr një edukim fetar në moshën e femijërisë, nuk do të thotë se në moshën e pjekurisë do të bëhet detyrimisht besimtar i ndërgjegjshëm. Shembuj të tillë janë shumë. Duhet thënë se mosha e parë e fëmijërisë nuk përcaktohet nga një edukatë fetare, por përcaktohet nga mungesa e saj. Mungesa e edukatës fetare është dhe kjo një edukim i fortë, që ndikon në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin e fëmijës në të ardhmen.
Nuk zvogëlohet liria e fëmijës duke i dhënë një edukim fetar. Përkundrazi, më vonë, me një edukim të tillë, do të mund të bëjë një zgjedhje të lirë. Edukimi i vërtetë rekomandohet për t’i dhënë fëmijës të gjitha mundësitë e zhvillimit. Ndaj, ta orientojmë në të gjithë sektorët e jetës, duke përfshirë dhe fenë që është një nga burimet e thella të ndërgjegjes njerëzore. Fëmija, të cilit i është shteruar përvoja fetare, më vonë do të jetë një krijesë e pazhvilluar, sepse do t’i mungojë vlerësimi i vërtetë i jetës dhe i botës.
b) Mos është akoma shumë shpejt?
Prindër të tjerë mbështesin idenë se, në foshnjëri dhe femijëri nuk shtrohet tema e edukimit të krishterë, pasi foshnjat dhe fëmijët nuk kuptojnë. Por, këtu nuk shtrohet tema e arsimimit, por zgjimi i parë i ndjenjës fetare. Në metodologjinë e edukimit fetar të femijëve, siç do të shikojmë, nuk është i mundur mësimi teorik. Nuk duhet të harrojmë rëndësinë e madhe të moshës së parë fëminore për formimin e personalitetit. I rrituri ekziston si fara brenda foshnjës.
Këto vite, që nuk lenë pothuajse kujtim të qartë, formojnë subkoshiencën, këtë pjesë të errët të vetes, që ndikon në të gjithë jetën tonë në mënyrë të pakontrolluar. Sigurisht, foshnja nuk kupton, por ndjen dhe brumoset nga përvoja e mjedisi. Eshtë një “kompjuter miqësor” që kopjon vazhdimisht përvojat e jetës, p.sh., mëson të buzëqeshë, sepse nëna e tij buzëqesh etj.
Siç do të shohim, në të njëjtën mënyrë duhet dhe mund të bëhet një edukim fetar tek foshnjat. Nuk është nevoja që prindërit të mësojnë foshnjën të lutet, por ata duhet të jetojnë sa më drejt, të luten para tij. Zakonet fetare të të mëdhenjve zgjojnë tek femija ekzistencën e fshehtë të Perëndisë. Veçanërisht, shfaqjet e dashurisë dhe përkushtimit të prindërve, shënojnë te fëmija një përvojë që do ta favorizojnë më vonë në besimin tek Perëndia At.
2. Ndjenja fetare
a) Instikti i lindur i nevojës së Perëndisë te femija:
Edukimi fetar i femijëve i përgjigjet natyrës njerëzore që është fetare që në fillim. Njeriu është krijesë fetare ose siç thoshte Tertiliani, “shpirti i njeriut është nga natyra i krishterë”. Pra, edukimi fetar vjen për të kënaqur këtë nevojë të lindur të njeriut për Perëndinë. Kjo nevojë shfaqet me tendencën që ka njeriu të adhurojë diçka dhe është e qartë tek fëmijët. Prandaj, mund të themi se “nuk ka fëmijë pa ndjenjë fetare”!
b) Zhvillimi i ndjenjës fetare:
Ndjenja fetare ose nevoja e Perëndisë tek femija shfaqet dhe zhvillohet gradualisht, në bazë të zhvillimit psikofizik. Besimi i femijës kalon në këto faza:
Faza e parë: përfshin vitin e parë të moshës fëminore. Në këtë fazë nuk ekziston pavarësi besimi tek fëmija. Besimi i fëmijës përputhet me atë të nënës së tij.
Faza e dytë: lëkundet ndërmjet vitit të dytë dhe të tretë. Eshtë faza e “lutjes imituese”. Fëmija fillon të imitojë nënën e tij që lutet. Meqënëse fëmija identifikohet me nënën e tij, lutet se lutet nëna e tij ose siç ia ka treguar ajo.
Faza e tretë: karakterizohet si pro-magjikë dhe përcaktohet ndërmjet vitit të tretë dhe të katërt. Pas vitit të tretë, fëmija fillon të dallojë për nga besimi me nënën e tij. Në këtë moshë fëmija fillon të ndjejë më shumë rolin drejtues të babait brenda në familje. Ky ndryshim i jep përmasa të reja besimit të fëmijës. Tani fëmija fillon të shikojë pamjen e Perëndisë tek fytyra e babait.
Faza e katërt: – magjike – përfshin moshën 4-5 vjeç. Në këtë moshë Perëndia paraqitet në mendimin fëminor si e mbinatyrshme dhe fuqi magjike.
Faza e pestë: dhe e fundit, përfshin moshën shkollore, d.m.th. nga 6 vjeç e sipër. Në këtë fazë pamja e Perëndisë paraqitet më e qartë në mendimin e fëmijës (Perëndia që do dhe mbron etj).