Ekziston historia e një njeriu që kishte pesë djem, të cilët grindeshin vazhdimisht me njëri-tjetrin. Një ditë, i lodhur nga grindjet e tyre, babai i kërkoi atyre t’i sillnin një tufë me shkopinj. Duke drejtuar tufën me shkopinj ndaj djalit më të madh, babai e urdhëroi: “Thyeje atë”. Djali u përpoq të thyente tufën e shkopinjve, por pa sukses. Një nga një djemtë e tjerë morën të njëjtin urdhër nga babai, por asnjëri s’arriti ta thyejë tufën e shkopinjve. Përfundimisht, babai e ndau tufen e shkopinjve dhe u drejtoi nga një shkop secilit prej tyre. “Thyejeni atë”, u tha ai përsëri atyre. Të tërë i thyen shkopinjtë me pak forcë. “Bijtë e mi”, tha ai. “Nëse ju qëndroni një, ju do të keni forcën e kësaj tufe. Nëse do të ndaheni, ju do të thyeni aq lehtë sa dhe shkopinjtë në veçanti.”
Në Ungjillin e Shën Joanit 17:12, Jisui i lutet Atij dhe thotë, “Mbroji këta dishepuj në emrin tënd, që ata të jenë një, sikurse dhe ne jemi një.” Që ata, dishepujt e mi, mund të jenë një, sikurse ne, Iisui dhe Perëndia Atë, janë një! Unë do të flas rreth kësaj teme, të të qenurit një, së pari me Perëndinë, së dyti të qënurit një me njëri-tjetrin, dhe së treti një me tërë njerëzimin!
Qëllimi i jetës sonë, si të Krishterë Orthodhoksë është të bashkohemi me Iisu Krishtin, të bëhemi një me të. Shumë herë në Ungjill Shën Pavli thotë: “Nuk jam unë që jetoj, por Krishti që jeton tek unë”. “Unë kam mendjen e Krishtit”. Shën Thanasi tha, “Perëndia u bë njeri, me qëllim që edhe ne të bëhemi një me Perëndinë.”
Ky është principi më i rëndësishëm i jetës së krishterë. Ungjilli thotë ne duhet të jemi të sigurt që jemi me Krishtin, nëse “ne ecim sikurse eci dhe ai”. (I Joani 2:6). A e imitojmë ne Krishtin në jetën tonë? Kur pjesëtarët e familjes dhe miqtë tanë, shikojnë tek ne, a shikojnë ata Krishtin? Nëse jo, atëherë ne nuk jemi bërë një me Të, pra nuk kemi përmbushur qëllimin tonë të jetës.
Së bashku me njëshmërinë me Perëndinë, ne duhet të mundohemi të bëhemi një me njëri-tjetrin. Sa shpesh dëshmia jonë e krishterë është penguar nga mungesa e bashkimit midis të krishterëve. Krishti u lut për pasuesit e Tij të ishin një, që nënkupton për ne, ju dhe unë, ju dhe ju, të jeni një! A ka ndonjë ndarje midis nesh, midis rinisë, midis grupit të grave, midis punëtorëve të Kishës, midis besimtarëve? Nëse ndonjëri nga ne ka vështirësi me dikë tjetër këtu, nëse ne nuk jemi në “bashkim” me ta, atëherë le të përpiqemi sot të ndjekim fjalët e Krishtit, të kërkojmë për falje, të kërkojmë një paqe të thellë të fundme.
Së bashku me ndjeshmërinë tonë me Perëndinë, dhe ndjeshmërinë me njëri-tjetrin, ne gjithashtu, duhet të mundohemi për ndjeshmërinë me njerëzimin, me tërë fëmijët e Perëndisë – Orthodhoksë, Katolikë, Protestantë, Muslimanë, Ateistë, me njerëz të partisë demokratike, partisë socialiste, apo çfarëdo partie tjëtër, me të varfërit, të sëmurët, arixhinjtë, me atë që janë duke vdekur, ata në burg, me ata të harruar nga shoqëria. Tërë njerëzit janë fëmijët e të njëjtit Perëndi, dhe si rrjedhim ne duhet të mundohemi të lidhemi me ta, t’i njohim dhe të bëhemi një me ta.
Një nga ngjarjet më të bukura që ndodhi në seminar në Durrës vitin e kaluar ishte një kurs praktik mbi kujdesin baritor. Ky ishte një kurs, ku tërë studentët e vitit të tretë do të shkonin çdo jave për të vizituar një azil në Kavajë, një shkollë handikapatësh në Durrës, ose një një spital të zonës. Para se të fillonim këtë kurs, asnjë prej studentëve nuk kishte qenë më përpara në një azil. Shumë prej tyre pyetën pse duhet t’i vizitonin këta njerëz. Ata, menduan se këta njerëz nuk dëshironin të shqetësoheshin. Ata, mësuan shumë shpejt diçka të ndryshme.
Nga vizita e parë, këta studentë takuan njerëz të cilët ishin të braktisur nga familja dhe shoqëria. Ata ishin të vetmuar, të dëshpëruar dhe të depresionuar. Ata ndiheshin si të parëndësishëm dhe se bota i kishte harruar. Dhe përsëri, ata ishin njerëz të këndshëm – njerëz që mund të qeshnin, qanin, këndonin dhe të ndanin histori të bukura. Disa prej tyre ishin njerëz të zgjuar, të cilët sapo kishin patur një jetë të vështirë. Të tjerë kishin aq dituri dhe dashuri të sinqertë për të ndarë. Studentët ngadalë u bënë miq me ta dhe mezi prisnin të vizitonin azilin, ndërsa të moshuarit prisnin me ankth për vizitat e tyre.
Këtu është një nga kuptimet e lutjes së Iisuit, për dishepujt të jenë një. Ne duhet të lidhemi me të vuajturit, të vetmuarit, dhe të shikojmë që ata janë vëllezërit dhe motrat tona.
Le të mendojë secili prej nesh në mënyrë konkrete në lidhje me këtë. Dhe për lypësit që rrinë ulur çdo ditë në rrugë. Sa prej nesh ecin pranë lypësve të njëjtë javë pas jave, pa i folur asnjëherë, pa pyetur për emrat e tyre, pa gjetur diçka të veçantë tek ata. Të tërë janë njerëz të veçantë, ata nuk janë thjesht lypësa. Të tërë kanë një histori unike dhe secili është fëmijë i Perëndisë sonë. Krishti na bën thirrje të jemi një me secilin prej tyre!
Një ngjarje e bukur ndodhi me rininë e Kishës sonë. Disa muaj më parë, rinia përgatiti një drekë të veçantë në shtëpinë e tyre të rinisë për këta lypësa jashtë Kishës. Rinia, sidoqoftë, nuk u dha atyre thjesht një drekë, por ç’ka ishte më e rëndësishme, bisedoi me ta, mësoi emrat e tyre, i pyeti për familjet dhe u bënë miq me ta. Disa nga të rinjtë më vonë vizituan shtëpinë e një çifti lypësish për ditëlindjen e fëmijës së tyre. Nëse ju do të shkonit me gëzim dhe mirënjohjen në fytyrën e këtij çifti me vizitën e të rinjve, ju do të shikonit një shkëndijë të gëzimit në qiell. Këta të rinj kanë vizituar të njëjtën shtëpi disa herë. Tashmë këta lypësa nuk janë me lypësa, ndaj të cilëve mund të hidhen 10 lek, por janë njerëz, fëmijë të Perëndisë. janë vëllezërit dhe motrat tona. Kjo është ç’ka nënkupton të jesh një me njerëzimin.
Iisui u lut, “O At i shenjtë, lëri ata të bëhen një sikurse ne. “Sot le të mundohemi të bëhemi një me Perëndinë, një me njëri-tjetrin, këtu në familjen Orthodhokse dhe gjithashtu, një me tërë njerëzimin!
Krishti është me ne!