Nga 10-13 maj, në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, nën kujdesin e Organizatës Studentore Orthodhokse (HFE), u zhvillua konferenca e rinisë orthodhokse me temë “Të rinjtë dhe misioni ierapostolik, përgjegjësi dhe dëshmi”, kushtuar apostujve të shenjtë Qirilli dhe Metodi.
Mes përfaqësuesve nga vende si Greqia, Rumania, Bullgaria, Mali i Zi, Çekia, Rusia, Uganda etj., mori pjesë dhe një grup të rinjsh katekistë nga organizata rinore orthodhokse “Bij të Dritës”. Pas prezantimit të të rinjve pjesëmarrës, në ditët e konferencës u diskutuan një seri temash, si “Karakteri ierapostolik i kishës dhe të rinjtë sot” nga arqimandriti Ilia Mastrojanopullos, “Shën Qirilli dhe Metodi si modele të misionit ierapostolik”, nga episkop Kristofor i Moravisë, “Ngjallja e Krishtit”, “Nisja e misionit ierapostolik”, nga episkopi Pavël Anderson i Thrakisë, si edhe tema e trajtuar nga mitropoliti i nderuar i Ugandës, Theodhor Naukyama.
Në konferencë u lexuan dhe përshëndetjet e kryepiskopëve të vendeve pjesëmarrëse, midis të cilëve dhe ajo e Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, me rastin e zhvillimit të kësaj konference mbarorthodhokse mbi ierapostolinë.
H. Xh.