Çfarë na thotë, pra, mjekësia? A është në të vërtetë embrioni pa shpirt, pa jetë të vet të pavarur? Eshtë pjesë e trupit të nënës së vet dhe kësisoj ajo ka të drejtë ta trajtojë si të dojë, apo është një jetë krejtësisht e pavarur, që thjesht gjendet në marrëdhënie vartësie ushqimi nga ambjenti i trupit amë, siç kemi të gjithë vartësi ushqimi nga mjedisi natyror?
a) Kur fillon jeta në embrion?
1. Embrioni është pjesë e trupit të nënës deri sa të lindë, thonë proabortistët. Nuk i njohin embrionit jetë autonome dhe rrjedhimisht nuk ka as të drejtën e mbrojtjes!
Kur fëmija lind para kohe, në shtatë apo pesë muaj, në sajë të shkencës bashkëkohore mund të jetojë. Sepse ushqehet në mënyrën e duhur. Çfarë logjike mund t’i qëndrojë pretendimi se në barkun e nënës është një copë mishi dhe jashtë tij jetë dhe person?
Ashtu si parazitët dhe mikrobet, që jetojnë brenda dhe nga trupi i një gruaje, nuk janë pjesë të trupit të saj, ashtu ndodh edhe me embrionin.
Çdo diskutim në lidhje me këtë temë mori fund kur u krijua fëmija e parë në epruvetë. Këto ka konstatuar në vija të përgjithshme mjekësia bashkëkohore.
Por, në të shkuarën e afërt çështja ishte e errët. Mjekët e SHBA në atë kohë pretendonin se jeta në embrion fillon pas plotësimit të 12 javëve nga dita e konceptimit. Kjo pikëpamje, solli si rezultat, që një numër kolosal abortesh kryhet para se të plotësohen 12 javët e jetës (91% e numrit të përgjithshëm). Eshtë e qartë se kjo ndodh ngaqë ndërgjegjja e njeriut nuk e pranon lehtësisht se njeriu i ardhshëm është brenda barkut të nënës “një copë mish” që mund ta “heqësh qafe” sipas dëshirës.
2. Ky problem preokupoi shumë edhe mjekët, edhe ata që bënin abortin, edhe ata që ishin të detyruar të bashkëpunojnë ose të bien dakort qoftë edhe me një shenjë të vetme. Sepse jeta është çështje shumë e shenjtë. Çështja e aborteve nuk mund të kufizohet tek ata që e kryejnë. Eshtë çështje e ndërgjegjes morale ndërnjerëzore. Dhe ndërgjegjja nuk pranon veprime të papërgjegjshme.
Shumë shkencëtarë u problematizuan moralisht. Pas kërkimesh shkencore serioze kuptuan se çfarë po bënin. Dhe nga proabortistë, u bënë kundërshtarët më të guximshëm të aborteve dhe deontologjisë së tyre.
3. Një shkencëtar i tillë ishte doktori gjinekolog amerikan Bernard Nathanson, ish-drejtor i një klinike Speciale për aborte. Nathanson kishte bërë gjashtëdhjetë mijë (60.000) aborte brenda dy vjetësh! Por i shqetësuar nga pyetje rreth drejtësisë të veprimeve të tij, përdori mjetet e teknologjisë bashkëkohore (ultratinguj, kontroll elektronik i zemrës së embrionit, embrionoskopi etj.) në vëzhgimin e çështjes: Çfarë jete paraqet embrioni? Kur fillon kjo jetë?
Pas kërkimeve Nathanson e kuptoi. Dhe deklaroi “sot fakti se embrioni është qenie e veçantë njerëzore, me të gjitha karakteristikat e veçanta personale, nuk është më çështje besimi”. Kërkimet e tij provuan se kjo përbën një të vërtetë të qartë shkencore. Embrioni është figurë e plotë njerëzore.
Për argumentimin e konkluzioneve Nathanson bëri xhirim kinematografik të abortit të një embrioni 12 javësh. Ky filmim, që titullohet “Klithma e heshtur” (The silent scream), provon se embrioni a) parandjen kërcënimin e mjetit kriminal të abortit dhe b) maniferston ndjenjën e rrezikut. Ai 1) lëviz në mënyrë të dhunshme dhe të zhurmshme, 2) shtohen të rrahurat e zemrës së tij nga 140 në 200, 3) hap gojën e tij tej e tej si në një klithmë, klithmë të heshtur. Ky film shkakton një tmerr të tillë, saqë një doktor që kishte bërë vetë 10.000 aborte, që kur e pa nuk bëri më kurrë. Një pjesëtare e lëvizjes feministe, që punoi për xhirimin e filmit, e ndikuar nga ato që pa bëri një kthesë 180 gradë, ndryshoi qëndrim krejtësisht.
Pas këtyre pyesim: Ku qëndron “obskurantizmi” e fryma mesjetare? Kush i përfaqëson? Sidoqoftë, jo Kisha.
b) Shkenca ecën përpara
Sot, veçse, konkluzionet e doktorit B. Nathanson janë të vjetëruara. Janë tejkaluar. Mjekësia bashkëkohore ka bërë përparime galopante.
1. Ja çfarë na zbulojnë observimet:
a) në ditën e 18-të ka filluar të bëhet i ndjeshëm pulsi i zemrës së embrionit dhe është vënë në funksion sistemi i veçantë – i vet – i qarkullimit të gjakut!
b) në javën e 5-të dallohen qartë hunda, faqet dhe gishtërinjtë.
c) në javën e 6-të fillon të funksionojë sistemi nervor; dallohet qartë skeleti i tij dhe fillojnë të funksionojnë veshkat, stomaku dhe mëlçia e embrionit!
d) në javën e 7-të, te fëmija i palindur bëhen të ndjeshme valët encefalike (trunore), që janë kriteri kryesor, në bazë të të cilit shkenca bashkëkohore përcakton në se një person vazhdon të jetë në jetë. Fëmija e vogël i ka të gjitha organet, të brendshme dhe të jashtme, plotësisht të formuara. Ka sy, hundë, buzë, gjuhë.
e) në javën e 10-të fëmija e palindur ka të gjitha karakteristikat që i shohim qartë te foshnja pas lindjes së saj (9 muaj).
f) në javën e 12-të fëmija ka të gjitha organet plotësisht të formuara, madje edhe shenjat e gishtërinjve. Nuk mbetet më gjë tjetër veç zhvillimit! Embrioni në muajin e tretë ka kaq jetë saqë kthen kokën e tij, bën gjeste dhe lëvizje, shtrëngon grushtin e tij, gjen gojën dhe thith gishtin e tij!
– Vijon në numrin e ardhshëm –
Problemi i abortit është, më pare se “e drejtë e individit”, një çështje themelore shpirtërore. Duke abortuar një femër bën një dhunim të trupit të saj apo vret një krijesë të re të Perëndisë? Mënyra se si ky problem u trajtua në rrugë ligjore është krejtësisht amorale, sepse u vendos pa rezerve në favor të abortit.
Ndaj, në shkrimet e mëposhtëme dhe në atë që do të botojmë në të ardhmen do përpiqemi të njohim besimtarët orthodhoksë me të vërtetën dhe rrugën e drejtë që këshillon Kisha jonë Orthodhokse.