Të dielën, më 23 maj, Kisha e Kryeengjëjve në Varrosh të Gjirokastrës do të priste dhjetra e dhjetra fëmijë të krahinave përreth; prej Lunxhërisë, Dropullit, komuna e Kardhiqit etj., për të marrë pjesë në Liturgjinë e Hyjnore dhe në festën e mbylljes së mësimeve në kurset e katekizmit për vitin ’95 – ’96. Nuk do të mungonin edhe fëmijët që kanë ndjekur këto mësime nga Përmeti, Këlcyra, Saranda e Konispoli. Edhe kori i kishës do t’ia linte radhën korit të fëmijëve nga Derviciani dhe atij të fëmijëve të Përmetit.
Pas Liturgjisë Hyjnore të celebruar nga At Nathanaili dhe At Theodhori, përshëndeti të pranishmit hieromonaku At Dhimitër Sinaiti dhe teologu Simeon Kacibra. Pastaj nga të gjithë grupet u dha një koncert për të pranishmit. Fëmijët largoheshin duke marrë me vete dashurinë e Perëndisë, bekimin e Zotit dhe ngjalljen e shpresave të reja.