Pastaj u ngjit në mal dhe thirri pranë ata që deshi vetë; dhe ata shkuan tek ai. Dhe nga ata zgjodhi dymbëdhjetë që të rrinin me të, e që t’i dërgonte për të predikuar, e me pushtet për të shëruar sëmundjet, e për të nxjerrë demonët: Simonin, të cilit i vuri emrin Petër; dhe Jakovin, të birin e Zevedheut, dhe Joanin, vëllain e Jakovit, të cilëve u vuri emrin Voanergjes, që do të thotë bij të bubullimës; dhe Andreasn e Filipin, e Vartholomeun, e Mattheun, e Thomain, e Jakovin e Alfeut, e Thadheun, e Simon Kananitin, dhe Juda Iskariotin, i cili dhe e tradhtoi.
Mark 3, 13-19).
Dhe si thirri të dymbëdhjetë nxënësit e tij, u dha atyre pushtet të nxirrnin shpirtrat e këqinj, dhe të shëronin çfarëdo sëmundje e çfarëdo lëngate.
Dhe emrat e të dymbëdhjetë apostujve janë këta: I pari Simoni që i thonë Petër, dhe Andrea vëllai i tij; Jakovi i Zevedheut, dhe Joani vëllai i tij; Filipi dhe Varthollomeu; Thomai dhe Mattheu taksambledhësi; Jakovi i Alfeut, dhe Leveu që u quajt me emrin Tadhe; Simon Kananeasi; dhe Juda Iskarioti, ai që pastaj e tradhtoi.
Mat. 10, 2-4
Kremtimi i 12-të Apostujve
(30 qershor)
Kremtohen dhe veç e veç, por ne, për t’i nderuar më shumë i kremtojmë së bashku më 30 qershor. Kremtimi së bashku filloi, ndoshta kur Perandori Kostandini i Madh ndërtoi në Kostandinopojë kishën e 12 Apostujve, e cila ishte njëkohësisht edhe mauzoleum ku ishin varrosur gati të gjithë perandorët bizantinë. Atje u varros edhe ai, në mes të arkivoleve të përgatitur të 12 Apostujve (atëhere shumica e tyre ishin ende bosh).
Kisha e 12 Apostujve, e llojit bazilikë, u dogj në një kryengritje në vitin 532 pas.Kr. Por, Perandori Justinian I (527-565) ndërtoi një kishë tjetër shumë të famshme midis viteve 536-546, e cila vinte e dyta pas kishës së Shën Sofisë për nga rëndësia dhe madhësia.
Pas pushtimit turk më 1453 u bë Kisha Patriarkale, por Sulltani Muhameti II (1451-1481) e shkatërroi, pasi ajo ishte simboli i perandorisë së mundur bizantine, pikërisht sepse në të ndodheshin varret e Perandorëve. Në vend të saj ai ndërtoi xhaminë e njohur me emrin e tij (Mehmedie). Kopja e kishës së 12 Apostujve është Katedralja e Shën Markut në Venecia.
Në derën e kësaj kishe të Konstandinopojës ishin shkruar emrat e 12 Apostujve: Petri dhe Pavli, Andrea, Jakovi i Zevedheut, Joan Theologu, Filipi, Vartholomeu, Thomai, Mattheu, Simoni, Marku dhe Llukai. Kjo nuk është sipas listave me emrat e tyre që gjejmë në Dhiatën e Re (Mattheu 10, 2-4 Marku 3, 16-19, Llukai 6, 14-16, Vepr. Ap. 1, 13). Kjo ishte sepse në grupin e të 12-tëve ishin numëruar, në vend të apostujve Jakov i Alfeut, Thadheu dhe Mathia, që kremtohen së bashku me 70 dishepujt, edhe Shën Pavli dhe Ungjillorët Marku dhe Llukai, për kontributin e tyre për Krishtërimin.
Në fillimet e Krishterimit 12 apostujt kremtoheshin të Dielën e Parë pas Pashkës.
Në ikonën përkatëse të apostujve, në qendër paraqiten Petri, Pavli dhe Joani, duke mbajtur në duar Kishën dhe gjithë të tjerët janë të vendosur në formë harku rreth tyre. Ata janë themeluesit e Kishës së krishterë – jo si ndërtesë, por si etër shpirtërorë. Edhe në ikonë ata janë të paraqitur sipas listës së shkruar në kishën e 12 Apostujve.