EmailFacebookKontakt

Të doni njëri-tjetrin sikundër unë ju desha juve

Kjo porosi hyjnore e Mësuesit, Shpëtimtarit dhe Zotit, Perëndisë sonë Iisu Krisht qëndron në themel të çdo shpirti me të vërtetë të krishterë; ajo ushqen, pastron e shenjtëron mrekullisht shpirtrat tanë; na bën të jemi të dhembshur me njëri-tjetrin, sikurse Krishti u dhembshurua për ne; na bën ta duam shenjtërisht njëri-tjetrin, ashtu si Zoti na deshi ne; na bën të sakrifikojmë për të Mirën, deri në vetmohim, me një dashuri të përulur, ashtu si Shpëtimtari u kryqëzua për ne me një dashuri të paskajshme, prej përulësisë më të thellë që ngjitet në lartësinë e qiejve.

Një pasqyrim i gjallë i kësaj dashurie të pastër për njëri-tjetrin, dashuri pa interes, është shfaqur nga besimtarët orthodhoksë në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, në prag dhe gjatë të kremteve të mëdha, duke nisur me Krishtlindjen, Ujin e Bekuar, Ungjillëzimin e Hyjlindëses, në Pashkë etj. dhe duke vijuar: Në hyrje të Kishës u vendos një arkë, me qëllim që nga të ardhurat që do grumbulloheshin prej besimtarëve, të krijohej mundësia të ndihmohen disa familje të vobekta.

Kjo ndihmë materiale do të përmirësonte edhe barrën shpirtërore të tyre, për të mos e ndjerë vehten fatkeqë e të brengosur, por për të menduar drejt se Zoti është mëshirëplotë, Ai është gjithmonë me njerëzit dhe vepron tek ne, duke forcuar shpresën, duke rritur ndjenjën e mirësisë dhe dhembshurisë. Mrekullisht është grumbulluar një shumë e konsiderueshme.

Siç duket, besimtarët, bashkë me lekët, kanë derdhur në kuti edhe lutjet e tyre të nxehta drejtuar Zotit Perëndisë sonë Iisu Krisht, që, siç bekoi 5 bukët për të ushqyer 5000 vetë që dëgjonin me etje dhe uri shpirtërore fjalët e Tij, të bekojë edhe ndihmat e mbledhura, për të ushqyer sa më shumë nevojtarë.

Ndaj duhen falenderuar thellësisht nga zemrat të gjithë besimtarët që dhanë një kontribut kaq të madh për motrat e vëllezërit e tyre, që për shkak të rethanave të vështira të jetës kanë nevojë për ndihmë materiale.

Duke i shërbyer të vobektëve, të gjithë besimtarët në Krishtin, i kanë shërbyer vetë Zotit, Perëndisë sonë. “Fata uri dhe më dhatë të ha, pata etje dhe më dhatë të pi i zhveshur isha dhe më veshët, u sëmura dhe erdhët të më shihni” – thotë Zoti ynë. “Çfarë i keni bërë nga këto vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua”.

Ndaj, urojmë që veprat e mëshirës dhe shpirti i dhembshurisë të mos ndahen kurrë nga ju, për të fituar përjetësisht ndriçimin e paqen e parajsës, që Zoti unë Iisu Krisht i ka premtuar të gjithë atyre që e pasojnë.

Korresp. i “Ngjalljes”