Në gazetën tuaj të datës 11 prill, është botuar shkrimi i B. Matraxhiut “Rikthehet problemi Marku. – Metodat mafioze të guerrilasve të Janullatosit”. Duke shprehur indinjatën e gjithë Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë, ju kujtojmë sa më poshtë:
1. Matraxhiu në mënyrë të përsëritur ka sulmuar e ofenduar Komunitetin Orthodhoks megjithëse vetë nuk është i këtij besimi. Komunikata e Shtypit për Nikolla Markun nuk është trakt, siç i pëlqen ta quajë, por një dokument i Zyrës së Shtypit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i destinuar për besimtarët. Ajo shtron qartë argumentat pse Marku nuk mund të konsiderohet klerik dhe pse shërbesat e tij janë njësoj si të kryheshin nga një laik dhe të pavlefshme. Si duket, atë dhe autorët dhe financuesit e vërtetë në prapaskenë të sakrilegjit të Elbasanit, i tremb ajo që afirmohet në Komunikatën e Shtypit:
Çdo veprim kishtar i kryer nga Nikolla Marku (pagëzim/martesë, përshpirtje etj.) është plotësisht i pavlefshëm dhe nuk njihet, e as ka për t’u njohur jo vetëm nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, por edhe nga asnjë Kishë Orthodhokse kanonike e botës.
2. Si dëshmi “të të drejtave” pastorale të Markut, Matraxhiu sjell një dokument (në anglisht!) të firmosur nga episkopi Petar, i dioqezës së Bitolës të “Kishës Maqedonase” skizmatike. Përveç pavlefshmërisë sipas Kanoneve të Shenjta të kësaj hirotonie, do të donim të theksonim, së pari, se nuk dimë që Elbasani të jetë ndonjë lagje e Bitolës Shkupit (Çdo të thuhej sikur presidenti i Maqedonisë të dëshirontë të emëronte autoritetet lokale të Elbasanit?). Dhe, së dyti, është vërtet qesharake të dëgjosh deklaratat “patriotike” të Markut, që, mbasi dështoi të hirotonisej në Shqipëri, në çdo shërbesë fetare thotë emrin e një episkopi sllav nga ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, nga i cili, në këtë mënyrë ceremoniale, deklaron se varet.
3. Për sa i përket legalitetit të Markut, kujtojmë se parim themelor i Kishës Orthodhokse është se asnjë episkop nuk mund të hirotonisë klerikë për një kishë tjetër, pa dijeninë e episkopit të njohur kanonik të asaj kishe. Nëse një prift ose dhiak shkon për të meshuar në një episkopatë tjetër, nga ajo në të cilën ai është dorëzuar, duhet që të kërkojë leje nga episkopi lokal, ndryshe ndaj atij merren masa. Për më keq, duke qenë se është hirotonisur nga një episkop i “Kishës Maqedonase” skizmatike, hirotonia e tij është shumëfish e pavlefshme, sepse ajo Kishë nuk njihet absolutisht nga asnjë kishë orthodhokse.
Matraxhiu, si njeri që nuk ka asnjë lidhje me orthodhoksinë, bën edhe ngatëresa të qëllimshme me rregulla e rregullore (të cilat nuk mundet th kuptojë, sepse nuk mund t’i ndjejë), duke harruar se ato vërtetojnë pikërisht të kundërtën. Ai i referohet nenit që flet për përzgjedhjen e klerikëve të kishës dhe injoron plotësisht të drejtën e vetos që ka episkopi lokal, në rastin konkret Kryepiskopi Anastas, i cili njihet si nga Qeveria Shqiptare, po ashtu dhe nga gjithë kishat e botës. Ndaj kujtojmë këtu, se nuk i takon matraxhinjve as aprovimi i priftërinjve, e aq më pak të episkopëve të Kishës sonë.
4. Përsa i përket “letrës” së At Spiro Velit, mjafton të lexohet protesta e indinjuar e familjarëve të tij ndaj kësaj letërsie pseudojuridike, si dhe të kujtohet se ishte Kryepiskopi Anastas që u ftua nga familja e të ndjerit për të kryer ceremoninë e tij të përmortshme. Kush e ka njohur At Spiron, e di se ai i shërbeu me besnikëri, duke e ndihmuar e përkrahur publikisht Kryepiskopin. Kështu, në Kuvendin Kleriko-laik, Durrës 1993, ai kish deklaruar se kishte njohur shumë Kryepiskopë, por asnjë që të kishte treguar aq dashuri, urtësi e shpirt sakrifice sa Fortlumturia e Tij Anastasi. (Por, edhe sikur të supozonim se letra do ishte në origjinale, atëhere do fë shtrohej pyetja: Pse Kisha Rumune nuk e mori përsipër hirotoninë e Markut?…).
Duke kujtuar se Marku nuk i ka për herë të parë manipulime të tilla, në letrën e botuar vërehet lehtë gjuha krejt e ndryshme nga ajo e një kleriku me stazh aq të gjatë, me të cilën është shkruar, si dhe gabimet fetare trashanike, si p.sh., në referimin ndaj Kanoneve të Shenjta të Apostujve (Kështu, Kanoni 43, që përmendet si fakt kundër Kryepiskopit, flet… për klerikët që ulin liguren e tyre duke luajtur bixhoz e duke u dehur…) etj.
5. Eshtë e habitshme të lexosh insinuatat politike të artikullshkruesit. Siç e ka deklaruar gjithmonë edhe Fortlumturia e Tij Anastasi, Komuniteti Orthodhoks nuk mbështet asnjë forcë të veçantë dhe nuk ngatërrohet në çështjet politikë, por mban qëndrim veç kur cënohet e drejta themelore e ushtrimit të lirë të besimit nga ana e besimtarëve orthodhoksë, të cilët, në çdo rast, janë të lirë të veprojnë sipas ndërgjegjes, si qytetarë të përgjegjshëm e të barabartë të vendit të tyre.
6. Pavlefshmërinë e veprimeve të kryera e demonstron qartë edhe mesazhi i Patmosit i kryetarëve të Kishave Orthodhokse (26 shtator 1995), ku theksohet me forcë: “Çdo eukaristi Hyjnore, e kryer nën drejtimin ose në drejtimin ose në emrin Episkopit kanonik të vendit, përbën boshtin dhe kriterin e gjithë jetës së Kishës…, për rrjedhojë, është e qartë se, që Eukaristia Hyjnore të jetë e vlefshme dhe shpëtuese për pjesëmarrësit, duhet të kryhet gjithmonë në emër të Episkopit kanonik dhe me lejen e tij; kjo, sepse mënyra e kryerjes së saj, duhet të përshtatet me natyrën dhe karakterin e saj si ikonë e Mbretërisë së Perëndisë dhe kuptimin final të qënieve”. Natyrisht deklarata është firmosur edhe nga Patriku i Rumanisë, Fortlumturia e Tij Teoktisti, i cili njeh autoritetin e plotë të Kryepiskopit Anastas, gjë që u afirmua edhe gjatë vizitës së Tij në Rumani kohët e fundit, i ftuar nga Patriku, për kremtimej me rastin e përvjetorit të Kishës Orthodhokse Rumune. Gjithashtu, të dy Hierarkët kanë midis tyre një letërkëmbim të rregullt e vëllazëror.
Shpresojmë se gazeta juaj do ta marrë parasysh të vërtetën dhe do ta botojë atë në faqet e saj.
ZYRA E SHTYPIT E KOASH
Tiranë, 20 prill 1996