Shembulli më i madh i durimit ndër mijëravjeçarët. Historia e tij shtjellohet në libri me të njëjtin titull të Dhiatës së Vjetër, që përbën një kryevepër të literaturës botërore. Pasardhësi i Isavit, bir i Zarsasë dhe i Vosorës, ishte i pesti që nga Avrahami (9 tetor) dhe jetoi rreth shekullit të XVII para Krishtit, midis Arabisë dhe Idumesë, vend në jug të Judesë (42.17b-17 c).
Më i drejtë se çdo njeri tjetër i vdekshëm sipas konfirmimeve të Savaothit e njëkohësisht i bekuar me çdo të mirë, iu dha djallit për t’u provuar dhe djafi e goditi pikërisht shpresëtarinë e tij ndaj Perëndisë, si leverdi, si rrjedhojë e natyrshme personale e përkrahjes hyjnore. Kështu, një lajmëtar i sjell Jovit (që quhej edhe Jovav) një mesazh fatkeqësie. Ndërsa ky i fliste, vjen një tjetër, pastaj një tjetër… Pas pak kohe, sovrani i lumtur Jovi, gjendet i ulur mbi pleh, i varfër, dhjetë fëmijtë e tij i kishin vdekur dhe i sëmurë. Qe i tëri një plagë që rridhte qelb! Por ai me shumë durim i përballoi këto – “Emri i Zotit qoftë i bekuar gjer në jetët”,- kështu që e turpëron satanain. Qorton të shoqen që e nxit të blasfemojë (1.1-2.10). Vijnë tre mbretër miq të tij për ta ngushëlluar, por së bashku me një tjetër e akuzojnë si mëkatar që po dënohet. Pra, diskutohet çështja e gjykimit hyjnor, domethënë përse të vuajë shpresëtari (ende ishte e panjohur jeta pas vdekjes, që vetëm Jovi e profetizoi në një vegim të tij).
Jovi (= i përndjekuri) i pafajshëm nuk i pranon gjithnjë hidhërimet si dënim (2.11-37.24). Atëherë i shfaqet i Larti nëpërmjet shtrëngatës, i zbulon se u provua që të dilte në pah virtyti i tij, dhe përmend madhërisht veprat e Plotfuqishmërisë së Tij, kështu që ai me përulësi pohon superioritetin dhe urtësinë e pakrahasueshme e të pakonceptueshme të Atij (38.1-42.6).
Së fundi, Perëndia i Tërëmirë i jep pasardhës dhe të mira të dyfishta para fjetjes së tij, në moshën 240 vjeçare (42.7-17). Jovi i drejti dhe i vuajturi përbën një shëmbëllim të Krishtit të Javës së Madhe, në shërbesat e së cilës këndohet libri i tij. Kremtohet edhe të Dielën e Paraetërve.