Nga e Diela e Dafinave dhe historia e Josifit të Dhiatës së Vjetër, deri tek e diela e Pashkëve, Kisha e Shën Gjergjit, e mbushur plot, dëshmoi përkushtimin dhe dashurinë e besimtarëve durrsakë për Zotin tonë Iisu Krisht, mirënjohjen e tyre për vuajtjet e Tij të parrëfyera, në emër të dashurisë për njerëzit. Liturgjitë Hyjnore të kryera nga At Petro e At Spiro u dëgjuan me dashuri e përkushtim nga të gjithë orthodhoksët.
Ditën e Premte, pranë besimtarëve që mbushnin Kishën brenda dhe jashtë saj, ishte Fortlumturia e Tij Imzot Anastasi. Përshëndetja e parë që Ai u drejtoi besimtarëve emoeionoi ata tek dëgjonin kryebariun e tyre.
Çaste tepër solemne. Epitafi stolisur me lule të freskëta gjendej në mes të kishës. Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas, me priftërinjtë e tjerë të Durrësit e të Tiranës, drejton Liturgjinë Hyjnore. Këndohen psalmet e vajtimeve nga dy kore dhe pas mbarimit të tyre nis procesioni i gjatë që shoqëron epitafin, simbolin e varrit të Krishtit. Në krye të këtij procesioni ishte Imzot Anastasi dhe pas tij vargu i gjatë e pafund i njerëzve. Fillimin dhe fundin e tij nuk mund t’i kapte syri. Dhe jo vetëm kaq, por grupe njerëzish, madje edhe të besimeve të tjera fetare, bashkoheshin me kortezhin që shoqëronte epitafin. Një ndalesë në themelet e reja të Katedralës së Ngjalljes dhe Tek Shën Asti dhe procesioni ecën. Qetësi dhe nderim për simbolin e varrit të Krishitit. Epitafi kthehet në Kishë.
Po kaq solemne qe dhe e shtuna. Lumenj njerëzish drejtoheshin drejt Kishës së mbushur plot; gjithashtu, plot ishin edhe oborri i saj, rruga dhe kodrat.
Durrsakët orthodhoksë dhe jo orthodhoksë, atë natë kishin një vendbanim të ri, ata kërkonin qetësinë e shpirtit, ata prisnin lajmin e mirë. Lajmi Krishti u Ngjall!, i shoqëruar me tingujt e këmbanave dhe nën dritën e mijëra qirinjve dhe të dhjetra fishekzjarreve bëri të shkëlqenin fytyrat e njerëzve. Tek Ngjallja e Krishtit ata shohin ngjalljen e shpresës, sepse Ngjallja e Krishtit është dashuri, është paqe, është dritë, është jeta e vërtetë.
Dhe duke çukitur vezët e kuqe njerëzit përhapnin lajmin e madh: Krishti u Ngjall! Vertet u Ngjall! Dhe lajmi përsëritej pambarim. Nën tingujt e himnit të fuqishëm dhe tepër emocional: “Krishti u Ngjall së vdekuri, me vdekje vdekjen shkeli”, njerëzit me qirinjtë ndezur ktheheshin plot shpresë në shtëpitë e tyre.
Elsa Hila