Për besimtarët orthodhokse të Elbasanit Java e Madhe e Pashkës filloi me të Shtunën e Llazarit. Gjatë tërë ditëve, nga mëngjesi gjer në mbrëmje, kisha në rindërtim e sipër “Shën Thanasi”, priti e përcolli mijëra e mijëra besimtarë. “Shën Thanasi” për besimtarët e qytetarët e Elbasanit është shenjti mbrojtës, mjeku i të sëmurëve, ndihmësi i të varfërve dhe ruajtësi i atyre që udhëtojnë. Qindra djem që shkojnë e kthehen nga emigracioni vijnë e i luten shenjtit të kishës.
– Nga e diela e Dafinës, që s’shihje ku të hidhje kokrrën e mollës e deri në Darkën Mistike të Enjten e Madhe, ceremonitë u kryen rregullisht nga At Gjergji e At Pavli dhe dhjakonët Jonaqi e Stavri. Shumë besimtarë pasi lexuan kujtesën e zyrës së shtypit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila u shpërnda kudo nëpër qytet, ikën nga kisha “Lindja e Shën Marisë”, në lagjen Kala dhe erdhën e u bashkuan me kishën e vërtetë.
– Dhimbja e pësimeve të Zotit tonë Iisu Krisht të Premten e Zezë sollën lot në sytë e besimtarëve, ku bashkohej me tingujt e këmbanës së kishës të Shën Kollit në Shelcan. Heshtje dhe këngë vajtimi mbi varr. Atë që së nxë bota u shtri në varr…
Në orën 22.00 të mbrëmjes në kisha u mbush përsëri me besimtarë. Tanimë ata nuk i nxuri kisha, as sheshi i gjerë rreth e rreth kishës, as edhe rruga. Ata vinin nga tërë qyteti dhe fshatrat përreth si Meliza, kryezjarrthi, Kuqani e Shën Joani. “Ejani merrni dritë nga drita që s’perëndon kurrë” ishte shpërthimi i gëzimit të madh. U ndezën nga qirinjtë, shandanët, dritat dhe fishekzjarret. Lajmi i mirë iu tha të gjithëve. Vezët u tokën me njëra-tjetrën dhe përshëndetja Krishti u Ngjall – Vërtet u Ngjall! mori dhenë. Krishti u Ngjall, Krishti është në mes tonë. Ç’mrekulli! A ka më bukur se të jetosh me Zotin!
Liturgjia Hyjnore vazhdoi gjer në mëngjes, ndërsa udhët ndritën nga qirinjtë, zemrat nga gëzimi i ngjalljes, sytë nga drita e besimit. Pashka e ndritëshme u festua në gjithë rrethin. Në kishën e “Shën Dhimitrit” në Fikas e në manastirin e Shën Joan Vladimirit hin At Pavli Qosja e dhjakon Jani Ranxha; në Shtërmen At Aleksandër Lushi e dhjakon Gjerasim Çakalli, kurse në Pashtresh At Kosta Pëllumbi dhe në Gjinar At Lefter Shqau.
Mbrëmësorja e dashurisë ditën e Pashkës u bë në themelet e ish kishës së Shën Kollit, ku së shpejti me bekimin dhe ndihmën e Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, do të fillojnë punimet për ngritjen e saj.
Ceremonia e daljes së Epitafit nëpër qytet ishte vërtet e rrallë. Kryqi, flamuri kombëtar dhe Trupi i Zotit Krisht u shoqërua nga pesë klerikë dhe më shumë se dymijë besimtarë nga Kisha e Shën Thanasit. Rrugës kortezhit iu shtuan edhe njerëz të tjerë fëmijë e të rinj. Në disa pika kryesore ndalimi, u bënë lutje të ndryshme. Ceremonia, e cila zgjati afro katër orë, u mbyll sërish në kishën e Shën Thanasit, për të pritur të Shtunën e Madhe.
– Liturgjia e Shenjtë të Shtunën e Madhe në mëngjes solli sërish besimtarët në kishë. Ata erdhën grupe-grupe si gratë miraprurëse me lot e vaj. Këmbana e re e kishës oshëtiu gjer matanë lumit të Shkumbinit e maleve përpjetë.
Dhiakon Stavri Çipi