Kremtimi i Pashkës në Dioqezën e Korçës ishte sa madhështor, aq edhe emocionues. E veçanta, ishte jo vetëm organizimi në një shkallë më të lartë se vitet e tjera, jo vetëm në kishat e katedralet e qytetit, dhe në shumë fshatra, por sepse për herë të parë Pashka u kremtua me madhështi edhe në katedralen e re të “Ngjalljes”, në të cilën po vazhdojnë punimet e fazës së dytë. Po kështu, e veçantë tjetër ishte koncerti madhështor i dhënë ditën e dielë në Katedralën “Burimi Tëtëdhënës” nga koret e kishës së “Shën Ilias”, Mitropolisë së Shenjtë dhe ai i kishës arumune të “Shën Sotirit”.
Java e Madhe e Pashkëve filloi me liturgji dhe mesha çdo ditë në të gjitha kishat e qytetit dhe të fshatrave. Pikat kulmore ishin e Enjtja e Madhe, ku u lexuan 12 ungjijtë dhe e Premtja e zezë (pësimet e Zotit Krisht, psalmet e vjatimit) besimtarë nga të gjitha kishat e qytetit, që shoqëronin Epitafin dhe që parapriheshin nga banda e qytetit. Koret e të gjitha kishave e bënin më hyjnore këtë ceremoni.
Eshtë traditë shekullore e orthodhoksisë në Korçë që Java e Madhe e Pashkëve festohet me madhështi, gjë që tregon kulturë e qytetërim të trashëguar brez pas brezi. Kulmore ishte ora 24.00 e ditës së shtunë, kur në të gjitha kishat e qytetit dhe të fshatrave u celebrua Ngjallja e Krishtit. Nuk mbeti njeri pa marrë pjesë në to. Një lumë i pafund besimtarësh me qirinj në duar merrnin dritë nga drita që s’perëndon kurrë dhe e shpinin nëpër shtëpitë e tyre.
Eshtë e papërshkruar kjo natë në qytetin e kulturuar dhe me tradita të lashta të krishterimit orthodhoks të Korçës. Të krijohej përshtypja sikur vetë Zoti ynë Iisu Krisht kishte ardhur me lavdi këtë natë në këtë qytet. Ky është ngadhënjimi i Iisu Krishtit Mbret. Gjithë qyteti gëzonte, sepse bashkë me besimtarët orthodhoksë e kremtuan këtë ngjarje edhe qytetarët e besimeve të tjera.
Ditën e dielë në të gjitha kishat e qytetit dhe fshatrave të dioqezës, besimtarëve iu lexua Mesazhi i Pashkës i Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastas, mesazh diturie, mirësie, vllazërimi, shprese dhe besim të pafundëm në Zotin e Ringjallur.
Në Mitropolinë e Shenjtë, mbas Shërbesës së Dashurisë dhe koncertit dinjitoz, u bënë vizita urimi nga përfaqësuesit e pushtetit lokal, deputetët, përfaqësuesit e partive politike dhe shoqatave të ndryshme. Erdhën për urim edhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare.
Kjo atmosferë e ngrohtë entusiazmi u shtua edhe më tempër kur At Jani Trebicka dha sihariqin e marjes në pronësi nga ana e KOASH-it të Manastirit të Ardenicës. Kemi besim se shpejt do t’i rikthehen Kishës të gjitha pronat e saj legjitime.
Thoma Piluri