EmailFacebookKontakt

MESAZHI I PASHKES 1996 – Drita e Ngjalljes vëllazëron të gjithë

Bij të shtrenjtë më Krishtin,

“Kryqi dhe Ngjallja e Zotit tonë janë bërthama e Ungjillit të krishterë. “Nëse Krishti nuk u ngjall, i kotë është predikimi ynë, i kotë është dhe besimi juaj… Por, tani Krishti u ngjall së vdekurish, u bë fryt i parë i atyre që kanë fjetur” (I Kor. 15, 14, 20). Prandaj dhe ne Orthodhoksët e kremtojmë aq solerinisht Pashkën. Ngjallja e Krishtit gjallëron dhe ndriçon jetën e të Krishterëve Orthodhoksë. Fryma, fuqia dhe gëzimi i Ngjalljes përcaktojnë mënyrën e të jetuarit Orthodhoks.

Kisha jonë në Shqipëri ka përjetuar persekutimin fetar më totalitar që ka njohur historia njerëzore. “Ajo zbriti gjer në Ferr”. Por, vitet e fundit, jeton në mënyrë intensive në atmosferë Paskale.

Me “Krishti u Ngjall”, filluam përpjekjet e para për rimëkëmbjen e saj; kaluam shtrëngata dhe kurthe që na u vunë në rrugën tonë.

Me “Krishti u Ngjall” në zemër, në mendje dhe në gojë, përpiqemi të mbështesim durimin, besimin e pritshmërinë e popullit dhe rrugën e tij në të ardhmen. Përpiqemi të jemi Kishë e Ngjalljes.

“Ditë e Ngjalljes, le të ndriçohemi, o popuj…” Ngjallja shpall triumfin e Krishtit:

Triumfin e dashurisë mbi urrejtjen, të së vërtetës mbi gënjeshtrën;
të shpresës mbi dëshpërimin dhe frikën;
triumfin e jetës mbi prishjen dhe vdekjen.

“Pashkë e Zotit, Pashkë! Nga vdekja në jetë dhe nga dheu në qiell, Krishti Perëndia ynë na ngriti me këngë mundëse”. Pashka e Zotit përcakton udhën e Kryqit dhe të Ngjalljes së individëve e popujve, me fuqinë dhe hirin e Krishtit të Kryqëzuar e të Ngjallur.

Ngjallja e Krishtit kryhet në heshtje. Dëshmitar autentik i saj mbetet bota e engjëjve, e cila më pas ruan varrin dhe njofton personalisht miroprurëset dhe apostujt e Krishtit. Vëllezër, ne e kremtojmë solemnisht Pashkën. Por, përvoja e Ngjalljes së Krishtit ka një dimension të brendshëm personal, që përjetohet në heshtje ngazëlluese. Ngjallja bashkekziston në mënyrë mistike në jetën e kryqëzuar më Krishtin. Krishti, i Cili është “ngjallja dhe jeta” (Joan. 11,25), ia dhuron atij që lidhet me Të, atij që bashkohet me Të, me hirin e mistereve, në trupin mistik të Kishës së Tij.

Por, përvoja e Ngjalljes përcillet me ngazëllim në takimin me njeriun e afërm, në vëllazërimin më Krishtin e ngjallur. Rrjedhojat e Ngjalljes dhe drita që ajo rrezaton, përqafojnë mbarë botën, jo vetëm një pjesë, një grup, një popull, një racë. “Ditë e Ngjalljes, le të ndriçohemi, o popuj…” Të gjithë popujt! “Ngjallja jote jetëdhënëse, o Zot, ndriçoi mbarë botën”, psallim me ngulm këto ditë. Ngjallja e Krishtit shpëton tërë gjininë njerëzore.

Drita dhe mesazhi i Ngjalljes nuk njohin kufij, por i vëllazërojnë të gjithë, i gjallërojnë të gjitha. Ai që nuk e pranon tjetrin si person, si grup, si komunitet të veçantë, si popull, ai e mohon frymën e Ngjalljes. Ai që e jeton Ngjalljen dhe përpiqet të jetë i bashkuar me Krishtin e Ngjallur, lufton për mirëkuptimin reciprok, për vlerësimin reciprok dhe vëllazërimin e njerëzve, në rrethin e tij të ngushtë, në atdheun e tij, në vendet fqinje, në mbarë botën.

* * *

“Ditë e Ngjalljes, le të ndriçohemi në festë…” Le të gëzohemi, pra, vëllezër, këtë Pashkë me sigurinë se fuqia e dashurisë së Krishtit ka fjalën e fundit në histori.

Le ta gëzojmë Ngjalljen si aspiratë të jetës sonë personale, të zhvillimit të shoqërisë sonë, si vizion të historisë botërore.

Le ta gëzojmë këtë Pashkë, duke u kujdesur që çdo mendim dhe veprim i yni të shkëlqejnë nga drita e Ngjalljes dhe ta transmetojnë frymën e saj në mjedisin tonë.

Pashka të ngazëllueshme! Me fuqinë dhe gëzimin e Ngjalljes brenda nesh. Krishti u Ngjall!

Me përqafim Paskal dashurie
+ Anastasi
Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë
Pashkë 1996