EmailFacebookKontakt

Besimtarëve orthodhoksë të Qeparoit u kthehet Kisha e Shën Kollit

Pas 28 vjetëve si depo e ushtrisë, Kisha e Shën Kollit të Porto Palermos iu kthye besimtarëve orthodhoksë të Qeparoit. Nuk përshkruhet gëzimi i asaj dite kur ajo u mor në dorëzim. Besimtarët e Qeparoit i drejtuan lutje e himne Shën Kollit, që ti ruajë e t’i mbrojë nga çdo rrezik dhe ata që morën pjesë në këtë ceremoni të gëzuar premtuan se do të ndihmojnë në rindërtimin e saj, sepse sot kisha ka vetëm të katër muret.

Dhe i ka hije kësaj kishe, që të zbukurohet e të bëhet monument kishtar, në atë vend piktoresk, që e gjitha natyra përrreth të buzëqeshë. Këtu, në të kaluarën, por edhe sot, strehoheshin të përndjekur nga stuhia peshkatarët me barkat e tyre. Këtu në këtë liman të bukur gjenin mbrojtje nga elementët e natyrës. Këtu gjenin mbrojtësin e detarëve, Shën Kollin dhe duke iu falur e duke i ndezur kandilet, e falenderonin për shpëtimin e tyre nga rreziqet e detit. Tani populli i Qeparoit dhe udhëtarët që shkojnë pranë saj, se kisha është në rrugën kryesore, do të gjejnë ngushëllim dhe do të bëjnë kryqin pa frikë.

P. Xh.