EmailFacebookKontakt

Nga Bota e Krishterë

Finlandë
Katedralja Uspenski

Në foto shikoni Kishën Katedrale Orthodhokse Fjetja e Virgjëreshës së Tërëshenjtë Mari në Helsinki. Në shekullin e XIX, kur u ndërtua Katedralja, Finlanda ishte dukat i madh i perandorisë ruse. Në fillimet e këtij shekulli, me shpalljen e Helsinkit kryeqytet të Finlandës, në vend të qytetit Turku që ishte deri atëherë, popullsia e qytetit e bashkë me të edhe grigja orthodhokse, u rritën shpejt. Lindi nevoja për një kishë të katërt orthodhokse. Deri atëherë Helsinki kishte pasur tre të tilla.

Në atë kohë Sinodhi i Shenjtë i Rusisë kishte punësuar arkitektin e famshëm kishtar, akademikun Aleksej M. Gornostayev, të cilit i ngarkoi projektimin e Katedrales së re. Caktimi i truallit më të përshtatshëm iu la në dorë të njëjtit arkitekt. Ai zgjodhi një vend pranë detit, majë shkëmbit mbi Katajanokka, i cili përbënte një sfond natyral të përshtatshëm për një Katedrale me tulla të kuqe.

Projektimi dhe ndërtimi i Katedrales zgjatën 11 vjet. Fillimisht, ishte shpresuar që fondet fillestare të siguroheshin nga taksat mbi kripën, sheqerin dhe duhanin, që atëherë shkonin për ndërtimin e kishave Orthodhokse dhe Luterane. Por, një fond i tillë nuk ishte i disponueshëm. Gjithsesi, shpenzimet përfundimtare u mbuluan pjesërisht nga Sinodhi i Shenjtë dhe Qeveria e Carit, ndërsa gjysma tjetër nga donacione të fisnikëve, qytetarëve të pasur dhe vetë grigjës. Kështu, Katedralja u përurua më 25 tetor 1868 dhe iu kushtua Fjetjes së Virgjëreshës të Tërëshenjtë Mari, “Uspenski”, në gjuhën slavonike.

Rumani
Patriku Teoktist, i kërkon falje për gabimet e kryera nga kleri gjatë 45 vjetëve të regjimit komunist

Gjatë një liturgjie në katedralen patriarkale Shën Spiridhonit në Bukuresht, ai i kërkoi ndjesë popullit besimtar për priftërinjtë që kishin devijuar nga misioni i tyre në të shkuarën dhe lavdëroi ata laikë tek të cilët veshjet shpirtërore shpesh kishin ndritur më tepër se ato të priftërinjve.

Patriku Theoktist evokoi situatën e tanishme të klerit, duke pranuar se numri i priftërinjve dhe përgatitja e tyre teologjike janë ende të pamjaftueshme. Patriku deklaroi vullnetin e tij të vendosur për të pranuar hirotonitë e vetëm atyre kandidatëve që do kenë mbaruar një nga 14 fakultetet e teologjisë të Kishës Rumune dhe që do të kenë dhënë prova për “dashurinë e tyre të vërtetë për Kishën.”

Rusi
Kishës i kthehen eshtrat e një murgu orthodhoks të shekullit të 16-të

Reliket e At Joakim Ulianov, një prift rus i vdekur në 1596, ishin zbuluar të paprekura më 1942 në një mur të kishës së manastirit të Ngjalljes në Ouglitç (250 km në veri të Moskës), gjatë ndërtimeve të kryera gjatë luftës.

Të ruajtura në mënyrë perfekte në një trung druri të gërryer nga brenda, siç ishte zakon i atëhershëm i Rusisë, ishin të shoqëruara nga një tekst në rusishten e vjetër, që tregonte jetën e të fjeturit.

Atëherë eshtrat u çuan në institutin mjeksor të Jarosllavit, ku ishin ekspozuar në një sallë të muzeut të anatomisë.

Eshtrat u kthyen nga instituti pas një kërkese të arqipeshkopit të Jarosllavit, i cili deklaroi se “vetë fakti i konservimit të paprekura për 400 vjet të eshtrave, tregon shenjtërinë e këtij murgu”.

Romë
Takim mes përfaqësuesve të Patriarkatit të Moskës e të Vatikanit

Eventualiteti i një takimi midis Papa Gjon Palit II dhe Patrikut të Moskës Aleksej II, u përmend gjatë një takimi në Vatikan mes një delegacioni të Kishës Orthodhokse Ruse, që drejtohej nga Mitropoliti Cirill i Smolenskut, përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare i kësaj Kishe dhe përfaqësuesve të Këshillit papnor për unitetin e të krishterëve.

Takimi në Vatikan ishte një vazhdim i atij të zhvilluar gjatë vizitës në Moskë nga kardinali Eduard Kasidy, president i Këshillit papnor për unitetin e të krishterëve.

Dy takimet e para midis përgjegjësve të dy kishave, të zhvilluara në 1992 e 1994, i ishin kushtuar ekskluzivisht problemeve të lidhura me uniatizmin në Ukrahinë.

Kenia
Të diplomuar të rinj në teologji

Kohët e fundit, në mbyllje të vitit shkollor në seminarin teologjik Makarios III të Nairobit, iu dorëzuan diplomat 9 studentëve. Ishin të pranishëm Mitropoliti Irine i Irineupolisit, episkop i Patriarkatit të Aleksandrisë në Kenia dhe Tanzani. Ceremonia u parapri nga një liturgji e kryer nga dymbëdhjetë priftërinj lokalë dhe mitropoliti Krisostom i Kitionit, nga Qiproja, i ftuar nderi.

Para mitropolitit Irine, në krye të dioqezës së Kenias dhe Tanzanisë kontribuoi për rreth 10 vjet Kryepiskopi Anastas.

Damask
Patriku i Antiokisë inkurajon proçesin e paqes në Lindjen e Mesme

Patriku i Antiokisë, Ignati IV, primat i Kishës Orthodhokse në Lindjen e Afërme e të Mesme, bëri një apel për përparimin e proçesit të paqes në rajon. Ndanë perspektivave të dialogut që po duken mes Izraelit e Sirisë, ai ngriti lutjet e tij që një akord paqeje të jetë i afërt.

Patriku u shpreh për këtë gjatë një omelie të mbajtur në fund të një Liturgjie në Katedralen Patriarkale të Ungjillëzimit, në Damask.