Shën Maria nga Egjipti
(E diela e Pestë e Kreshmës, sivjet më 31 mars)
Kisha na thekson pendimin e saj të papërceptueshëm. Kremtohet edhe më 1 prill. Maria do të thotë zonjë, princeshë. Hieromonaku Shën Zosimai (4 prill), i kushtuar Perëndisë që foshnjë, u ushtrua për pak kohë në shpellë dhe për 53 vjet në manastir (shek VI). Meqë kishte dëshirë të mësonte nga një njeri më i lartë se vetja, një engjëll e dërgoi në një manastir të luginës së lumit Jordan.
Të Hënën e Pastër, d.m.th. ditën e parë të Sarakostisë, murgjërit largoheshin nga manastiret dhe izoloheshin në shkretëtirë, për ushtrim më intensiv dhe ktheheshin të Dielën e Dafinave, për të kremtuar së bashku Pësimet Hyjnore (ndaj këtë të Dielë psalet në mënyrë të përsëritur himni “Hiri i Shpirtit të Shenjtë na mblodhi sot, edhe të gjithë e ngremë kryqin dhe themi: I bekuar je ti që vjen në emrin e Zotit. Hosanna më të lartat”). Kështu, ndodhi që jerondi pa në një vend të largët një qenie njerëzore të nxirë e kockë e lëkurë, me flokë krejt të bardha, që nisi të vrapojë. Ai e ndoqi derisa, pas lutjeve të tij, ndaloi. Qe grua, madje me aftësi largpamëse, sepse ajo e dinte emrin e funksionin e tij. Ai e nxiti shumë, derisa ajo foli:
Në moshën 12-vjeçare qe larguar fshehurazi nga prindërit, e tërhequr pas epsheve dhe për 17 vjet u jepej burrave të Aleksandrisë, pa marrë para… Udhëtoi për në Jerusalem që të shkonte me burra të tjerë, të huaj. Në të kremten e Ngritjes së Kryqit të Nderuar, ajo u gjend brenda turmës së njerëzve që shtyheshin për t’iu falur Drurit të Tërëshenjtë, por një forcë e padukshme nuk e lejonte gruan të hynte në kishë. Erdhi në vete dhe duke vënë garant Hyjlindësen, premtoi se do ndryshonte jetë. Atëherë mundi t’i falej Kryqit të Nderuar. Më pas u ushtrua për dyzet vjete aty në shkretëtirë, pa parë asnjë njeri! Kreshmë e vuajtje të paimagjinueshme, vajtime e lutje. Djalli e “kaurdiste” për 17 vjet, domethënë aq sa kishte jetuar në mëkat, duke i kujtuar jetën e kaluar. Arriti në atë pikë sa të këndonte pa dashje këngë erotike… Por, pas kësaj periudhe, u qetësua plotësisht.
Duke mbaruar rrëfimin, ajo iu lut avvait që të vinte vitin tjetër, të Enjten e Madhe, për t’u kunguar, gjë që ndodhi, pasi oshënarja kaloi lumin Jordan duke ecur mbi ujë! Vitin e mëpasshëm oshënari e gjeti të vdekur. E varrosi po në atë vend, me ndihmën e një luani, që ndofta ishte miqësuar me gruan. Më vonë fjeti edhe ai në manastir, në moshën njëqindvjeçare, pasi më parë ia tregoi jetën e asketes edhe patrikut të Jerusalemit, Shën Sofronit (11 mars), i cili shkroi Jetën e saj. Shpesh e lavdëron edhe Shërbesa e së Enjtes së Kanonit të Madh.
At Justin