EmailFacebookKontakt

Shën Joani i “Shkallës”

Shën Joani i “Shkallës”
(E Diela e Katërt e Kreshmës, sivjet më 24 mars)

Nëse librat bëhen të njohur e të afirmuar nga fama e autorit të tyre, në të kundërt, Shkalla e mrekullueshme psikoanatomike i dha emër Joan Sinaitit dhe e bëri të famshëm. Do ishte i panjohur si shumë e shumë të tjerë… U lind rreth vitit 525, nuk dihet se ku. Që në moshën 16 vjeç kishte shumë kulturë (ndaj dhe quhet “skolastik”) dhe hyri në manastirin e Sinait nën urdhrat e avva Martirit, i cili vdiq pas pak vitesh. Në moshën 19 vjeçe, pasi kishte vizituar qendra manastiriale të Egjiptit, u tërhoq vetë në një shpellë të një shkretëtire të largët! Aty u ushtrua për dyzet vjet që në mënyrë të thjeshtë dhe jo me ekzagjerime për t’u mburrur dhe përjetoi përvoja hyjnore. Më pas e zgjodhën me zor igumen të Sinait. Gjatë drekës pas fronëzimit të tij ceremoninë e “drejtonte” një njeri misterioz, profeti i madh Moisiu! Dikur lutja e tij solli shiun e shumëpritur, një herë tjetër çliroi një murg nga lufta trupore. Më parë, kishte shpëtuar Moisiun, nxënësin e vetëm që kishte në shkretëtirë, nga shtypja e një shkëmbi. Kur disa ziliqarë e akuzuan si llafazan, ai i ndaloi menjëherë predikimet e tij jetëdhënëse, saqë vetë ata u lutën që t’i rifillonte.

Duke iu bindur mikut të tij Joan, igumen i Raithos, ai kompozoi Shkallën, gëzimi dhe “Ungjilli” i murgjve. Një tekst gjenial, rrezatues, i dendur, me një bukuri letrare të paarritshme dhe një thellësi të pallogaritshme. Psikologjia e Thellësisë (Etërit asketë e kishin gjurmuar shumë shekuj para nesh). Si një veprim i çmuar për çdo besimtar, sepse i ngjan një aparati radioskopik të shpirtit, u përkthye në shumë gjuhë të vjetra e të reja. Si një shkallë tjetër e Jakovit (Gjen. 28.12) ngjitet drejt Qiellit me tridhjetë Fjalët-shkallë të saj. Fillon nga e ulta, trajton ligësi e virtyte dhe përfundon në hyjnizimin nëpërmjet dashurisë. Mbyllet me fjalën monumentale – shtesë drejtuar Bariut, d.m.th. udhëheqësit shpirtëror.

Oshënari fjeti në 30 mars, përsëri në shkretëtirë, pasi kishte hequr dorë si igumen dhe në vend të tij kishte vendosur vëllanë e tij Jorgo. Shenjti kremtohet edhe ditën e fjetjes së tij, pra më 30 mars. Joan do të thotë dhuratë ose dhembshuri Perëndie.