NGA SHENJTORËT E MIA VJIT
Shën Theodhor Tironi
(E Shtuna e Parë e Kreshmës, sivjet më 2 mars)
Rridhte nga një fshat i Amasisë së Pontit, në veri të Azisë së Vogël. U thirr në ushtri në kohën e Maksimianit (286-305), si “tiron”, domethënë, si rekrut. Ai ishte i krishterë i fshehtë, por në një rrethanë e shpalli besimin e vet, pasi ishte bindur me prova se ishte vullneti i Perëndisë që të martirizohej. I dhanë afat që të mendohej më me pjekuri, por ai… dogji tempullin e hyjneshës Rea! Me gjakftohtësi, Shën Theodhori e pohoi ç’kishte bërë dhe u dënua me vdekje me anë të urisë. Por në burg iu shfaq e i dha fuqi Krishti, më pas një engjëll. Pasi ai i refuzoi premtimet për poste, e varën kokëposhtë dhe e çorën me doreza të hekurta. Dha shpirt brenda në zjarr, i cili, duke krijuar një hapësirë, nuk i preku trupin.
I pari që i thurri elozh ishte pothuaj bashkëkohësi i tij, Shën Grigor i Nisës (10 janar). Tri nga mrekullitë e tij të pasvdekjes:
1. I prekur nga vajet e një të veje shpresëtare, shkoi hipur në kalë e rrëmbeu djalin e saj të vetëm nga duart e agarinëve dhe e solli në kishën e tij, ndërsa besimtarët dëgjonin trokun e kalit. Një ushtarak, gjoja për hekim, mori fshehurazi një shpatë të çmuar, që e kishte bërë dhuratë një ushtarak tjetër, por u qorrua dhe u pendua dhe e ktheu; më pas e vodhi sërish dhe përsëri u qorrua. E ktheu përsëri, duke ofruar monedha, derisa, përfundimisht, iu shëruan sytë.
Si dhe mrekullia, mëse e njohur, “e grurit”: Mbreti Julian Paravati (361-363), që të infektoheshin shpirtërisht të krishterët gjatë kësaj kreshme, urdhëroi fshehurazi që në tregun e kryeqendrës të shiteshin vetëm ushqime të spërkatura me gjak therrorësh. Dëshmori i madh iu shfaq Patrikut Eudoks e i tha që të shpërndante ushqim të thjeshtë, grurë të zier. “Kështu, intriga e sajuar doli buq, se ushqimet e infektuara s’u shitën e u kalbën.
Disa pretendojnë se jeta e Shën Theodhor Stratillatit (8 shkurt) është një version i Shën Theodhor Tironit, kujtimi i të cilit kremtohet edhe më 17 shkurt. Theodhor do të thotë Dhuratë Perëndie.