Nga radhët e shenjtorëve rusë, oshënar Serafimi i Sarovit shquhet për dashurinë e tij të veçantë për të Tërëshenjtën Mari. Por, edhe Nëna e Perëndisë e rrethonte me kujdes të veçantë, siç e provojnë edhe herët e shumta që ajo iu shfaq atij.
Vegimi i mëposhtëm i oshënarit është më i mahnitshmi. Atë e tregon murgesha Efpraksia Divejevo, sepse u bë e denjë dhe e përjetoi edhe ajo bashkë me shenjtin:
“Herët, në mëngjesin e 25 marsit 1831, u dëgjua një zhurmë dhe, më pas, një hymn harmonik. Dera e dhomës u hap vetvetiu dhe hapësira u mbush me dritë dhe aromë. Staretc (jerondi) Serafimi ishte i ulur në gjunjë, me duart të ngritura lart. Unë dridhesha. Papritur u ngrit dhe më tha:
– Mos u tremb bija ime. Ja, Zonja jonë, Hyjlindësja e Tërëshenjtë, vjen pranë nesh!
Në të vërtetë, përpara shkonin dy engjëj, që mbanin degë të çelura. Më pas vinin Shën Joan Pagëzori dhe Shën Joan Theologu, ndërsa pas tyre u shfaq e Tërëshenjta me 12 Virgjëresha Martire. Hyjlindësja, e veshur me një mantel të ndritshëm dhe me një kurorë të mrekullueshme, m’u afrua ndërkohë që unë kisha rënë përtokë. Më preku dhe më tha:
– Ngrihu motër dhe mos ki frikë. Bashkë me mua kanë ardhur edhe virgjëreshat porsi ty. Nuk e kuptova sesi u ngrita në këmbë. Mbretëresha përsëriti:
– Mos ki frikë, erdhëm t’ju vizitojmë. At Serafimi qëndronte përpara Hyjlindëses dhe fliste me të me shumë familjaritet. Hyjlindësja tha shumë gjëra. Edhe pse isha pjestare në këtë vegim nuk arrita të dëgjoj së çfarë thoshin. Dëgjova vetëm këto:
– Mos i lë vetëm virgjëreshat e mia të Divejevos.
– O Zonjë! I mbledh, por nuk mund t’i drejtoj i vetëm.
– Do të të ndihmoj unë në të gjitha. Do t’u mësosh bindjen. Nëse do ta mbajnë do të jenë bashkë me ty dhe pranë meje. Përndryshe, do të humbasin vendin që u përgatis midis virgjëreshave që shikon. As vend të tillë dhe as kurorë të tillë nuk do të shijojnë. Kushdo që do t’i ofendojë do të dënohet prej meje dhe kush do t’u shërbejë për dashurinë e Krishtit, do të gjejë mëshirë para tij. Pastaj e Tërëshenjta u kthye nga unë.
– Shiko këto virgjëresha dhe kurorat e tyre, – më tha. Disa prej tyre lanë mbretëritë tokësore dhe pasuritë, për mbretërinë e qiejve. Të gjitha pranuan në mënyrë të vullnetshme varfërinë, deshën vetëm Krishtin dhe prandaj fituan këtë lavdi edhe nderim që shikon. Ashtu siç vuajtën martiret e hershme ashtu vuajnë edhe të sotmet. Vetëm se ato vuajtën në mënyrë të dukshme, ndërsa sot vuajnë heshturazi, me trishtim zemre. Pagesa e tyre, veçse, do të jetë e njëjtë. Duke u kthyer nga at Serafimi, Hyjlindësja e bekoi dhe i tha:
– Shpejt, i dashur do të jesh bashkë me ne!
Oshënari shkëmbeu përshëndetje me Hyjlindësen dhe gjithë shenjtorët e tjerë. Dikush prej tyre u kthye nga unë dhe më tha:
– U bëre e denjë të shikosh këtë vegim për hir të lutjeve të Etërve Serafim, Marku, Nazari dhe Pahomi.
Papritur humbën të gjitha. Vegimi, që kishte zgjatur më pak se një orë, mbaroi. Ishte vegimi i 12-të që u bë i denjë të përjetojë oshënar Serafimi në jetën e tij tokësore”.