Të mësojmë lutjet tona
MËSHIRA
Apostulli i shenjtë Pavël na porosit në mënyrë të përsëritur, që të japim lëmoshë me gëzim dhe hare. “Gjithësecili le të japë sikundër t’i dojë zemra, jo me hidhërim, a prej nevoje; sepse Perëndia do atë që jep me zemër të gëzuar” (Kor. 9:7). Në një vend tjetër thotë përsëri: “Kush jep nga e tija, le të japë me zemër të thjeshtë; … Kush përdëllen, le të përdëllejë me buzë të qeshur” (Rom. 12:8).
Zoti na përcakton katër arsye, për të cilat duhet që të japim lëmoshë:
Arsyeja e parë: Thekson besueshmërinë e kërkuesit të mëshirës. Domethënë, të Zotit tonë, sepse është Ai që na kërkon të japim lëmoshë.
Arsyeja e dytë: Arsyeja e dytë për të dhënë lëmoshë është nevoja e madhe që ka ai i cili na lyp që t’ia japim atë.
Arsyeja e tretë: Arsyeja e tretë për të dhënë lëmoshë është lypja për mbijetesë dhe jo për fitim të mirash materiale që të jetojë ai që lyp një jetë me të gjitha argëtimet e saj.
Arsyeja e katërt: Shpërblimi i atij që jep lëmoshë është i madh. Ky shpërblim i madh është fitimi i Mbretërisë së Perëndisë.
Ndaj, mos u bëj, pra, i ashpër dhe jomëshirues. Mendo se prapa atij që kërkon lëmoshë gjendet Vetë Zoti… Çfarë falje do të marrim nëse përbazim të varfërit?… Jep lëmoshë për përfitimin tënd dhe për përfitimin e atyre që janë me të vërtetë të varfër. Zoti do të të shpërblejë dhe të varfërit do të lehtësohen.
Shën Joan Gojarti
Psalmi XXI
Perëndia im, Perëndia im, dëgjomë, nga unë pse hoqe dorë? Pse larg më rri, pa më ndihmuar, dhe fjalët e rënkimit tim nuk i dëgjon?
Perëndia im, ditën thërres, dhe nuk më dëgjon; edhe natën, e nuk kam qetësi.
Dhe ti rri në Shenjtërore, i rrethuar nga lavdërimet e Izraelit: etërit tanë në ty shpresuan; shpresuan dhe i shpëtove.
Të thirrën ty dhe shpëtuan; shpresuan në ty dhe nuk u turpëruan.
Por unë jam një krimb, e jo njeri; turp i njerëzve, dhe i përbuzuri i popullit.
Të gjithë sa më shohin me mua tallen; buzët përdredhin, kryet tundin.
Tek Zoti shpresoi; le ta çlirojë; le ta shpëtojë atë, sepse e do.
Ti je ai që më nxore nga barku amësor; të shpresoj më bëre që në gjinjtë e nënës time.
Ty t’u dorëzova që nga shtrati i barkut, ti je Perëndia im që nga barku i nënës time.
Nga unë mos u largo, se afër është shtrëngimi, dhe s’ka njeri që të më ndihmojë.
Viça të shumtë më qarkuan, dema të fortë më rrethuan. Gojën e tyre hapnin kundër meje, si luani kur rrëmben e ulërin.
Si uji që derdhet jam, dhe gjithë eshtrat e mi u shpërbënë; zemra ime u bë si qiri, që tretet ndër të brendshmet e mia.
Fuqia ime u tha porsi guacka, dhe gjuha pas qiellzës m’u ngjit; e ti më zbrite në baltën e vdekjes.
Se më qarkuan shumë qen, mizëri keqbërësish më rrethuan.
Duart e mia dhe këmbët e mia i shpuan, më numëruan gjithë eshtrat e mi; këta sytë i hapën e më vështruan.
Midis tyre rrobat e mia ndanë dhe hodhën short për veshjen time.
Dhe ti, o Zot, mos e largo prej meje ndihmën tënde dhe shiko të më ndihmosh.
Shpëtoje shpirtin tim nga shpata, dhe të vetëmlindurin tim nga dora e qenit.
Shpëtomë nga goja e luanit dhe nga poshtërimi i brirëve të buajve.
Do t’ua them emrin tënd vëllezërve të mi, në mes të mbledhjes do të të himnoj.
O ju që keni frikë Zotin, lavdërojeni atë. Thurini lavdi atij, gjithë fara e Jakovit.
Dhe kini frikë prej tij gjithë fara e Izraelit.
Se ai nuk e përbuzi, as nuk e shpërfilli lutjen e të varfërit, as fytyrën e vet nuk e largoi nga unë; dhe kur atij i thirra më dëgjoi.
Lavdërimi im është për ty, do të të lavdëroj në kuvendin e madh; uratat e mia do t’ia jap Zotit para atyre që ia kanë frikën.
Të varfërit do të hanë e do të ngopen; dhe ata që e kërkojnë, Zotin do ta lavdërojnë; zemrat e tyre do të rrojnë në jetë të jetës.
Gjithë skajet e tokës do ta kujtojnë dhe tek Zoti do të kthehen; dhe gjithë fiset e kombeve do të falen para tij.
Se Zotit i përket mbretëria dhe ky sundon mbi kombet.
Gjithë të begatët e tokës hëngrën e t’u falën; gjithë ata që në baltë zbresin para tij do të gjunjëzohen. Dhe për të rron shpirti im dhe fara ime i shërben atij.
Brezi që vjen Zotin do ta njohë dhe drejtësinë e tij do t’ia shpallë popullit që do të lindë, të cilin Zoti e bëri.