EmailFacebookKontakt

Studimi i Shkrimit të Shenjtë

Fjalët më të bukura për kuptimin dhe vlerën e Ungjillit të shenjtë i kanë thënë shenjtorët.

I. Shën Vasili i Madh thotë:
– Ungjilli është një farë misterioze, që, kur bie në tokë, e bën të prodhojë dhe të bëhet Parajsë!

II. Shën Athanasi i Madh thotë:
– Ungjilli është thesari më i madh i botës; kush e lexon përditë bëhet i pasur dhe gjen lumturinë e vërtetë.

III. Shën Joan Krisostomi (Gojarti) thotë:
– Studimi i Ungjillit është një e mirë shumë e madhe. Ai
* Transferon mendjen nga toka në qiell.
* Është burim i pashtershëm; thesar i pambarueshëm.
* Vret ligësinë; mbjell virtytin.
* Kur mbretëron në zemrat tona, na bën të duam barazinë dhe vëllazërinë.
* Sjell Mbretërinë e qiejve në tokë.

IV. Shën Kozmai thotë:
– Duke studiuar Ungjillin e shenjtë, gjeta në të kuptime të shumta dhe të ndryshme; që të gjitha janë: margaritarë; diamante; thesare; pasuri; gëzim; ngazëllim, jetë e përjetshme!

Në një qytezë jetonte një vajzë. Ishte shumë e varfër. Dhe më e keqja qe se ishte e verbër. Të dyja këto së bashku e bënin të ndihej shumë fatkeqe. Dëgjonte se sa mirë ia kalonin të tjerët duke parë natyrën ose duke lexuar dhe zemra e saj digjej! Qante me lot të hidhur. Nuk gjente ngushëllim.

Një njeri i mirë, për ta ndihmuar i dhuroi një libër të Shkrimit të Shenjtë në gjuhën e të verbërve. Vajza filloi ta lexonte duke e prekur me gishtërinjtë. Sa më tepër lexonte dhe mësonte se çfarë është Krishti për ne, aq më shumë qetësohej. Dhe përfundimisht, u mbush me gëzim dhe paqe.

– Gjeta gëzimin, – thoshte. Tani u hapën sytë e shpirtit tim. Dhe nëse më mungojnë sytë trupor, pak më shqetëson tani!

Por, dikur, këtë vajzë e zuri një sëmundje e lëkurës. Humbi ndjesinë e gishtërinjve të saj. Dhe nuk mundte më të prekte dhe të kuptonte librin e Shkrimit të Shenjtë për të verbërit. Qante. Sepse kishte humbur mundësinë që të mirrte fuqi dhe gëzim nga ai libër i shenjtë. Ishte e pashpresë.

Një ditë mori me dëshirë të zjarrtë librin e shenjtë dhe e vuri në gojë për të puthur shkronjat e tij, që na transmetojnë urtësinë dhe fjalën e Perëndisë. Dhe atëherë zbuloi diçka të çuditshme. Kuptoi se shkrimin e të verbërve mund ta lexonte me buzët e saj! Dhe jeta e saj u mbush sërish me gëzim. Ishte gëzim që ia jipte studimi i fjalës së Perëndisë.

Por, shtrohen disa pyetje:
A e lexojmë Shkrimin e Shenjtë?
Jo?
Përse?
– Nuk e kemi Shkrimin e Shenjtë?
– Nuk keni sy?
– Nuk kemi kohë?
Çfarë na mungon?
Na mungon dëshira?
Por çfarë justifikimi kemi për këtë? Asnjë! Sepse dëshira është tërësisht e jona.

Kush studion Shkrimin e Shenjtë, kujton fjalët e shën Kozmait, që përmendëm më lart. Dhe e kupton se janë të drejta.