EmailFacebookKontakt

“Armiqësinë ta shkruani në ujë”

Nga fjalët e urta të Etërve të Shenjtë:
“Armiqësinë ta shkruani në ujë”

Dhimitër Beduli

Një realitet i hidhur që mundon dhe zhduk popuj dhe individë pasojat tragjike të të cilit përjetojmë përditë është armiqësia dhe hakmarrja. Prandaj janë shumë aktuale fjalët e një ati të shenjtë që thotë: “Karakteristikë që të mos luftojnë kurrë është vetëm e engjëjve. Karakteristikë e njerëzve të mençur është që të kenë mosmarrëveshje të vogla apo të mëdha, por që pas një kohe të shkurtër, të pajtohen. Kurse karakteristikë e djajve është jo vetëm të luftojnë vazhdimisht por edhe të mbajnë me këmbëngulje dhe për një kohë shumë të gjatë armiqësinë”.

Sa të urta janë këto fjalë dhe sa tragjedi do të qenë evituar, po t’i mbanin mend shpesh. Shoqëria jonë nuk është shoqëri engjëjsh, po njerëzish. Prandaj dhe nuk mungojnë mosmarrëveshjet, antipatitë, ndeshjet, armiqësitë. Të gjitha këto mund të themi se janë njerëzore. Mjafton që të mos mbetet njeriu në to, për të ecë përpara, drejt marrëveshjes dhe pajtimit.

Ajo që nuk është njerëzore po satanike, është kur njeriu nuk fal, po mban armiqësi dhe urrejtje. Madje kur ai shkon edhe më tej, kur zien nga hakmarrja.

Për këtë arsye edhe urtësia e Etërve të Shenjtë na këshillon që armiqësinë ta shkruajmë në ujë, që të shuhet menjëherë. Vetëm dashurinë ta shkruajmë në hekur, që të mbetet.

Virtyti i ndjesës, i faljes, është i madh. Prandaj dhe Zoti e rekomandon vazhdimisht. Po sjellim ndërmend disa raste: Apostull Petri i ndikuar nga mentaliteti i kohës së tij dhe nga tradita judaike, e cila e kufizonte ndjesën vetëm në tri herë, i afrohet Krishtit dhe e pyet: “Sa herë do t’ia fal vëllait tim që do të mëkatojë kundër meje? Deri në shtatë herë?” (Mattheu 18,21). Është sikur t’i thoshte: Ne dimë gjer tani, se tri herë janë të mjafta për ndjesi. Unë i bëj shtatë. A janë të mjafta? Dhe përgjigjja e Zotit: “Unë nuk të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë nga shtatë”. Domethënë pa reshtur. Kurrë, o Petro, nuk duhet të pushosh së ndjeri të tjerët kur bëjnë ndonjë faj ndaj teje.

Ja edhe një tjetër rast. Kur Zoti dërgoi disa lajmëtarë në një fshat të Samarisë, që t’i përgatitnin një vend për të qëndruar dhe ata i dëbuan, këta, kur u kthyen dhe ia njoftuan këtë Zotit, atëherë dy nga nxënësit e tij, Jakovi dhe Joani, të indinjuar nga kjo përbuzje ndaj mësuesit hyjnor, kthehen nga Zoti dhe i thonë: “Dëshiron të themi që të zbresë zjarr nga qielli e t’i zhdukë, siç bëri dhe Ilia?” Dhe Iisui i urtë, kthehet nga ata, i qorton dhe u thotë: “Nuk dini të ç’fryme jeni ju. Nuk dini dhe nuk kuptoni akoma se ç’dispozita shpirtërore duhet të zotërojnë brenda jush. Ju nuk jeni njerëz të zemërimit dhe të hakmarrjes. Në zemrat tuaja duhet të mbretërojë shpirti i simpatisë, i butësisë, i tolerancës, i zemërgjerësisë, i dashurisë që nuk shkatërron, po shpëton”. Dhe shton: “Biri i njeriut nuk erdhi që të humbasë shpirtra njerëzish, po të shpëtojë”. (Lluka 10, 51-56).