EmailFacebookKontakt

Kanoni i Madh

Të Enjten në mëngjes (ose të Mërkurën në mbrëmje) të javës së pestë të Kreshmës së Madhe, psallet i famshmi Kanoni i Madh, i cili është poemë e oshënar Andrea Jerusalemasit. Ky shenjt ishte episkopi i ishullit të Kretës në Greqi dhe gjatë gjysmës së parë të shekullit të 8-të.

Kanoni i Madh i përket llojit të dytë, Himnologjisë që mban emri “kanone”. Kemi dy lloje kanonesh: Kanonet e Himnologjisë dhe Kanonet e së Drejtës Kanunore Kishtare. Kanonet e së Drejtës Kishtare rregullojnë jetën e Kishës. Kanonet e Himnologjisë janë tropare me përmbajtje të ndryshme.

Çdo kanon i Himnologjisë është një grup troparesh që i referohen shenjtit ose ngjarjes që kremtohet. Troparet ndahen zakonisht në 9 nëngrupe, që quhen “ode”. Çdo ode mbështetet parimisht në një ngjarje të Dhiatës së Vjetër ose të Re. Ode-ja e parë i kushtohet Himnit të Moisiut pas kalimit të detit të Kuq (Dalja, kap. 15). Ode-ja e dytë i kushtohet një himni tjetër të Moisiut (Ligji i përtërirë kap. 32). Ode-ja e tretë i kushtohet profeteshës Anna, nënës së profetit Samuil (I Mbretërve ose I e Samuilit, 2.1-10). E katërta profetit Habakuk (kap. 3). E pesta profetit Isaia (26.9-20). E gjashta profetit Jona (2.2). E shtata dhe e teta Tre Djemve (Daniel, Lutja e Azariasit dhe himni i Tre Djemve, 2-65 ose Daniel 3.26-88). E nënta i kushtohet Hyjlindëses Mari dhe profetit Zaharia (Luk. 1.47-55, 1.68).

Në shumicën e herëve mungon ode-ja e dytë, ndërsa në periudhën e Kreshmës së Madhe zakonisht kanonet kanë vetëm dy ose tri ode, ndaj edhe libri që ka himnet e Kreshmës së Madhe quhet Triod.

Troparet e çdo ode nga ana poetike përputhen plotësisht me troparin e parë të odes që i përkasin. Ky tropar i parë që është modeli për të tjerat quhet “irmos”. Zbritësoret (kataeasitë) që psallen të dielave dhe të kremteve janë pikërisht irmoset e kanoneve. Kanonet më të njohura për ne janë Kanoni i vogël i së Tërëshenjtës Mari (I mbytur prej ngasjeve si në det…) dhe Kanoni i Himnit Akathist (Ja gojën e çel tani…).

Çdo ode e kanoneve ka zakonisht 4-5 tropare, kështu që i gjithë kanoni ka rreth 40 tropare.

Por me Kanonin e Madh nuk ndodh një gjë e tillë. Ai ka gjithsej 261 tropare! Quhet i Madh edhe për gjatësinë, por edhe ngaqë është kryevepër. Vetëm shumë pak nga troparet e tij nuk janë vepër e Shën Andreas. Këto janë shkruar nga të tjerë për vetë shën Andrean, si dhe për oshënaren Maria nga Egjipti, që është një shembull i madh pendimi (për jetën e saj flitet në një artikull tjetër të gazetës).

Kjo vepër është unikale dhe origjinale. Me frymë dhe poetikë të lartë, përmend dhe komenton shumë ngjarje nga fillimi i Shkrimit të Shenjtë deri në fund, me qëllim që të na drejtojë në pendim. Ngjarjet e mira i nxjerr në pah që të marrim shembull, ndërsa të këqiat për t’iu shmangur imitimit të tyre.

Në këtë mënyrë na çon në vendime dhe përpjekje. Është thirrje që na zgjon, nxit frymë të dërrmuar, pendim, lot, ndreqje, shpëtim. Na zgjon nga letargjia e mëkatit që të ngrihemi kundër vetes sonë të keqe.

Me të vërtetë gjatë shekujve njerëz të panumërt janë mrekulluar nga ky kanon, prandaj dhe shumë janë marrë me shpjegimin dhe përkthimin e tij në shumë gjuhë. Fatkeqësisht, në shqip janë të përkthyera vetëm irmoset e tij. Duke përfunduar, përmendim diçka nga shërbesa e Kanonit të Madh, shkurtoren (kondaqion) e tij, një himn të veçantë që përfshihet në kanon, për të marrë qoftë edhe një shije nga dobia shpirtërore që na jep.

“O shpirt i dremitur, o shpirt, mos fli po zgjohu,
se vdekja afrohet dhe keq do të dënohesh.
Po ngrihu me vrap edhe lypi ndjesë Krishtit Perëndi,
që ndodhet kudo dhe i mbush të gjitha”.