EmailFacebookKontakt

Vendim ekuivok i qeverisë: Rimbyllen 18 objekte kulti orthodhoks

“Vendimi godet pothuaj ekskluzivisht Komunitetin Orthodhoks”

Z. Aleksandër Meksi
Kryetar i Këshillit të Ministrave
Dt. 21/2/1996

Z. Kryeministër,

Morëm vendimin tuaj dt. 8.1.1996 mbi “Ndalimin e mbledhjeve politike dhe ceremonive fetare në mjediset e monumenteve të kulturës, muzeumeve dhe bibliotekave.”

Vendimi i marrë nga ana juaj, me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, na duket i padrejtë për këto arsye:

1. Është marrë duke u injoruar plotësisht mendimi i komuniteteve fetare.

2. Vendimi godet pothuaj ekskluzivisht Komunitetin Orthodhoks, të cilit i mbyllen 18 kisha e manastire (Komunitetit Katolik një kishë dhe Komunitetit Myslyman dy xhami).

3. Sipas këtij vendimi, në Kishën e Burimit Jetëdhënës, që funksionon si Kisha kryesore orthodhokse e Korçës, sot dhe Muzeu Mesjetar, s’duhet të bëhen shërbesa.

4. Kishën e Lindjes së Shën Marisë në Ardenicë Komuniteti Orthodhoks ka 4 vjet që e ka marrë dhe kryer shërbesa në të dhe ka kërkuar vazhdimisht për të marrë gjithë Manastirin. Kthimi i këtij Manastiri dhe Ligji për pronat e Kishës iu njoftuan Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit nga Presidenti i Republikës, z. Sali Berisha ditën e Krishtlindjes, kurse ju kërkoni ta mbyllni dhe të bëhen shërbesat vetëm kur të na lejojë Instituti i Monumenteve të Kulturës!

5. Kishat e Manastirit të Ardenicës, Shën Nikollës, Voskopojë, Shën Joan Prodhromit, Voskopojë, Shën Joanit, Boboshticë, Shën Nikollës, Shelcan etj., janë Kisha të hapura, ku bëhen shërbesa e frekuentohen përditë nga besimtarët. Ç’do të ndodhte po të mbylleshin këto kisha përsëri? Sipas këtij vendimi besimtarëve do t’u duhej të shkonin të merrnin leje në Drejtorinë e Monumenteve të Kulturës edhe për të ndezur një qiri. Ato që kemi fituar deri tani po na i merrni përsëri.

Ne mendojmë, z. Kryeministër, se atë që i vodhi Kishës regjimi komunist, demokracia duhet që t’ja kthejë. Në qoftë se duhet të mirëmbajmë këto perla të orthodhoksisë, që tregojnë kulturën e kombit, t’i mirëmbajmë e t’i ruajmë së bashku, edhe shteti, edhe kisha, por jo t’i mbajmë të mbyllura dhe të shkatërrohen, siç është bërë gjer më sot. Një shtëpi, kur nuk banohet, është e destinuar të shkatërrohet. Kështu dhe ato Kisha që janë të mbyllura pikojnë dhe po u bien afresket dhe nuk kujdeset njeri.

Urojmë që Zoti t’ju ndriçojë, për të zgjidhur këtë problem kaq shqetësues për besimtarët e Komunitetit Orthodhoks, me urtësi, mirësi dhe dashurinë e Perëndisë.

Për Këshillin e Përgjithshëm të KOASH
Me respekt
Përfaqësuesi i Përgjithshëm Arqieratik
Protopresviter Jani Trebicka

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Këshilli i Ministrave
VENDIM
Nr. 33 datë 8.1.1996

PËR

Ndalimin e mbledhjeve politike dhe ceremonive fetare në mjediset e monumenteve të kulturës, muzeve e bibliotekave

Me qëllim që të ruhen vlerat e veçanta, ana funksionale dhe profilizimi i monumenteve e qendrave monumente kulture, me propozimin e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Të ndalohet kryerja e veprimtarive fetare në qendrat e shpallura monumente kulture, të cilat nuk janë objekte kulti.

2. Në muzetë, bibliotekat dhe monumentet e kulturës ndalohet kryerja e veprimtarive të partive politike me karakter propagandistik dhe e riteve fetare.

3. Në objektet e kultit, që janë njëkohësisht edhe monument kulture, sipas listës që i bashkëngjitet këtij vendimi, ritet fetare kryhen vetëm në ditët e përcaktuara në kalendarët fetarë, sipas marrëveshjes dhe kontratës së lidhur me Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
ALEKSANDËR MEKSI

Lista e objekteve të kultit të shpallura monumente kulture në të cilat ritet fetare do të kryhen në përputhje me akt-marrëveshjen e lidhur në Institutin e Monumenteve të Kulturës.

1. Kisha e Shën Triadhës, Berat
2. Kisha e Shën Todrit, Berat
3. Kisha e Vllahernës, Berat
4. Katedralja e Shën Marisë (sot Muzeu Onufri), Berat
5. Kisha e Shën Marisë dhe Manastiri i Ardenicës, Lushnje
6. Kisha e Shën Marisë në qytetin antik të Pojanit, Fier
7. Kisha e Shën e Premtes në Valsh, Elbasan
8. Kisha e Shën Kollit në Shelcan, Elbasan
9. Kisha e Shën Kollit, Voskopojë, Korçë
10. Kisha e Shën Jovanit, Boboshticë, Korçë
11. Kisha e Ristozit, Mborje, Korçë
12. Kisha e Maligradit në liqenin e Prespës, Korçë
13. Kisha e Shën Pjetrit Vithkuq, Korçë
14. Kisha e Shën Prodhromit, Voskopojë, Korçë
15. Kisha e Labovës së Kryqit, Gjirokastër
16. Kisha e Kakomesë, Sarandë
17. Kisha e Krorezit, Sarandë
18. Kisha e Mesopotamit, Sarandë
19. Xhamia e Mirahorit, Korçë
20. Xhamia e Plumbit, Shkodër
21. Kisha e Shën Stefanit, Shkodër

Nga ankesa e besimtarëve korçarë

Zoti Kryeministër

…Ishte një gëzim e lumturi, për Kishën tonë dhe gjithë besimtarët kur Presidenti botërisht me rastin e Krishtlindjeve i premton e i jep pronat Kishës sonë, gjatë bashëbisedimit të ngrohtë që pati me Kryepiskopin, Hirësinë e tij Anastas.

Fill pas këtij sihariqi të madh, i dt. 25.12.1995, mblidhet Këshilli i Ministrave i drejtuar nga ju me Vendim Nr. 33 Dt. 08.01.96, merr vendime aq absurde e të nxituara, që mjaft objekte të Kishës, të cilat janë dhe perlat dhe krenaria e Orthodhoksisë, të mos na jepen, me pretekt se janë monumente kulture e ruhen nga Shteti.

Ato objekte të vendimit tuaj të padrejtë, që kërkoni akoma të na i mbani, gjatë shekujve u ruajtën, u zbukuruan, me një dashuri e patriotizëm të pashoq, nga besimtarët, duke jua transmetuar dorë më dorë brezave, pa asnjë më të voglin shkatërrim e vjedhje. Ato janë një pjesë e historisë e kulturës së popullit dhe dyert e tyre në çdo kohë duhet të jenë të hapura, për besimtarët, turistët e huaj, nën një administrim klerikal e qeveritar të përbashkët.

Në këto 4 vjet të tranzicionit dhe qeverisjes, këto objekte që ju keni marrë vendim të mos na i ktheni, kanë pësuar degradimin, amortizimin, shkatërrimin, vjedhjen më tragjike në historinë e tyre shumëshekullore. Ne jemi në gjendje me fakte, t’ju japim me dhjetra raste të vjedhjes, shkatërrimit e papërgjegjësisë karshi këtyre objekteve.

Ne mendojmë se duhet të bëhet një dialog kompetentësh, midis jush ose instancave tuaja që merren me këto probleme me udhëheqjen e komunitetit fetar orthodhoks në Shqipëri.

Kërkojmë që ky vendim të anullohet, kërkojmë të bashkëbisedohet me komisione kompetente dy palëshe dhe të merren vendime demokratike të përbashkëta.

Me respekt,
Kryesia e Kishës Orthodhokse Autoqefale Korçë
Lidhja e Gruas Orthodhokse
Lidhja e Rinisë Orthodhokse
Lidhja e Intelektualëve Orthodhoksë
Besimtarët orthodhoksë të Dhioqezës