– “Shërbimi i Dashurisë” ndihmoi 434 nxënës në katër shkolla –
Penny Delijani
“Nuk duhet të hedhim të mirat nga të cilat mund të përfitojë i afërmi. Të mirat quhen të mira sepse ato mund të përdoren për të mirë: ato janë instrumente të së mirës në duart e atyre që i përdorin siç duhet”.
Klementi i Aleksandrisë
Në gusht 1995 në grup të rinjsh nga Danimarka erdhën në Shqipëri për një javë. Gjatë udhëtimeve të tyre ata vizituan zonën malore të Elbasanit, për të parë projektet e shumta të zhvillimit që “SHËRBIMI I DASHURISË” ka realizuar në këtë zonë. Në Zavalinë të rinjtë danezë u prekën nga kushtet e këqija që gjetën në shkollë. Ndaj, duke u kthyer në Danimarkë ata vendosën të bënin diçka për të ndihmuar konkretisht nxënësit e Zavalinës.
Në tetor 1995 një përfaqësues nga Danimarka mori pjesë në Konferencën e “Tryezës së Rrumbullakët” të organizuar nga “Shërbimi i Dashurisë”. Ai theksoi interesimin e tyre për të punuar së bashku me “Shërbimin e Dashurisë” për t’iu ardhur në ndihmë 4 shkollave të zonës së Zavalinës.
Me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit, “Shërbimi i Dashurisë” shkoi në Zavalinë për t’u takuar me drejtorin e shkollës qendrore dhe 16 mësues lokalë. Ishte një takim emocionues. Mësuesit na vunë në dijeni për nevojat parësore, si edhe për synimet afatgjata për shkollën qendrore të Zavalinës dhe tre shkolla të largëta varëse, në Burisht – 33 nxënës, Jeronisht – 35 nxënës dhe Kamicë – 36 nxënës. Shkolla fillore e Zavalinës ka 81 nxënës, ndërsa ajo 8-vjeçare 154 nxënës. Shkollën e mesme e ndjekin 95 nxënës.
“Shërbimi i Dashurisë” u takua me DanChurchAid të Danimarkës, agjensi kristiane ndërkombëtare e ndihmës humanitare e zhvillimit dhe i bindi ata të mbështesin Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për t’ju ardhur në ndihmë nxënësve të këtyre zonave të varfëra. Gjatë Krishtlindjeve 1995 nxënësit danezë mësuan për Shqipërinë nëpërmjet një projekti të ndërgjegjësimit kombëtar në Danimarkë. Si rrjedhojë, “Shërbimi i Dashurisë” mori nga DanChurchAid e Danimarkës një ndihmë humanitare që arrin shumën e 134 mijë koronave.
Në kushte rrebeshi, më 22-23 shkurt, stafi prej 4 vetash i “Shërbimit të Dashurisë” shpërndau 1322 kg pajisje dhe mjete mësimore, 1455 kg veshje dhe çizme të reja dëbore për fëmijë, si dhe 255 kg lodra, për 434 nxënësit e shkollave të Burishtit, Jeronishtit, Kamicës e Zavalinës. Gjithashtu, kopshteve të Jeronishtit e Zavalinës iu dhanë shumë mjete shkollore të vlefshme.
Një traktorist nga zona (me traktorin e marrë nga projekti i kreditit të zhvillimit bujqësor të “Shërbimit të Dashurisë”), na ndihmoi për transportimin e ndihmave në një rrugë të rrezikshme malore dhe plot baltë, për në shkollën e largët në Jeronisht. Në të ardhmen “Shërbimi i Dashurisë” do të përpiqet gjithashtu të përgatisë për të katër shkollat 270 banka dyvendëshe, si edhe 130 tavolina dhe karrige druri. Duke shprehur dashurinë sakrifikuese të Perëndisë për të gjithë njerëzimin, pavarësisht nga besimi i tyre, “Shërbimi i Dashurisë” punon së bashku me njerëzit, veçanërisht me të varfërit e mënjanuarit, për të zhvilluar shpresën, besimin, vetëinisiativën e zgjidhjet për nevojat e tyre kritike. Ky “Shërbim” u krijua në fillim të vitit 1992, nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastas, me qëllim që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë t’i përgjigjet vuajtjes së nevojtarëve, pavarësisht nga përkatësia fetare. Gjatë vitit 1996 “Shërbimi i Dashurisë” do të realizojë programe zhvillimi në të gjithë Shqipërinë, me një vlerë mbi 535 mijë dollarë. I mbështetur nga Këshilli Botëror i Kishave dhe shumë partnerë ekumenikë “Shërbimi i Dashurisë” u gjendet besimtarëve orthodhoksë dhe jo orthodhoksë në të gjithë kishën. E gjithë lavdia i qoftë Perëndisë!