EmailFacebookKontakt

“… për të lehtësuar dhimbjen njerëzore…”

Me rastin e kremtimit të Krishtlindjes, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastas, ka marrë mesazhe urimi nga gjithë udhëheqësit e Kishave Orthodhokse, si dhe nga udhëheqësit e kishave të mëdha të krishtera. Po botojmë fragmente nga disa prej këtyre mesazheve.

Fort i Lumtur Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Vëlla fort i dashur dhe i shtrenjtë më Krishtin Perëndi dhe bashkëmeshtar i Modestisë sonë, Zoti Anastas, duke përqafuar vëllazërisht më Zotin Fortlumturinë Tuaj fort të respektuar, ju përshëndesim me kënaqësi të madhe.

Në veçanti, gjatë kohëve tona apokaliptike, Lindja e Krishtit nxjerr në pah se paqja e shpallur nga Princi i Paqes është në rrezik, dhe se trazira e pa-qëndrueshmëri dëgjohen kudo, dhe njeriu, krijesa e Perëndisë vuan dhe endet në kërkim të plotësimit brenda vetes të shembëllimit të Krijuesit të tij.

Këtu është detyra e ne të Krishterëve dhe madje e të thirrurve për të mbajtur pishtarin e shërbimit të njeriut, paqes dhe begatisë së tij. Nga fakti se të gjithë njohim dhe deklarojmë këtë dështim të njeriut modern, duke komunikuar me Fortlumturinë Tuaj të dashur në këtë festë të madhe dhe duke pohuar me Ju dhe gjithë besimtarët e Kishës Tuaj fort të shenjtë unitetin e besimit, ftojmë veten tonë dhe njëri-tjetrin në përjetimin e misterit të Perëndisë, në përpjekje për të lehtësuar dhimbjen njerëzore sipas frymës dhe shembullit të gjallë të Etërve.

Me këto mendime dhe ndjenja,… i drejtojmë Fortlumturisë Tuaj, hierarkëve tuaj, klerikëve dhe laikëve përshëndetje dashurie dhe nderimi, së bashku me lutjet tona të gjithshpirtshme, që Zoti Iisu Krisht… t’Ju falë jetë të gjatë dhe ndriçim prej së larti, me shëndet dhe fuqi më Shpirtin e Shenjtë, që timonin e Kishës nën udhëheqjen Tuaj të frymëzuar, Fort i Lumtur vëlla, ta drejtoni në limanin e qetë të pamjes së bukurisë së pafundme të fytyrës së Zotit, i Cili është jetë e përjetshme.

Duke Ju përqafuar me puthje të shenjtë më Perëndinë tonë të lindur në Vithleem të Judesë dhe të shfaqur në botë, ne hitemi që Viti i Ri 1996 që po lind, të jetë vit plot shëndet, i mbushur me çdo mirësi dhe bekim për Ju personalisht dhe për Kishën Tuaj.

Me dashuri të thellë më Krishtin dhe çdo nderim.

Vëllai i dashur më Krishtin i Fortlumturisë Tuaj fort të nderuar
+Varthollomeu
Kryepiskop i Konstandinopojës dhe Patrik Ekumenik

Fortlumturisë së Tij Anastas, Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë
Vëlla i dashur,

Të jetojmë tani dhe gjithmonë Lindjen e Krishtit tonë, Krishtlindjet e Tij, Qalët “Eja, o Zot”, të bashkuar, të pandarë, me dashuri, me paqe, Mirësi, që Emmanueli të qëndrojë gjithmonë bashkë me ne; me Lindjen e Tij, që është edhe Lindja jonë, Lindja e Dashurisë, e paqes, e shpresës, Lindja, Gjeneza dhe Apokalipsi, me gjithë Krijesën dhe gjithë njerëzit. Amin.

I dashur vëlla, Ju uroj gjithë të mirat e Perëndisë, të Krishtit tonë, për Ju, për Klerin e Popullin, me dhuratat e Tij të shenjta, për Vitin e Ri 1996, me paqe, jetë, mirëdashje.

Ju përqafoj me shumë dashuri
+Partheni i Aleksandrisë

Fort i Lumtur Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, fort i dashur dhe i shtrenjtë vëlla më Krishtin Perëndi dhe bashkëmeshtar i Modestisë sonë, zoti Anastas, duke përqafuar vëllazërisht më Zotin Fortlumturinë Tuaj, Ju përshëndesim me kënaqësi të veçantë.

I dashur vëlla më Krishtin, barra është e rëndë, dhe përgjegjësia e të Parëve të Kishës madhore, gjatë këtyre kohëve kritike të njerëzimit; por Hiri Hyjnor që fryn gjithmonë dhe dashuria e Perëndisë për bijtë e Tij, është fuqia jonë e sigurt, për realizimin e misionit shpirtëror të ungjillëzimit të botës.

Me këto, duke përqafuar Fortlumturinë Tuaj edhe tani me puthje të shenjtë më Iisu Krishtin e lindur, dhe duke i uruar Asaj shëndet dhe jetëgjatësi dhe bashkë me Të klerit të shenjtë dhe grigjës shpresëtare të Kishës së Shqipërisë, për të kremtuar festat e shenjta të dymbëdhjetditëshit dhe shumë të tjera më dashuri dhe paqen e dëshiruar, mbetemi me nderim.

Vëllai i dashur më Krishtin i Fortlumturisë Tuaj fort të shtrenjtë
+Ignati IV i Antiokisë

Anastasit, Fort të lumturit Kryepiskop të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë,

Përqafim të shenjtë më Krishtin, të Lindur mbinatyrshëm nga Virgjëresha.

…Me përzëmërsi i drejtojmë Fortlumturisë Tuaj përgëzimet Tona për festën e Krishtlindjeve; urimet e përshëndetjet për Vitin e Ri; lutemi trasmetojani ato hierarkisë Tuaj të nderuar, klerit të dëlirë dhe grigjës Tuaj; duke përqafuar Fortlumturinë Tuaj vëllazërisht më Krishtin e Lindur prej Virgjëreshës, Zotin tonë.

Vëllai i dashur i Fortlumturisë Tuaj të Perëndiruajtur
+Diodori I
Patriku i Jeruzalemit

Fortlumturia Juaj!

“Me qetësi frike dhe druajtjeje ne biem në gjunjë para misterit të madh të besimit” (I Tim. 3:16), para misterit të Fjalës: së Mishëruar i manifestuar për shpëtimin e njerëzimit. Shën Athanasi i Aleksandrisë tha se u trupëzua me qëllim që ne të mund të hyjnizohemi. Perëndia u bë njeri të shpëtojë qëniet njerëzore nga fuqia e Satanait dhe të na risjellë dinjitetin e origjinës dhe gjithashtu që ne të mund të hyjnizohemi plotësisht. Ne jemi thirrur të bëhemi “pjesëtarë të natyrës së Perëndisë” (II Petri 1:4) nëpërmjet bashkimit tonë me Krishtin dhe nëpërmjet plotësimit të porosive të Tij.

Ju përshëndes nga thellësia e zemrës, Vëlla i dashur më Zotin, me Festën e madhe dhe me lutje Ju uroj ndihmën e hirshme të Perëndisë në shërbimin Tuaj Arkieratik, për shumë vjet dhe suksese në të gjitha sipërmarrjet tuaja të mira.

Me dashuri të pandryshueshme më Krishtin
+Aleksi
Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusisë

Fortlumturisë së Tij Anastas Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë

Fortlumturia Juaj, Vëlla i dashur më Krishtin, Zotin tonë,

… Mrekullia e madhe e plotësuar në grazhdin e Vithleemit kur “Erdhi të mbushurit e kohës” (Gal. 4,4) nëpërmjet trupëzimit të Birit të Perëndisë mbi dhe në histori, na thërret gjithmonë të bëhemi pjesëtarë të dashurisë hyjnore që na është dhuruar pandërprerë që atëhere, për shpëtimin tonë. Nga ky burim besimi ne marrim inkurajim të shenjtë që Kisha Orthodhokse e Krishtit të jetë “brumi” i njerëzimit në ngulitjen e tij në themelin e përjetshëm të së vërtetës paqes dhe vëllazërimit të popujve dhe të kombeve.

Ishte ky qëllimi i shenjtë të cilit ne i dedikuam këtë vjeshtë momentet e shoqërisë si në lutje ashtu edhe në përvjetorin e ngjarjeve, duke festuar dhënien e autoqefalisë Kishës Orthodhokse të Rumanisë dhe ngritjen e saj në rang Patrikane. Në emër të anëtarëve të Sinodhit të Shenjtë, të besimtarëve dhe të klerikëve të Kishës sonë, i përcjellim Fortlumturisë Suaj dhe shoqëruesve tuaj fort të zgjedhur, mirënjohjen tonë për praninë tuaj në Rumani në atë moment lutjeje përmes së cilës ne falenderojmë Perëndinë për dhuratat e Tij të bekuara që i ka falur Kishës së Tij Orthodhokse të Rumanisë.

Jemi plotësisht të bindur se çdo gjë që ju ndatë me klerikët dhe besimtarët e Kishës sonë nëpërmjet fjalës dhe besimit të Fortlumturisë suaj krijuan një terren të mirë dhe të frytshëm për plotësimin e veprave të mira që burojnë nga besimi te Krishti, Zoti i paqës i drejtësisë dhe i çdo të mire…

+Teoktisti
Patrik i Kishës Orthodhokse të Rumanisë.