EmailFacebookKontakt

Drejtësia duhet të zbatojë vetëm ligjin

Në disa organe shtypi të kohëve të fundit, gjithnjë e më tepër po lakohet ngjarja e shëmtuar e uzurpimit të Kishës së Lindjes së Shën Marisë në qytetin e Elbasanit, nga grupi i kryesuar prej N.Markut, si dhe pozicioni që duhet të mbajë, sipas tyre, drejtësia shqiptare. Nuk do të na habisnin aq shkrimet plot vrer të gazetës “Republika”, e njohur për frymën e saj antiorthodhokse, sa fakti se në një kor me të bashkohet edhe gazeta “Albania” e datës 14.1.1996. Kjo e fundit, nën firmën e B.Zagorisë, në artikullin e titulluar “Çështja e kishës së Elbasanit në gjykatën e faktit”, përpiqet të përhapë mjegull rreth kësaj ngjarjeje, të dënuar nga mbarë opinioni orthodhoks shqiptar. Ajo që na habit më tepër, është pasaktësia e fakteve dhe dizinformimi që përpiqet të përhapë ky kalemxhi, duke e bërë të bardhën të zezë.

Nuk e dimë se nga i merr udhëzimet për të hartuar paçavure të tilla B. Zagoria, por, si besimtarë orthodhoksë e ndjejmë për detyrë se opinioni mbarëshqiptar duhet njohur me të vërtetën. Që në fillim B.Zagoria “ngatërron” emrin e kishës së rrëmbyer me dhunë si në Mesjetë, nga i vetquajturi “prift” N.Marku e grupi i tij. Eshtë me vend të theksojmë, se emri i kishës është Kisha e Lindjes së Shën Marisë e jo Kisha e Shën Gjergjit.

Pa kurfarë kulture fetare e etike gazetareske, B.Zagoria e quan Kryepiskopin e KOASH-it prift grek, duke synuar kështu minimizimin e figurës poliedrike e me reputacion mbarëkombëtar të Imzot Anastasit, kryearkitekt i ringjalljes së Kishës Orthodhokse në Shqipërinë demokratike.

Kujtojmë se Kisha e Lindjes së Shën Marisë, si çdo kishë tjetër orthodhokse, është pronë e KOASH-it. Pushtimi i saj nga disa persona të pandërgjegjshëm bën që të prishen shërbesat fetare, ndërkohë që ekzistojnë dy dispozita ligjore kushtetuese, që i mbrojnë ato. Këtë besojmë se e dinë shumë mirë përfaqësuesit e ligjit në Elbasan, Rendit e SHIK-ut, por për çudi, nuk kundërvepruan ndaj këtij akti dhe me bashkinë e qytetit lejuan mbjelljen e farës së përçarjes, konfuzionit dhe urrejtjes midis njerëzve.

Duke i mbajtur is on artikullit të “Albanisë”, dy ditë më pas gazeta “Republika” boton në artikull të I.Zagorisë (mos kemi të bëjmë vallë këtu me pjesëtarë të të njëjtës familje kalemxhinjsh, apo me ndërrim redaksish gazetash?!) nën titullin “RTSH në mbrojtje të Janullatosit”, ku pasi godet RTSH-në, për gjoja mbrojtje të Janullatosit, parashikon edhe të “ardhmen” e qëndrimit të tij në Shqipëri. Por, ju kujtojmë këtyre zotërinjve, se deklarata të tilla u ngjasin “flluskave të sapunit” të deklaratave të para referendumit popullor të nëntorit 1994 e bëhen pikërisht si kundrapeshë, fill pas premtimit që Presidenti Berisha i bëri Kryepiskopit Anastas për t’i kthyer pronat KOASH-it. Veprime të këtilla keqdashëse, që përkrahen edhe në disa segmente të pushtetit, luajnë rolin e kundërt dhe fyejnë ndjenjat e besimtarëve tanë.

Të dyja gazetat në fjalë, duke porositur njëra-tjetrën, bëjnë më pas një ekspoze të figurës së “klerikut” fantazmë N.Marku, duke e paraqitur si “shpëtimtar të orthodhoksisë” dhe mbase, “hero kombëtar”! Por, e vërteta mbi N.Markun nuk është ajo që pretendojnë “binjakët” Zagoria. Nikolla Marku është thjesh laik, jo klerik i dorëzuar. Aureolën e tij e ngritën kalemxhinj, që, të kurdisur nga forca të caktuara politike, e bëjnë gomarin kalë. Merita e vetme e N.Markut është aftësia e tij si vjedhës, e manifestuar si në Greqi, po ashtu edhe në seminarin e Durrësit. Ky i pafytyrë as emrin nuk ia ka dëgjuar Imzot Nolit e V. Xhuvanit e jo më të nderojë veprën e tyre. Pa kurafë arsimi teologjik, shpirtzi e kapriçoz pretendon të drejtojë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

B.Zagoria gënjen rëndë kur thotë se N.Marku ka kryer studime të larta teologjike. Ai bëhet i neveritshëm kur thotë se At Spiro Veli nga Korça i paska lënë “amanetet” e fundit N.Markut për Autoqefalinë e Kishës Orthodhokse Shqiptare. Në radhë të parë, At Spiro Veli ka qenë klerik nga Elbasani, 45 vjet me radhë zëvendës mitropolit i këtij qyteti, gjithmonë përkrahës i inisiativave të Imzot Anastasit për rimëkëmbjen e shpejtë të KOASH-it. Ishte pikërisht uzurpatori N.Marku ai që nuk lejoi futjen e besimtarëve orthodhoksë elbasanas në kishë ditën që kujtohej 6-mujori i vdekjes së At Spiro Velit.

Sot, në të ashtuquajturat “shërbesa” të N.Markut në Kishën e Lindjes së Shën Marisë në Elbasan, marrin pjesë vetëm 4-5 anëtarë të familjes së tij e jo 2500 veta siç pretendon Zagoria. Si prift i padorëzuar, për Markun do të qe më mirë që të gjente vetveten në ndonjë sekt tjetër fetar, se orthodhoksët ia njohin mirë surratin.

A do të lirohet Kisha e Shën Marisë në Elbasan apo ende do të mbetet ajo në dorën e këtij njeriu të paskrupull, e mbyllur me çelës dhe e ruajtur me roje? A do të zbatojë drejtësinë gjykata e Elbasanit, apo do të bjerë ndesh me ligjin, siç është vepruar deri tani. Shpresojmë që Zoti t’ju ndriçojë mendjen këtyre njerëzve, që me kompetencë do të trajtojnë këtë çështje. Zgjidhja e drejtë e saj do të jetë jo vetëm zbatimi i ligjit, por edhe respekt për Orthodhoksinë shqiptare dhe kontributin e saj të madh për demokracinë e brishtë në Shqipëri.

Lidhja e intelektualëve orthodhoksë.
Lidhja e gruas orthodhokse
Lidhja e rinisë orthodhokse dhe besimtarët e Dioqezës, Korçë