Në gazetën “Republika” të datës 1 shkurt 1996, është botuar një artikull mjaft i ulët e fyes për Kryepiskopin Anastas e gjithë Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë, me titull: “Në krye të tyre Janullatos-Shovinistët grekë përkujtojnë Sebastianosin”. Në të, ndër të tjera, afirmohet (me gërma të zeza), se “Në mbledhjen e mbajtur në Serres foli edhe vetë Janullatosi, i cili mbajti një ligjëratë të gjatë mbi “njohjen” e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri dhe veçanërisht atë të arsimimit në gjuhën greke…”
Çdo fjalë e këtij artikulli, që ka lidhje me Kryepiskopin Anastas, është thjesht një shpifje e ulët dhe synon të godasë gjithë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në datën 14 janar, kur zhvillohej mbledhja në fjalë, Kryepiskopi Anastas drejtonte në Tiranë Liturgjinë e Shenjtë të së dielës dhe hirotoniste një klerik të ri, ndërsa të pasnesërmen, 16 janar, drejtoi ceremoninë e përmortshme për Sekretarin e Përgjithshëm të KOASH, Z. Dhimitër Beduli, pamje nga e cila transmetoi edhe RTV Shqiptar në emisionet e lajmeve.
Siç shihet qartë, afirmimet e artikullit janë krye-këput të sajuara. Kjo hyn në vazhdimësinë e qëndrimeve antiorthodhokse të gazetës suaj, ku veprime të tilla kanë qenë, për fat të keq, mjaft të shpeshta.
Nuk e dimë nëse kjo mënyrë antigazetareske të shkruari, e stilit “shpif se diçka do të mbetet”, është karakteristikë e gazetarëve tuaj apo bëhet për llogari të dikujt tjetër, por duhet të jetë e qartë se nuk rritet tirazhi e as bëhet fushatë elektorale duke sulmuar egërsisht dhe papërgjegjshëm Komunitetin orthodhoks dhe Kryetarin e tij legjitim.
Tiranë, 1 shkurt 1996
Zyra e Shtypit
e Kishës Orthodhokse Autoqefale
të Shqipërisë