Legjenda thotë së në kohën që Solomoni ndërtonte Tempullin në Jeruzalem, Hirami, mbreti i Tirës, i dërgoi dru kedri dhe pishe, si edhe ar dhe çdo gjë që prodhonte vendi i tij e që mund t’i dukej e vlefshme. Solomoni, për ta falenderuar, i fali njëzet e vendet e Galilesë. “Galil”, në hebraisht, do të thotë “rreth” dhe këto njëzet vende formonin një rreth. Por kur Hirami doli dhe shëtiti vendin nuk i pëlqeu dhe, duke përçmuar dhuratën, i shtoi emrin të vendit mbiemrin “Kabul”, që do të thotë “neveri”.
Sidoqoftë, e vërteta është se Galilea ishte vend i pasur dhe pjellor; malet e saj, gjelbërimi i saj kanë bukuri të veçantë. Galileasit ishin njerëz të mirë dhe të qetë. Gratë e Galilesë ishin më të bukurat. Burrat dhe djemtë ishin më zemërhapur, më të gjallë, më të guximshëm nga Judenjtë zemërngushtë.
Kur vdiq Irodhi i Madh, Josifi gjeti strehë në fshatin e tij, në Nazaret të Galilesë. I ishte shfaqur përsëri engjëlli në gjumë dhe i tha të shkonte prapë në dheun e Izraelit, sepse kishin vdekur ata që kërkonin të vrisnin djalin. Por, si mësoi Josifi se në Jude mbretëronte biri i Irodhit, u tremb dhe mori rrugën për Nazaret, ku edhe qëndroi.
Shtëpizat e Nazaretit, “si grusht margaritarësh të shpërndarë në hinkë prej smeraldi”, rrezatonin bardhësi në shpatet e malit, midis pemëtoreve gjithë fiq, portokalle dhe shegë. Hebrenjtë e quanin “Llaban”, fshati i bardhë, ndërsa të tjerë “Lulja e Galilesë”.
Aty u rrit Krishti.
Jeta e Tij ishte si jeta e gjithë fëmijëve të Galilesë. Në shkollë nuk mësonin dhe aq shumë gjëra. Rabini (mësuesi) i fshatit i mësonte të lexonin Shkrimin e Shenjtë dhe ligjin e Moisiut dhe, në rastin më të mirë, edhe të shkruanin.
I edukuar, si gjithë fëmijët e Galilesë, duke mësuar të njëjtat mësime dhe duke luajtur të njëjtat lodra me fëmijët e tjerë, Iisui, megjithatë, mbetej i ndryshëm nga gjithë të tjerët.
Prindërit e tij ishin njerëz punëtorë, që jetonin me punën e tyre. Iisui punonte edhe Ai në punëtorinë e Josifit, bashkë me vëllezërit, fëmijë të Josifit me gruan e tij të parë, luante me shokët e tij, shkonte në tempull me prindërit e tij, mësonte ato që mësonin të gjithë fëmijët.
Megjithatë, dallohej nga gjithë të tjerët dhe Nëna e Tij E shikonte dhe mblidhte brenda vetes një për një fjalët që thoshte Ai, duke i ruajtur si margaritarë të paçmuar.
Iisui rritej, fryma e Tij fuqizohej, mbushej me urtësi dhe hiri i Perëndisë ishte mbi Të.
Çdo vit, sipas zakonit të Hebrenjve, Josifi shkonte me Marinë në Jeruzalem për Pashkë. Pashka ishte festa e madhe fetare e hebrenjve, në të cilën kremtonin ditën e çlirimit të tyre nga robëria e Egjiptit. E festonin me solemnitet të madh në Jeruzalem, në tempullin e Solomonit dhe hebrenjtë e gjithë Palestinës e quanin për detyrë të shkonin atje për të kryer detyrimet e tyre fetare dhe për të ngrënë qengjin e Pashkës.
Kur Iisui u bë 12 vjeç, domethënë kur arriti moshën në të cilën fëmijët e hebrenjve fillonin të mësonin ligjin e Perëndisë e të ushtroheshin në detyrimet e tyre fetare, prindërit e morën me vete në Jeruzalem. Pasi mbaruan festimet dhe gjithë lutësit ktheheshin në shtëpitë e tyre, në rrugë, papritur, Josifi dhe Maria vunë re se Iisui s’ishte më me ta. Me mendimin se ishte ndoshta me udhëtarë të tjerë, miq ose të njohur, vazhduan udhëtimin gjithë ditën. Por, në darkë, pasi e kërkuan kudo dhe s’e gjetën, u tmerruan dhe u kthyen prapë në Jeruzalem, ku e kërkonin për tri ditë. Më në fund, shkuan edhe në tempull edhe aty e gjetën.
I ulur midis mësuesve, me fytyrën që ndrinte nga drita e shpirtit të Tij, Iisui i dëgjonte, diskutonte me ta dhe u shpjegonte ato gjëra që nuk i kuptonin. Mësuesit e urtë, me flokë të bardha, që ishin plakur në studimin e Shkrimeve, ishin mbledhur rreth Tij dhe me habi pyesnin, dhe dëgjonin dhe mrekulloheshin se si mund të gjendej një urtësi e tillë në kokën e një fëmije 12 vjeç.
Maria si e pa, vrapoi pranë Tij dhe i tha: “Biri im, përse na e bëre këtë? Shiko, babain tënd dhe mua, si të kërkojmë të trishtuar.”
Iisui u habit dhe u përgjigj: “Po përse më kërkonit? Nuk e dini se unë duhet të rri në shtëpinë e tim Eti?”
Prindërit s’i kuptuan fjalët e Tij; nuk e dinin kush ishte Ai që Iisui e quante At dhe as se tempulli i Perëndisë ishte shtëpia e Tij. Nëna e Tij mblodhi përsëri brenda zemrës së saj këto fjalë.
Iisui u ngrit dhe u shkoi pas prindërve të Tij, duke u kthyer i embël e i sjellshëm si gjithmonë.
Ky diskutim, ishte i pari që Iisui bënte me Judenjtë e urtë dhe të lexuar. Ndoshta, që atëhere kishte ndjerë zemërngushtësinë e tyre, të cilën kaq shumë e luftoi më vonë, si dhe doktrinën e thatë e pa hir, që rëndonte në ndërgjegjen popullore dhe e mbyste si një dorë e hekurt. Ndoshta, që atëhere u ngrit kundër arbitraritetit imoral të udhëheqësve fetarë, që vinin një mijë ligje për popullin e vetes i jipnin liri të shthurrur, që interpretonin ligjin sipas interesit, qejfit e oreksit të tyre.
Vitet kalonin dhe Iisui rritej mbarë, në moshë dhe urtësi. Josifi kishte vdekur dhe Iisui rrinte me të Emën e vet.
Në ato vende të bekuara, ku toka i fal njeriut çdo gjë për të jetuar thjesht e mirë, luksi është i panjohur e i tepërt. Një shtrojë përtokë, sënduku prej druri, pothuajse mobilja e vetme e fshatarit, mjafton për të ruajtur rrobat e pakta, si dhe ndonjë stoli për ditë feste; një stol, ku vendoset pishtari ose disku me enën e darkës familjare është tavolina e vetme, ku në orën e ngrënies mblidhet rreth familja.
Iisui dhe e Ema e Tij jetonin si gjithë njerëzit e shtresës së tyre; thjesht dhe me modesti.
Ai punonte marangoz në punëtorinë e Josifit dhe ajo tirrte, kujdesej për shtëpinë dhe kur binte darka merrte qypin dhe zbriste si gratë e tjera të fshatit në burimin e ujit i cili që atëhere quhet “Burimi i Virgjëreshës”.
Iisui punonte, bisedonte, hante, bënte të njëjtën jetë si gjithë të tjerët dhe megjithatë krejtësisht i ndryshëm.
E folura e Tij, fryma e Tij, morali i Tij dalloheshin. U fliste për Perëndinë dhe njerëzit përreth e dëgjonin me dëshirë të zjarrtë. Sepse Perëndia e Tij nuk ishte Perëndia e Hebrenjve, i ashpër, i pamëshirshëm, që dënon dhe hakmerret, por Perëndia që fal. Dikur fjalët e Tij i bënin njerëzit të çuditeshin dhe të viheshin në mendime, sepse u thoshte se të gjithë njerëzit kanë një At në qiell dhe se ky At është Perëndia, që i do të gjithë njerëzit si fëmijë të vet aq më shumë më fatkeqët, të varfërit dhe jetimët.
Sa më shumë rritej Iisui aq më e ëmbël bëhej pamja e Tij, aq më i qetë zëri i Tij, aq më e veçantë e folura e Tij. Nuk kishte ende nxënës, nuk mësonte ende; veçse midis atyre njerëzve të thjeshtë dhe të mirë, shtrihej gjithmonë edhe më tepër mrekullimi prej Tij dhe i sillte ata rreth Tij; dhe kur u fliste për mirësinë e pafundme të Perëndisë, ata, të etur për dashuri i përpinin fjalët e Tij, sytë e tyre mbusheshin me lot gëzimi dhe me adhurim ngrinin shpirtin e tyre drejt Krijuesit të tyre.
Kështu Iisui u bë tridhjetë vjet.