EmailFacebookKontakt

Shën Harallambi, hieromartir (10 shkurt)

Ka qenë prift dhe sipas disa burimeve kryeprift në qytetin Magnezi, të Azisë së Vogël, afër Smirnit. Ai vepronte me guxim, prandaj u arestua në kohën e perandorit Septim Seviri (193-211). Duroi me guxim rrjepjen që i bënin. Kur qeveritari, i dalë jashtë kontrollit, iu sul për ta goditur, duart iu prenë në bërryla dhe mbetën të ngjitura në trupin e martirizuar. Të pranishmit u goditën si me rrufe dhe i kërkuan falje Harallambit 113 vjeçar.

Atëhere, ai shëroi qeveritarin, i cili u pagëzua. Besuan edhe xhelatët Porfiri e Vapti e tri gra. Pasi u pagëzuan, që të pestëve ju prenë kokën (kremtohen së bashku me martirin e shenjtë). Atëherë njerëzit po pagëzoheshin në masë dhe shumë veta shëroheshin në mënyrë të mbinatyrshme nga shenjti plak. Më vonë, me urdhër të perandorit, i ngulën gozhda në kurriz dhe e sollën në Antioki të Azisë së Vogël, të hipur në kalë për ta turpëruar, por kali foli me zë njeriu dhe i qortoi. Më pas i kaluan hell në gjoks dhe e hodhën në zjarr, por ai nuk u cënua. Para Perandorit Sevir, ai shëroi një të demonizuar dhe ngjalli një të vdekur, saqë perandori u habit. Megjithatë ai zemërgur urdhëroi që t’i dërrmonin nofullat me gurë dhe t’i digjnin mjekrën, por më kot. Sapo ai bëri blasfemi, u dërrmua dhe u pendua. Por pas një muaji u bë përsëri i ashpër dhe megjithë këshillat e së bijës Galini, që ishte e krishterë, ai urdhëroi dhe e nxorën në rrugë atletin e moshës mbi një shekull, me fre në gojë si kafshë. Së fundi u vendos që t’i pritej koka. Sapo koka e tij preku kërcurin e thatë, ai mbiu.

Megjithatë, erdhi Zoti dhe mori shpirtin e tij para se t’i prisnin kokën (ndofta në vitin 202). Shën Harallambi (=ai që ndrit nga ngazëllimi) nderohet si mbrojtës nga epidemitë dhe madje nga murtaja, ndërsa koka e tij ruhet në një manastir në Meteor.

At. Justini