Dëgjojmë shpesh herë njerëz të ndryshëm të thonë: “NUK KA PERENDI!”
Nëse nuk egziston Perëndia i Gjallë dhe i Tërëfuqishëm, nëse nuk është më i fortë se vdekja, atëhere vdekja është i vetmi sundimtar. Rrjedhimisht çdo qënie njerëzore nuk është veç një viktimë e vdekjes. Një mi në gojën e maces.
Duke i kundërshtuar këta njerëz u themi: “Perëndia ekziston. Për ty nuk ekziston”. Dhe nuk gabojmë. Sepse ata që shkëputen nga Zoti i Përjetshëm dhe Jetëdhënës këtu mbi dhe, shkëputen nga jeta e vërtetë; për pasojë nuk do të shijojnë, as këtu dhe as në jetën tjetër, madhështinë e Perëndisë dhe të krijesës së Tij. Eshtë më mirë të mos kishin lindur fare, sesa të jenë të shkëputur nga Perëndia.
Dhe më tej është e nevojshme që t’u themi:
Gabon miku im! Do të qe më e drejtë të thoshje: “Unë nuk kam Perëndi. Sepse rreth teje e shikon se ka kaq shumë njerëz që kanë Perëndi ndaj dhe e shpallim se ka Perëndi. Ndaj mos thuaj: “Nuk ka Perëndi!” Kufizohu duke thënë: “Unë s’kam Perëndi”.
Gabon! Flet si i sëmuri që thotë se asgjëkundi s’ka shëndet!
Gabon! I ngjan të verbërit që thotë: “Nuk ka dritë në botë”. Por dritë ka. Eshtë e përhapur kudo. Ai fatkeq nuk ka dritën e syve të tij! Do të fliste drejt po të thoshte: “Unë nuk kam sy dhe nuk e shikoj dritën”.
Gabon! Flet si lypsari që thotë: “Nuk ka thesar në botë”. Por thesar ka! Edhe mbi dhe! Edhe nën dhe! Do të qe e drejtë të thoshte: “Unë nuk kam thesar”.
Gabon! I ngjan njeriut të lig që thotë: “Nuk ka mirësi në botë!” Ndërkohë që duhet të thoshte: “Unë nuk kam gjurmë mirësie brenda vetes sime; dhe jo nuk ka asgjëkundi mirësi në botë”!
Dhe më tej duhet t’u themi:
Gabon i dashur! Gabimisht shpall se nuk ka Perëndi! Sepse kur diçka nuk e ke dhe nuk e njeh ti nuk do të thotë se nuk ekziston asgjëkundi, se nuk e ka njeri! Kush të dha të drejtën të flasësh në emër të gjithë botës? Kush të dha lejen të deklarosh se sëmundjen tënde e kanë të gjithë; se të gjithë kanë rënë në mashtrimin që ke rënë ti?
Thërret se nuk ka Perëndi! E shpall në të gjithë botën! Lufton të vërtetën!
Ata që nuk duan të jetojnë për Perëndinë janë të paktë, por Perëndia ekziston edhe për ata! Edhe i pret. Deri në frymën e tyre të fundit mbi dhe! Vetëm nëse nuk do të kujdesemi të pendohen qoftë edhe në çastet e fundit të jetës së tyre; vetëm atëhere Perëndia do të pushojë së ekzistuari për ata në jetën tjetër. Do t’i fshijë nga libri i jetës. Ndaj u themi:
Për të mirën e shpirtit tënd! Për të mirat qiellore! Për lotët që derdhi Krishti dhe për plagët që pësoi për të gjithë ne! Ndërro mëndje! Pendohu! Korrigjohu! Dhe kthehu në Kishën tonë!