Lajmi se u nda prej nesh i nderuari Dhimitër Beduli më erdhi i papritur, duke më lënë një peng në zemër. Pak kohë më parë e kam përmendur emrin e tij lidhur me një takim me 1973, në rrethana jo të zakonshme. Atëherë kishin kaluar pesë vjet nga ndalimi i dhunshëm i çdo veprimtarie fetare në Shqipëri. Ndonëse nuk kisha ndonjë lidhje me këtë fushë, çdo gjuhëtar e sheh një ditë rolin e përkthimeve fetare në fillimet e në lëvrimin e gjuhës së shkruar, ndërsa me një vështrim më të thelluar e kupton pjesën e historisë fetare në historinë e kulturës kombëtare. Kisha përfunduar një punim për përkthimet biblike të V. Meksit e sidomos të Kristoforidhit. Përballë kësaj tradite e ndjeja veten jo kompetent dhe kisha nevojë për mendimin e një njohësi të specializuar.
Kisha gjetur “Librin e Shërbesave të Shenjta”, të botuar me 1961, me një Hyrje të nxjerrë nga studimi “Mbi përdorimin e gjuhës shqipe në kishë” të Dh. Bedulit. Ishte sinteza e parë për këtë temë nga një studiues, që nisej prej bindjes se “njeriu mund t’i falej Perëndisë fort bukur në gjuhën shqipe” e që kishte punuar për ta bërë gjuhën e shërbesave më të përpiktë, më të qartë, më të bukur. Ai kishte përkthyer që më 1940 Meshën e Dhuratave dhe Shërbesën e plotë të rrëfimit, dhjetë vjet më pas edhe dy shërbesa të tjera. Ishte një vazhdues i traditës përmes Kristoforidhit e Nolit. Pyeta për të dhe më thanë se punonte në Roganne ë Uzinës Mekanike.
E dija çfarë do të thoshte hapja e një bisede për një temë të tillë. Si do të më kuptonte e, mbi të gjitha, si mund të më besonte, kur nga një provokacion i vogël të tjerë njerëz, pa e pasur të kaluarën e tij, kishin përfunduar keq e mos më keq? E megjithatë, diçka nga thellësitë me thoshte se zemra e një njeriu me vlera shpirtërore e me nivel intelektual do të hapej, qoftë duke rrezikuar.
I ngjita shkallët e zyrave të Uzinës dhe hyra në një zyrë si gjithë të tjerat në ndërmarrjet e asaj kohe. Kisha para meje një burrë pak të thinjur, që dukej se kishte hyrë në të gjashtëdhjetat; nuk kishte kravatë dhe, po të mos e njihje, nuk do të dyshoje se kishte qenë gjithë ato vite ekonomist. Ndrojtja m’u shtua më tepër, megjithatë iu paraqita dhe i shpreha dëshirën të pija një kafe me të. Pa dyshim, u habit pak, pastaj, me një buzëqeshje të qetë pranoi. Vajtëm dhe u ulëm në një barake, që quhej kafene, në anën tjetër të rrugës së Kavajes. Nxora punimin dhe me ndihmën e tij çdo pengesë midis nesh kishte rënë. Lamë një takim tjetër, në të cilin ai më dha me dashamirësi vërejtjet dhe folëm për gjuhën fetare, për përkthimet e ungjijve, për humbjen e dokumentacionit kishtar. Përpara meje ishte ai që kisha përfytyruar: njeriu shpirtëror me vlera intelektuale. Mirëpo, rreth nesh ishte viti 1973 dhe pas njerëzve të fesë, po u vinte radha poetëve, dramaturgëve, këngëtarëve, regjisorëve.
Tani jam duke përfunduar një libër për Kristoforidhin. Kisha ndërmend t’i kërkoja një takim përsëri të nderuarit Beduli. Do të isha përpara Sekretarit të Përgjithshëm të Kishës, por pa ndonjë ankth e ndrojtje. Nuk kisha dyshim, se do të gjeja po atë njeri të qetë e dashamirës, për të biseduar edhe një herë për gjuhën fetare, për përkthimet e ungjijve, për dokumentacionin kishtar. Më mbeti ky takim bashkë me një peng.
Dr. Xhevat Lloshi