EmailFacebookKontakt

Gjithmonë në studim

Me Dhimitër Bedulin jam njohur në vitin 1936. Në atë kohë, m’u akordua një bursë nga Kryesia e KOASH-it, për të ndjekur seminarin orthodhoks.

Njohja ime e parë ishte me Dhimitrin, i cili ishte drejtor i seminarit. Ai më priti me ngrohtësi dhe u kujdes që të sistemohesha sa më mirë. Mësimet fetare i merrnim nga mësuesit e seminarit, nën drejtimin e profesor Dhimitrit, i cili na jepte Liturgjikë, praktikë kishtare dhe muzikë bizantine.

Gjatë një periudhe gati 8-vjeçare, sa zgjatën mësimet e mia në Seminarin “Shën Pavli”, Dhimitri bëri një punë shumë të madhe për edukimin tonë dhe kryerjen e detyrave në Kishë. Ai gjithmonë na qëndronte pranë, na këshillonte e ndihmonte.

Mbas mbylljes së seminarit më 1944, si shkak i luftës, unë vazhdova të qëndroja në konvikt, duke punuar njëkohësisht në Kishë, duke e pasur atë gjithmonë afër. Karakteristika më dalluese e profesor Bedulit ishte studimi i jashtëzakonshëm. Gjithmonë në komodinën e tij ngrihej një mal me libra, të cilave u kushtohej me impenjim të pandryshueshëm, pavarësisht nga kohët e vështira.

Këtë impenjim të admiruar e tregoi edhe me rilejimin e besimit, kur, me gjithë gjendjen e rënduar shëndetësore, shkoi në të gjitha anët e Shqipërisë, për të riorganizuar kishat e shkatërruara. Ai nuk ngurroi as të rishfaqte pasionin e tij për muzikën bizantine. Ishte psalt në rreshtin e parë në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë, që sapo ishte shndërruar nga palestër sërish në kishë, e deri në Liturgjinë e tij të fundit, atë të Krishtlindjes 1995. Ndaj, fjetja e tij s’ishte vetëm humbja e një miku të vjetër e shumë të dashur, por edhe një humbje e pazëvëndësueshme për Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë.

Kryedhjakon Sotir Kanxheri