E kisha njohur Dhimitër Bedulin 23 vjet më parë, në rrethana intime familjare e që andej lindi një miqësi e gjatë, që u konkretizua në takime të herëpashershme. Dua të theksoj se më bëri përshtypje befasuese njohja me atë njeri, për të cilin më parë nuk kisha asnjë informacion.
Ç’ka më tërhoqi, para së gjithash ishte qetësia e tij shpirtërore, mënyra kaq erudite, një parashtrim prej shkencëtari të problemeve, kultura shumëdimensionale. Për një moment mund të habiteshe për njohuritë e tij të thella në fusha të ndryshme të shkencës e veçanërisht në atë të historisë, ku kam patur edhe diskutimet më të shumta. Këto biseda nxirrnin në pah një kulturë profesionale të fituar përmes metodës së studimit të thellë e gradualitetit, gjë që është karakteristike për shkencëtarë me një metodë pune koherente.
Tregues i rëndësishëm i kulturës së tij, pa dyshim, ishte biblioteka. Ajo për Bedulin ishte një pjesë organike e jetës së tij, një burim dijesh, të cilat ai i përftonte çdo ditë përmes studimit sistematik. Biblioteka ishte shumë e pasur me libra të trashëguara nga një jetë e gjatë dhe intensive pune.
Për fat të keq, për një kohë të gjatë, ai nuk arriti, për shkak të rrethanave të njohura, të ekspozojë këtë kulturë dhe ta vinte atë në shërbim të kulturës shqiptare e Kishës Orthodhoksë Autoqefale të Shqipërisë. Do thosha se është detyrë e KOASH-it dhe institucioneve që merren me historinë e saj, që trashëgimia e tij të mblidhet, të qëmtohet dhe të gjejë dritën e botimit, sepse njerëz si Beduli i vijnë rrallë shoqërisë, institucioneve që ai përfaqësonte. Ndaj, mendoj se do të ishte e vlefshme një përmbledhje e veprimtarisë së tij në fushën teologjike dhe të organizimit të KOASH-it.
Dr. Paskal Milo