Kisha e re e Pogradecit (Në foton lart), “Ngjallja e Krishtit”, po i afrohet fundit të ndërtimeve. Ajo është ndërtuar në formë kuadrati, me kryq të brendashkruar dhe me kupolë qendrore, dy këmbanore e arkadë rreth e rrotull. Ajo ka gjithashtu një kat nëntokësor.
Realizimi i projektit, i aprovuar dhe i financuar nga Kryepiskopi Anastas, paraqiti mjaft vështirësi, pasi gjithë punimet nëntokësore janë bërë në prezencë të ujit. Gjithë bodrumi është më poshtë se niveli i liqenit.
Kisha do të ketë dimensionet 16.5 x 16.5 m, me lartësi të kupolës dhe këmbanoreve rreth 15 m.
Në fazën e parë, të realizuar nga një firmë shqiptaro-greke, mbaroi krejt pjesa e nëndheshme, me ajodhimën, një sallë mjaft të madhe për përdorim të shumfishtë; magazina, zyra etj., si dhe gjithë struktura në betonarme e kishës (karabinaja).
Tani po punohet për fazën e fundit, ku do të realizohen gjithë veshjet e jashtme e të brendshme të kishës dhe që ka si afat maksimal të përfundimit fundin e shtatorit.